Debati në KLD, Gjin Gjoni: Jo shkarkime. Gjonaj: KLD me dy standarde, ja kush i mbron gjyqtarët

26 Qershor 2018, 07:26| Përditesimi: 26 Qershor 2018, 10:53

  • Share

Kërkesa për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Ahmet Jangulli, për zvarritje gjykimi në 5 çështje administrative, është kthyer në ‘mollë sherri’ mes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe gjyqtarit Gjin Gjoni, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjin Gjoni dhe një grup anëtarësh të KLD kanë mundësuar rrëzimin e të gjitha kërkesave të ministres Gjonaj, për shkarkim të gjyqtarëve, për shkelje të rënda në detyrë, me pretendimin se masa të tilla disiplinore nuk janë në kompetencë të KLD.

Në mbledhjen e datës 16 qershor, anëtarët e KLD, Gjin Gjoni, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Ridvan Hado, Neritan Cena, Astrit Haxhialushi dhe Gerd Hoxha kanë votuar kundër kërkesës së ministres Gjonaj për shkarkimin e gjyqtarit Ahmet Jangulli. Ndërsa, vetë zonja Gjonaj, presidenti Ilir Meta, njëherësh kryetar i KLD dhe anëtari Vangjel Kosta kanë votuar pro shkarkimit të gjyqtarit.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori nuk ka preferuar të marrë pjesë në votim. Para votimit, Etilda Gjonaj dhe Gjin Gjoni janë përfshirë në një debat mbi kompetencat e KLD për shkarkimin e gjyqtarëve dhe kompetencat e ministres së Drejtësisë për t’i propozuar KLD shkarkimin e gjyqtarëve.

Si Gjin Gjoni, ashtu edhe ministrja Gjonaj kanë sjellë referenca ligjor për të mbështetur qëndrimin e tyre. Debati ka vijuar me interpretime ligjesh dhe vendimesh të Gjykatës Kushtetuese, deri sa ka ndërhyrë kreu i KLD, Ilir Meta. Sipas shumicës së anëtarëve, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re dhe të ligjeve të reja për pushtetin gjyqësor, KLD nuk ka më tagër ligjor për të shkarkuar gjyqtarët.


( Kliko këtu ) për proçesverbalin e plotë të mbledhjes së KLD )

Debati në KLD për shkarkimin e gjyqtarëve 
-Etilda Gjonaj:
Atëherë, me shkresën e datës 21.02.2018, ministri i Drejtësisë i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë propozimin për marrjen e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për gjyqtarin Ahmet Jangulli. Propozimi për marrjen e masës disiplinore ka ardhur në vijim të konstatimeve të dala nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektorati i KLD-së, i cili bazuar në urdhrin e verifikimit datë 04.03.2016 ka verifikuar ankesën e paraqitur nga Drejtoria e Policisë së Shtetit ndaj veprimtarisë së gjyqtarit Ahmet Jangulli të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër për zvarritje gjykimi në 5 çështje administrative. Në përfundim të verifikimit të kryer, Inspektorati i KLD-së, me relacionin e datës 26.04.2017 ka konkluduar se gjyqtari Ahmet Jangulli ka shkelur në mënyrë të pajustifikuar dhe të përsëritur, dispozitat urdhëruese procedurale, duke cenuar procesin e rregullt ligjor. Përfundimisht, bazuar në relacionin përcjellë edhe nga Inspektorati i KLD-së dhe nenit 140, paragrafi 2/a i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 160, paragrafi 1/c i ligjit 96/2016, ministri i Drejtësisë, i propozon këtij Këshilli vendosjen e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” të gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Ahmet Jangulli.

