TIRANË- Denis Tahiri, 23 vjeç, dyshohet si organizatori i atentatit me dy të plagosur në një lokal në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ngjarje kjo e 3 shtatorit të këtij viti. I riu, me banim në Kamzë, ka pasur edhe rolin e qitësit në atentatin e dështuar ku mbetën të lënduar Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi. Gati dy muaj pas ngjarjes, Policia e Tiranës mundi të zbardhë atentatin dhe të shpallë në kërkim të riun, i cili gjatë operacionit të orëve të para të mëngjesit nuk u gjet në banesë.
Për të, Gjykata e Tiranës caktoi masë “arrest në burg” në mungesë për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Burime pranë policisë thonë se ndaj Tahirit janë gjetur prova konkrete, të cilat bindën gjykatën për të dhënë vendimin e masës në mungesë. Blutë po punojnë për identifikimin e autorëve të tjerë të atentatit, bashkëpunëtorë të Tahirit.
Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, po pinin kafe në verandën e lokalit në afërsi të OSHEE-së, kur nga një makinë u qëllua drejt tyre. Elezaj, 45 vjeç, u plagos në krah dhe në mushkëri, ndërsa Metushin 22 vjeç, plumbi e kapi në këmbë. Autorët që mendohet se ishin 3, fillimisht lëvizën pranë lokalit për t’u bindur se shënjestra ishte aty, pak minuta më vonë u rikthyen dhe qëlluan me 7 plumba drejt tyre. Pas krimit dogjën makinën në dalje të Kamzës, brenda së cilës u gjet pistoleta me silenciator.
Makina tip “Golf 5” e shkrumbuar që u përdor në krim hyri në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës në Kukës. Shkëmbimi i informacioneve me palën kosovare mësohet se ka qenë vendimtar për zbardhjen e identitetit të njërit prej agresorëve. Shkaku i atentati akoma mbetet i paqartë, por e shkuara kriminale e njërit prej të plagosurve, Kastriot Elezaj, i dënuar më parë për prostitucion në Itali, ka qenë një prej pistave kryesore të hetimeve.
Njoftimi i policisë
Në vijim të njoftimit për ngjarjen e datës 03.09.2024, në një lokal afër xhamisë në Don Bosko, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, ju informojmë si më poshtë: Për hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga prokurori.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal "Arrest në burg", në mungesë, ndaj shtetasit Denis Tahiri, 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.