Policia e Gjirokastër

Kronikë

Zbardhet abuzimi me 16-vjeçaren në Këlcyrë! Arrestohen 3 persona, 1 tjetër në kërkim

18 Shtator, 15:35| Përditesimi: 18 Shtator, 16:00

  • Share

1758202604_policiaegjirokastr.jpg

Prokuroria e Gjirokastrës, Policia dhe AMP kanë zbardhur rastin e rëndë të abuzimit të një 16-vjeçareje në Këlcyrë të Përmetit, ku rezultojnë të jenë të përfshirë edhe dy policë.

Kështu, Prokuroria ka lëshuar 4 urdhra-arresti në total, prej të cilëve janë arrestuar 3 persona, ndërsa një i katërt në kërkim.

Policët e përfshirë janë P.B. 55 vjeç, njerku i vajzës, dhe Artur Ago 53 vjeç. Ky i fundit është i shpallur në kërkim dhe dyshohet se është larguar drejt Greqisë.

Ndërkohë, dy personat e tjerë të arrestuar janë Kristian Prifti 46 vjeç dhe shoku i tij Isi Pasho 27 vjeç. 46-vjeçari Kristian Prifti dyshohet se ka pasur lidhje intime me të miturën 16-vjeçare.

Nga hetimet ka rezultuar se njerku i vajzës, polici 55-vjeçar, ka abuzuar seksualisht me thjeshtrën prej 3 vitesh, kur e mitura ka qenë 13 vjeç.

46-vjeçari Kristian Prifti, së bashku me shokun e tij Isi Pasho, kanë shantazhuar njerkun e 16-vjeçares duke pretenduar se kanë një video intime të tij me të miturën, dhe për të mos e publikuar, i kërkonin 1 milion lekë.

Ndërkohë, polici tjetër, Artur Ago 53 vjeç dyshohet se ka ngacmuar seksualisht 16-vjeçaren.

Njoftimi i Prokurorisë Gjirokastër:

Katër urdhra ndalimi, lidhur me ngjarjen e datës 17.09.2025

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër më datën 17.09.2025, ka marrë dijeni nga ana e punonjësve të policisë AMP Drejtoria Vlorë – Gjirokastër dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, se një media lokale dispononte një material video ku dallohej një punonjës policie gjatë një bisede me një shtetase të mitur, gjatë së cilës kryente veprime me natyre seksuale.

Nën drejtimin e Prokurorisë është krijuar menjëherë grupi hetimor i përbërë nga dy prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë, oficerë të AMP-së dhe oficerë të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nga ana e së cilëve është bërë e mundur brenda disa orësh zbardhja e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimi i gjithë personave të dyshuar.

Ka rezultuar gjatë veprimeve hetimore paraprake se shtetasit I.P., 26 vjeç dhe K.P. alias E.P. 46 vjeç, në bashkëpunim midis tyre, kanë ushtruar presion ndaj një shtetaseje të mitur, duke e kërcënuar këtë shtetase dhe detyruar të zhvillonte një video regjistrim në muajin Gusht 2025, me shtetasin A.A. punonjës policie, ku shfaqej ky shtetas në momente intime. Këta dy shtetas në vijim, duke përdorur dhe shtetasen e mitur, kanë kanosur punonjësin e policisë, për publikimin e videos në një emision investigativ dhe i kanë kërkuar këtij shtetasi një shumë prej 12 000 Euro për mospublikimin e videos. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore është konstatuar dhe një rast tjetër ngacmimi seksual ndaj një shtetaseje të mitur, me të dyshuar një tjetër punonjës policie.

Për sa më sipër, sot më datë 18.09.2025, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër janë lëshuar katër urdhra ndalimi për shtetasit I.P., 26 vjeç dhe K.P., alias E.P, 46, persona nën hetim për veprën penale “Shtrëngimi me anën e kanosjes për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b dhe 25 të Kodit Penal dhe për shtetasit A.A. dhe P.B. të dy punonjës policie, persona nën hetim për veprën penale “Ngacmimi seksual”, parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal. Nga ana e Policisë janë ekzekutuar deri më tani tre urdhra ndalimi.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, kërkon mirëkuptimin e medias dhe shtetasve të tjerë për mospublikimin e gjeneraliteteve apo inicaleve së viktimës së mitur të veprës penale, pasi publikimi i gjeneraliteteve që mund të identifikojnë viktimën e mitur, përbën vepër penale, sipas parashikimeve të dispozitave të Kodit për Drejtësinë Penale për të Mitur dhe Kodit Penal.

Njoftimi i Policisë Gjirokastër:

Duke marrë indicie nga një postim në rrjetin social Facebook, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër filluan verifikimet dhe si rezultat u identifikuan personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Duke qenë se kishte dyshime se ishin të përfshirë edhe punonjës policie, është kërkuar bashkëpunimi i strukturave Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, në bashkëpunim me AMP-në, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar personat e dyshuar dhe dëshmitarë në ambientet e DVP Gjirokastër.

Në vijim të hetimeve për këtë rast, në zbatim të urdhrave të prokurorit:

-u vu në pranga njerku i 16-vjeçares, shtetasi P. B., 55 vjeç, banues në Këlcyrë, punonjës i Komisariatit të Policisë Përmet, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, për rreth 3 vjet, të miturën;

-u vunë në pranga shtetasi K. P., 46 vjeç (i cili dyshohet se ka pasur lidhje intime me 16-vjeçaren) dhe shoku i tij, shtetasi I. P., 27 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, pasi dyshohet se kanë kanosur 55-vjeçarin, që t’iu jepte 1 000 000 lekë, për të mos i publikuar video me përmbajtje intime. 46-vjeçari u kap në Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2;

-u shpall në kërkim shtetasi A. A., 53 vjeç, banues në Këlcyrë, punonjës i Komisariatit të Policisë Tepelenë (të cilit i referohet informacioni i postuar në rrjete sociale), pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht 16-vjeçaren. Punohet intensivisht, në bashkëpunim me homologët grekë, për lokalizimin dhe kapjen e 53-vjeçarit, i cili nga verifikimet rezultoi se është në Greqi.

Gjithashtu, në lidhje me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor P. B., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Inspektor A. A., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Tepelenë.

Më tej, me qëllim trajtimin e plotë ligjor dhe të paanshëm të këtij rasti, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetim disiplinor për të dy punonjësit e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularë.

E mitura aktualisht është në kujdesin e familjarëve të saj, si dhe në monitorim të vazhdueshëm të psikologes.

Në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me AMP-në, Policia e Gjirokastrës vijon hetime të thelluara për të individualizuar dhe provuar përgjegjësinë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


Lajmi kryesor:

Histori rrëqethëse në Këlcyrë/ Njerku polic dhe kolegu i tij abuzim seksual me 16-vjeçaren, shantazhohen nga persona të tjerë për lidhjen intime! 3 në pranga e 1 në kërkim


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?