-Ahmet Jangulli: Në materialin, pra siç ju thashë, ka propozim dhe nuk ka proces të zhvilluar, pra unë nuk di se ka filluar procesi. Në materialin përkatës nisur nga shkresa e mësipërme, ministrja e Drejtësisë ka arritur në konkluzionin se, ka propozuar duke u bazuar në normat kushtetuese për shkarkimin e gjyqtarit, gjë e cila nuk është në tagrin e ministres, por ka përdorur normat duke trajtuar juridikisht fjalët e legjislacionit të vjetër. Janë trajtuar si shkelje “shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës” dhe ky juridiksion, pra këto fjalë, nuk gjenden në normën kushtetuese. Për efekt të legjislacionit, pra kemi patur në fuqi ligjin 9877/2008, ligjin 8811/2001 dhe aktet nënligjore, Rregulloren e Inspektoratit të KLD-së dhe Rregulloren për procedim disiplinor. Sot nuk i kemi aktet nënligjore, kemi vetëm ligjin 8811/2001 dhe ligjin 96/2016. I trajtoj këto në kuadrin e dy mundësive për KLD-në. Së pari, se ka vend dhe mendoj që mos të shqyrtohet, pra të mbyllet procedimi për këto arsye: Hetimi disiplinor nga Inspektorati i KLD-së është kryer mbi bazën e legjislacionit të shfuqizuar, por nuk ka përfunduar brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e por nuk ka përfunduar brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.  Procedimi disiplinor, duke e marrë si të tillë me ralacionin e datës 26.04.2017 që është relatuar nga IKLD-së, nuk ka përfunduar, nuk është kryer brenda afatit 6-mujor dhe në këto rrethana, ky procedim, nuk mund të shqyrtohet mbi bazën e këtij ligji. Nga ministrja e Drejtësisë është propozuar një masë disiplinore nëpërmjet shkarkimit kushtetues për gjyqtarin, gjë e cila nuk është as kushtetuese dhe as ligjore. Në këto rrethana ky procedim nuk mund të shqyrtohet. Përgjegjësia disiplinore, sipas Kushtetutës, është vetëm sipas ligjit neni 140, pika 1 e Kushtetutës dhe në këtë drejtim nuk mund të ketë përgjegjësi disiplinore sipas Kushtetutës, duke zbatuar direkt normat kushtetuese për shkarkim kushtetues. Ministrja e Drejtësisë ka të drejtën për të propozuar masë disiplinore vetëm mbi bazën e ligjit, ligj të cilin nuk e kemi për fatin e keq...

-Gjin Gjoni: Dhe pyetja e katërt që ka të bëjë: Juve jeni në radhën e parë të procesit të Vettingut për shkak të pozicionit si anëtar i KED-së?

-Ahmet Jangulli: Po, jam.

-Gjin Gjoni: Ju është mbledhur dokumentacioni në lidhje me këtë çështje?

-Ahmet Jangulli: Po, është mbledhur dokumentacioni dhe ka vazhduar gjithçka puna. Ndoshta pritet nga dita në ditë që të vijë data. 

-Gjin Gjoni: Unë diskutimin tim do e nis nga neni 172 i legjislacionit, i ligjit “Për statusin e gjyqtarëve”. Hetimet disiplinore të papërfunduara, -thotë neni 172 “Dispozitat kalimtare” për procedimet disiplinore, -në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nga Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, përfundon tre muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas dispozitave në fuqi, para hyrjes në fuqi të këtij ligji.  Çfarë thotë pjesa 5? Dhe hajde të shkojmë tek Kreu 5 – “Pezullimi i detyruar; Pezullimi mbi bazë diskrecioni; Fillimi i procedimit të pezullimit; Njoftimet për Këshill; Vendimet e pezullimit dhe ankimet; Kufijtë e kohëzgjatjes së pezullimit; Pezullimi i pagës dhe përfitimet e tjera”. Këtë thotë ligji. Në cilën prej këtyre dispozitave, parashikuar neni 160, pika /c/, ministrja e Drejtësisë ka të drejtë që të vijë përpara nesh me këtë propozim? Këtë propozim, po t‟i referohesh dispozitave kalimtare, mund ta bënte Kryeinspektorja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë derisa të krijohet Inspektorati i Lartë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ta lexonte. Dhe ne kemi qenë me tre ministra paraardhës, me zotin Manjani, me zotin Vasili dhe me z. Bardhi, të cilët nga shkurti i 2016, që ka qenë afati përfundimtar i procedimeve disiplinore, të cilët kanë qenë në procedim por që ishte afati 3-mujor, këta zotërinjtë nuk propozonin më as edhe një masë disiplinore dhe propozimi bëhej nga anëtarët e Këshillit mbi bazën... Pse doli kjo procedurë? – Sepse ministrja e Drejtësisë duhet patjetër që të marrë pjesë në votim njësoj si të gjithë anëtarët e KLD-së dhe nuk mund të vijë me një propozim sepse kjo kompetencë i ka ikur që në shkurt të 2016, dhe këtë e thotë ligji, nuk
e them unë.

