Ekzekutimi me eskortë të hapur dhe në mes të njerëzve në Tiranë, i ish-efektivit të policisë së Tiranës Santiago Malko nga klani “Duka”, dyshohet se është kryer nga një killer me pagesë nga Vlora, i quajtur Fatmir Hyseni, ish-kunati i “Didit të Vlorës”. Hyseni në këtë vrasje, sipas policisë ka bashkëpunuar ngushtë me vëllezërit sponsorizues Leonard dhe Elis Duka dhe personat e tjerë si Oltian Loka, Ilir Selmani, Bledar Teta dhe Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj ose “Gabeli” dhe Xhoni Nice.
Për të gjithë këta persona prokuroria e Krimeve të Rënda që nga momenti kur ka marrë dosjen, ka nisur verifikimet duke zbuluar dhe vendndodhjen e personave të akuzuar. Sipas burimeve, Xhoni Nica i përfshirë nga policia në këtë ngjarje, rezulton të ketë qenë jashtë shtetit, ditën kur ka ndodhur ekzekutimi i Santiago Malkos. Nuk dihet se në çfarë rrethana është futur dhe çfarë roli ka pasur Xhoni Nica në këtë ngjarje, por burime pranë prokurorisë bënë me dije se djaloshi, ka qenë në Itali. Nga verifikimi në sistemin TIMS që prokuroria ka bërë për këtë person, ka rezultuar se Xhoni Nica është larguar nga Shqipëria 27 ditë para vrasjes së Santiago Malkos, mikut të Ervis Martinaj.
Sipas sistemit TIMS, Nica ka udhëtuar nga pika kufitare e Morinës, duke hyrë në Kosovë dhe mandej nga aeroporti i Prishtinës, ka udhëtuar drejt Italisë, duke zbritur në Verona. Në ditët para ngjarjes por dhe ditën e krimit të vrasjes së Santiagos, Xhoni Nica nuk ka qenë fare në Shqipëri. I riu ka udhëtuar në drejtim të Italisë, shtet ku besohet se do të qëndrojë dhe të punojë në vazhdim. Pritet që në ditët në vijim Prokuroria e Krimeve të Rënda të marrë një vendim për nxjerrjen ose jo nga arresti në burg në mungesë.