Marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore do të sjellë ndryshime në 7 ligje të tjera që lidhen me shmangien e shti-blerjes së votës. Report TV ka zbardhur amendamentet e këtyre projektligjeve që do të prekin Kodin e Procedurës Penale, Kodin Penal, Ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për sinjalizuesit, Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ligji për funksionimin e prokurorisë dhe Ligji për Partitë Politike.
Ndryshimet në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale lidhen me kërkesën e PD për të hetuar krimet zgjedhore nga SPAK.
“Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, në këmbim të votës nuk do të hetohen nga prokuroritë e rretheve por nga Prokuroria e Posaçme anti-korrupsion”, thuhet në amendament.
Në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të shtohet një nen i ri. Në vlerësimin që magjistratëve u bëhet nga disa burime do të shtohen dhe dosjet që magjistratët kanë hetuar nga krimi zgjedhor.
Ndryshimet prekin edhe Ligjin për sinjalizuesit ose “bilbilfryrësit”, ku sinjalizuesit në institucionet me mbi 80 punonjës në sektorin publik dhe mbi 100 në atë privat, për herë të parë do të raportojnë edhe për çështjet zgjedhore. Për ta realizuar këtë, pra shmangien e përfshirjes apo presioneve të administratës publike në zgjedhje, do të krijohet një njësi përgjegjëse për marrjen e sinjalizimeve dhe trajtimin e denoncimeve për çështjet zgjedhore, strukturë që do të ngrihet nga KQZ. Në projektligj thuhet se “sinjalizimi mund paraqitet drejtpërdrejt në KQZ ose në Njësinë e Administrimit Zgjedhor, Në rastet kur sinjalizimi paraqitet në Njësinë e Administrimit Zgjedhor ajo ia përcjell atë menjëherë njësisë përgjegjëse në KQZ”.
Ndryshimet në ligjin për funksionimin e prokurorisë i japin mundësi Prokurorit të Përgjithshëm t’i japë informacion KQZ-së për çështjet që lidhen me krimet zgjedhore.
“Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë̈ së Posaçme, sipas juridiksionit përkatës, i japin informacion KQZ-së për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve. Informacioni jepet me të dhënat për çështjet penale, personat nën hetim, kohëzgjatjen e hetimit dhe përfundimin e tij, të dhënat për kërkesat e prokurorisë për gjykim, etj. Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të duhet t’u përgjigjen kërkesave të KQZ-së për informacion jo më vonë se 15 ditë nga data e kërkesës', thuhet në amendament.
Në Ligjin për partitë politike do të fshihen nenet të cilat u mundësonin partive të merrnin para nga bizneset apo individët pa kufizim. Ky ndryshim në ligj bëhet për t’u përshtatur me marrëveshjen e 5 qershorit, sipas të cilës do të dyfishohen buxheti i shtetit për partitë politike, ndërsa privatit i është vendosur një tavan për partitë, jo më shumë se 3-fishin e financimit nga shteti.
Ndërsa në ligjin për policinë e shtetit i atribuohen përgjegjësi të tjera oficerëve të policisë që lidhen me zbatimin e detyrave në shërbim të administrimit të qetë dhe të rregullt të proceseve zgjedhore ose referendumeve, bashkëpunim me administratën zgjedhore dhe raportim për veprimtarinë e strukturave të policisë në zgjedhje ose në referendume".
Mes projektligjeve është dhe përjashtimi nga krimet zgjedhore e autorëve të tyre, të një apo disa veprave penale vetëm në rast se bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për të denoncuar dhe zbardhur krimet zgjedhore.
Report Tv mëson se ditën e hënë këto ndryshime do të depozitohen në Kuvend dhe më pas për miratim në seancë plenare, ku do duhet të miratohet me shumicë të cilësuar.
( Kliko këtu për të lexuar kodin i ndryshuar i procedurës penale i Republikës së Shqipërisë)