Zbardhen diskutimet/ Shkarkimi i Sevdarit ‘trazon’ KLP, si e pritën anëtarët

8 Mars 2019, 07:54| Përditesimi: 8 Mars 2019, 07:58

  • Share

Vendimi i Kolegjit të Posaçëm për shkarkimin nga detyra të prokurores dhe anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari, ka ‘trazuar’ anëtarët e këtij Këshilli. Gjatë mbledhjes së datës 6 mars, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi prezantoi një projektvendim për mbarimin e statusit dhe të mandatit të anëtares së KLP, Antoneta Sevdari, pas vendimit të KPA për ta shkarkuar nga detyra. Të gjithë anëtarët e KLP e kanë kundërshtuar këtë projektvendim, me arsyetimin se Këshilli nuk ishte njohur zyrtarisht me vendimin e zbardhur të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Anëtari Alfred Balla është shprehur se mandati i zonjës Sevdari ka mbarur automatikisht, ndërsa ka shtuar se drejtësia shqiptare ka humbur një prokurore të denjë, të aftë dhe me integritet moral e profesional. Ndërkaq, anëtari Kostaq Beluri u shpreh se nëse KLP do të vendosë për mbarimin e statusit të prokurores Sevdari, këtë gjë duhet ta bëjë edhe për prokurorët e tjerë që do të shkarkohen nga Vetingu. Ky arsyetim u mbështet edhe nga kryetari Gent Ibrahimi. Në përfundim, KLP vendosi të shtyjë vendimmarrjen për zonjën Sevdari deri në ardhjen e vendimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Po gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që të shtyjë edhe vendimin për mbarimin e statusit të prokurorit Petrit Fusha, i cili kishte depozituar dorëheqjen në Këshillë që në datën 28 shkurt 2018.

Diskutimet në mbledhjen e KLP për Antoneta Sevdarin

-Gent Ibrahimi: Para se të vijojmë me axhendën, një sqarim nga ana ime në lidhje me mungesën në këtë axhendë të një çështje, e cila ishte në draft axhendën që u ka qarkulluar anëtarëve. Është fjala për projektvendimin për deklarimin e mbarimit të statusit të prokurorit Petrit Fusha, si rezultat i dorëheqjes së tij. Dorëheqja e z. Fusha është regjistruar në protokollin e KPK në 28 shkurt. Mbi këtë bazë, komisioni i karrierës ka bërë gati edhe një projektvendim për mbarimin e statusit. Ai projektvendim parashikonte që dorëheqja e dhënë në datë 28 shkurt, do t’i jepte efektet në datën 31 mars, kjo bazuar në nenin 65 ika 2 e ligjit për statusin. Çështja është nëse ne mund ta deklarojmë mbarimin e statusit të z. Fusha sot apo duhet të presim datën kur dorëheqja bëhet efektive. Pika e radhës në rendin e ditë është projektvendimi për mbarimin e statusit të magjistratit dhe të mandatit të anëtarit të Këshillit, për zonjën Antoneta Sevdari. Projektvendimi lexon si më poshtë...KLP pasi u njoh me vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në datë 28 shkurt 2018, vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për zonjën Antoneta Sevdari, aktualisht anëtare e KLP për shkak të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit duke filluar nga data e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Të deklarojë mbarimin e mandatit si anëtare e KLP për zonjën Antoneta Sevdari për shkak të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit. Të njoftohet për këtë vendim zonja Antoneta Sevdari. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

-Kostaq Beluri: Minimumi që mund të bëjmë se e kemi pas edhe kolege, në draft thuhet se u njohëm me vendimin e KPA, por pa pasur atë vendim mua më duket e nxituar kjo vendimmarrje.

-Bujar Sheshi: Unë të njëjtën gjë kisha. Domethënë, e kemi ne këtë vendim, na ka ardhur zyrtarisht ne si Këshill? Nëse nuk na ka ardhur ne nuk mund t’i lejojmë vetes, të themi ‘mbasi u njohëm me vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit’. Ne vendimin e dimë, është publik, nuk diskutohet, por ama bëhet fjalë për një anëtar të KLP dhe duhet t’i qëndrojmë strikt çdo kërkese ligjore dhe çdo fjale që kemi thënë. Nëse neve nuk na ka ardhur vendimi, ose duhet të deklarojmë mbarimin e statusit për shkak se kemi marrë dijeni, por jo të themi që jemi njohur me atë vendim, me të cilin nuk jemi njohur zyrtarisht. Të mos nxitohemi, në mbledhjen tjetër, aty e kemi.

