Para hetuesit në Igumenicë u paraqitën që në mëngjesin e së dielës 14 doganierët e arrestuar në pikën kufitare të Mavromatis për marrje ryshfeti. Të dyshuarit akuzohen se kanë kryer mbi 300 raste ryshfeti, duke marrë deri në 300 euro për rast, në mënyrë që të lejonin kalimin e automjeteve pa asnjë kontroll.
Skandali në Doganën e Mavromatis: Zbardhen përgjime tronditëse
Bisedat e regjistruara nga Policia Greke janë pjesë e dosjes hetimore dhe tregojnë hapur se si funksiononte skema e ryshfetit. Punonjësit e doganës lejonin kalimin e mjeteve vetëm nëse u “lije një kafe” – një shprehje e koduar për para në dorë. Sipas Epiruspost, praktika korruptive dyshohet të ketë nisur që në muajin mars.
Një nga bisedat e regjistruara në prill tregon përfshirjen e një punonjëseje të re në skemën korruptive:
Punonjësja më e vjetër: …më vonë do jesh edhe ti në lojë… besoj se të ka folur z. K…
Punonjësja e re: Po, po, më ka thënë.
P.m.v.: Avash-avash, do nisin edhe bakshishet…
P.r.: Po, po, m’i ka shpjeguar.
P.m.v.: Prandaj edhe turnet janë gjithmonë me dy apo tre veta, që të jenë vendime në grup dhe të mos dalim të zbuluar.
Në një tjetër përgjim, doganierët shmangin vendosjen e gjobës për të marrë para në dorë:
Punonjësja: Përshëndetje, kush je? (pra cili automjet)
Qytetari: Jam Peugeot-i.
P: Bukur, ke gjë në makinë?
Q: Jo gjë të madhe… pak djathë, pak barishte…
P: Ke marrë vaj?
Q: Po, vaj kam.
P: Sa litra?
Q: Rreth dhjetë.
P: Dhjetë apo njëzet? Po të vij dhe të gjej më shumë se dhjetë, çfarë do bëjmë?
Q: Nuk e kam peshuar saktë…
P: Të pyeta sepse ndalohet. Të them nëse të gjej më shumë se dhjetë, çfarë bëjmë?
Pastaj ndërhyn një koleg:
Punonjës mashkull: Çfarë ka në makinë?
P: Ka vaj, djathë, mish…
P.m.: E ke parë makinën?
P: Jo akoma, po negocioj…
P.m.: Hajde sill pak ta shoh… pastaj flasim për pjesën tjetër.
P: Hap makinën të shohë kolegu.
P.m.: Zotëri, hajde pak këtu. Këtu je? Lëre një kafe dhe ik. Po të them, lëre një kafe dhe ik.
Q: Të iki?
P.m.: Po, lëre një kafe dhe ik. I the që ke 10 litra dhe ke 30 brenda?! Hajde, futu brenda. Mos të shohin të tjerët… lëre një kafe dhe ik.
P: Sa kishte?
P.m.: Kishte 30 litra vaj.
P: E dija që kishte më shumë, prandaj i thashë të më tregonte para se të dilja.
P.m.: I the që kishte 10 dhe kishte 30?! Hahaha. Ka pasur kaq shumë gabim peshorja?
Q: Kam vite që vuaj nga kanceri…
P.m.: Hajde, ik tani. Mirupafshim.
P: 50.
P.m.: Sa la? Çfarë… oh m… hahaha.
Në një bisedë tjetër, dy punonjës ndajnë fitimet:
Punonjësi mashkull: Mos u anko fare, sot ishte një ditë shumë e mirë.
Punonjësja: Bravo S…
P.m.: Ishte ndër më të mirat. Edhe pse ishim pak sot, apo jo?
P.f.: Normal.
P.m.: 12 e gjysmë.
P.f.: Mirë jemi.
“Çohu, sill lekët dhe zhduku”: Zëvendësojnë gjobën me ryshfet 150 euro
Një tjetër rast i rëndë është ai i një qytetari shqiptar, i cili detyrohet të japë 150 euro për të shmangur një gjobë prej 3.000 eurosh:
Punonjësi: Ke 7 muaj në Greqi.
Qytetari: Si?
P: Ke 7 muaj që je këtu.
Q: Makinën e solli kushëriri…
P: Ke shkelje. Ta konfiskoj makinën dhe të vendos gjobë 3.000 euro. Lëre makinën, ma sill bosh. Nuk ke të drejtë të qëndrosh në Paksos me makinë shqiptare si qytetar grek.
Q: Në rregull.
P: Rri në karrige. Do kemi problem. Nuk kalon dot. Makinën ma lë këtu. Je 7 muaj?
Q: Jo, jo!
P: Thuaj të vërtetën, mos më detyro të bërtas. Dëgjojnë policët. Je 7 muaj?
Q: Jo 7.
P: 6?
Q: Diku aty…
P: E di sa kushton kjo? Janë mbi 3.000 euro.
Q: Gjoba?
P: Po… Shko në makinë, sill 150 euro. Mos më detyro të them 200. Nuk do ta regjistroj gjobën.
Q: Të shkoj?
P: Hajde këtu. Shko sill 150 euro. Do ta gris letrën. Çohu, sill 150 euro dhe zhduku. Kur do kthehesh prapë? Që ta kemi parasysh… Do të të caktoj të martën.
Q: Dakord.
P: Mos qëndro më shumë se 6 muaj herën tjetër…
Q: Jo.
P: Kur të të pyes ku shkon, thuaj në Igumenicë.
Q: Në Igumenicë po shkoj.
P: Thuaj në Igumenicë dhe mbarojmë punë.
(lajmi është marrë nga IEFIMERIDA)
Komente