-Nurihan Seiti: Mua më duket një punë kaq shumë e nxituar sa që vërtetë nuk po e kuptoj këtë fakt. E para nuk kemi vendim, pavarësisht se njoftimi i vendimit është deklarativ, nuk është për ne. Proceduralisht nuk veprojmë dot. Nuk e di çfarë afati ka për zbardhjen e vendimit të KPA.

-Gentian Osmanaj: Z., kryetar edhe unë jam dakord me kolegët. Formalisht ne duhet të presim vendimin, tekefundit në vendim ne shprehemi edhe me numrin e vendimit. Ne nuk dimë se çfarë numri ka vendimi. Është vërtetë aspekt formal, por i rëndësishëm në rastin konkret.

-Gent Ibrahimi: Ka një lloji rëndësie në fakt sepse deri në marrjen e një vendimi të tillë nga ana jonë, zonja Sevdari i bie që të jetë anëtare e KLP, ku duhet të ishte sot në mbledhje. Kështu që nuk është fare pa rëndësi ky deklarimi nga ana jonë. Megjithatë, deri më tani ka një konvergjencë vendimesh që duhet të presim. Çfarë konkretisht, vendimin e zbardhur apo dispozitivin?

-Besnik Cani: Ata dalin me shkurtime. Shkurtimi është dispozitivi poshtë.

-Alfred Balla: Unë mendoj se duhet të ndajmë pak anën morale dhe emocionale ndaj qasjes tonë ndaj zonjës Antoneta. Drejtësia shqiptare humbi një prokurore të denjë, të aftë me integritet moral dhe profesional. Në lidhje me vendimin, për sa e njoh unë ligjin e Vetingut, thuhet se subjekti i rivlerësimit, me dhënien e vendimit ndryshe, pra të kundërt me shkallën e parë, ku zonja Antoneta e kishte kaluar, automatikisht quhet e shkarkuar. Tani është për të ndarë momentin nëse do të ndikojë vendimi jonë sot apo pas dy javësh në lidhje me statusin e zonjës, unë mendoj se nuk do të ndikojë. Mbase është pa shpejt, por duhet të mendojmë edhe hapin tjetër, Prokurori i Përgjithshëm ka detyrimin që të hapë garën për plotësimin e këtij vendi vakant tashmë.

-Tartar Bazaj: Dje, Prokurori i Përgjithshëm, ka shpallur këtë vend vakant. Dhe çuditërisht ne nuk na është dhënë ky vendim. Pra, Prokurorit të Përgjithshëm i ka shkuar, neve jo.

-Gent Ibrahimi: Kjo është e vërtetë që Prokurorit të Përgjithshëm i ka shkuar vendimi i KPA. Neve nuk na ka ardhur zyrtarisht. Neni 66, paragrafi tre i ligjit për rivlerësimin thotë që vendimi i KPA ka afekt të menjëhershëm. Ne do të duhet ta bëjmë këtë. Por, ne mund ta shtyjmë në pritje të ardhjes formale të vendimit.

-Kostaq Beluri: Në draft ju jeni shprehur edhe për statusin dhe për pozicionin si anëtare. Nëse duhet të shprehemi për statusin, do të duhet të shprehemi për të gjithë subjektet që janë në proces rivlerësimi, gjë që deri më tani nuk është bërë. Këtë debat, për mënyrën se si duhet shprehemi, e lëmë për një kohë tjetër.

-Gent Ibrahimi: Kjo është në fakt një vërejtje me vend. Do të ishte një burokraci, një ngarkesë e tepërt për Këshillin, që të shprehje me vendim për mandrilin e statusit në një kohë që ligji e bën shumë të qartë që ne nuk kemi ndonjë rol. Kështu që kush është dakord që këtë vendim ta ndryshojmë, ta bëjmë vetëm për mbarimin e mandatit, jo për mbarimin e statusit.

-Nurihan Seiti: Ne po e diskutojmë Antonetën si anëtare e KLP. Kjo është procedura jonë.

-Gent Ibrahimi: Nuk isha i përgatitur me thënë të drejtën. Por, si praktikë pune a do jetë e nevojshme që ne të deklamojmë mbarimin e statusit të prokurorit që shkarkohet nga Vetingu apo jo. Kush është dakord që të presim vendimin për zonjën Sevdari para se të procedojmë? Dakord të gjithë.

Alfred Balla

Anëtari Alfred Balla u shpreh se mandati i zonjës Sevdari ka mbarur automatikisht, ndërsa u shpreh se drejtësia shqiptare ka humbur një prokurore të denjë, të aftë dhe me integritet moral e profesional.

Shtyrja

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shtyrë vendimet për mbarimin statusit të prokurorëve Antoneta Sevdari dhe Petrit Fusha, i para e shkarkuar nga KPA, ndërsa i dyti dha dorëheqjen.

 

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?