-Etilda Gjonaj: Në radhë të parë, lidhur me referimin e nenit 172, pika 2, thuhet që procedimet disiplinore të papërfunduara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose në Prokurorinë e Përgjithshme, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kryhen brenda afatit 6-mujor, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Dhe organet përgjegjëse, sipas nenit 160 të këtij ligji, zbatohen rregullat procedurale të parashikuara në këtë ligj. Fakti që KLD-ja nuk ka marrë vendim, nuk ka shqyrtuar raportin e Inspektoratit, pra të një hetimi të papërfunduar ose që ka qenë i papërfunduar në momentin që ky ligj ka hyrë në fuqi, kjo nuk do të thotë që ne duhet ta lemë pa shqyrtuar. Dhe për sa i përket pjesës 5, Kreu 1 të këtij ligji, zoti Gjoni iu referua në mënyrë të gabuar, se në fakt, pjesa 5, Kreu 1 i ligjit flet për përgjegjësinë disiplinore civile dhe penale dhe ne e kemi interpretuar shumë herët edhe në mbledhje të mëparshme, ku kemi thënë që, për sa kohë që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar këtë pjesë të shkeljeve disiplinore, atëherë ne i referohemi nenit 140 të Kushtetutës dhe kjo është një gjë që është thënë dhe është në zbatim dhe në interpretimin më të drejtë të ligjit. Kështu që, ministri i Drejtësisë ka të drejtë të bëjë propozimet për masat disiplinore në bazë të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe Kushtetutës, neni 140, paragrafi i dytë.

Gjin Gjoni: Unë i lexova të dy dispozitat dhe normalisht, secili prej nesh është jurist dhe të paktën i kupton dispozitat ligjore. Unë nuk mendoj dhe e them, e përsëris, që ky Këshill i Lartë i Drejtësisë ka ndryshuar qëndrim në lidhje me tre ministrat paraardhës, dhe e njëjta procedurë që po kërkoj unë, është zbatuar nga tre ministrat paraardhës. E vetmja procedurë që na ndryshoi është me ministren aktuale. Në rast se ka ndonjë ndryshim dhe kjo KLD e lexon herë ligjin kur ishte z. Vasili ministër dhe herë ligjin ndryshe kur është zonja Gjonaj këtu në KLD, kjo është çështje konceptimi pastaj. Por KLD-ja ka marrë ca qëndrime. Sa i përket, në lidhje me KLD-në, prandaj kjo KLD ndoshta ka qenë një çikë e ngurtë dhe më vjen keq që sot Gjykata e Lartë nuk është në funksion, por duhet të them që, kjo KLD ka hequr nja 10-15 gjyqtarë gjatë periudhës që ka qenë. Të gjithë gjyqtarët sot i ke në detyrë për shkak të vendimeve të KLD-së, për shkak të këtyre procedurave. Sepse ana procedurale është elementi bazë, e cila çon në arritjen e konkluzionit përpara gjykatave më të larta. 

-Etilda Gjonaj: Duhet, njëkohësisht, si të zbatojmë vendimet e gjykatës, të zbatojmë edhe vendimin 34 të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017, që ka të bëjë me interpretimin vazhdues të kompetencave të KLD-së për vendimmarrjen sipas kompetencave të nenit 160 “Dispozitat tranzitore”. Ne kemi më shumë se 5 seanca që diskutojmë dhe marrim vendime në bazë të propozimeve të ministrit të Drejtësisë me këtë bazë ligjore. Nuk e kuptoj cili është ndryshimi kaq i madh nga ju zoti Gjoni që pas 5 seancave që ne kemi kryer – jo, nuk keni pasur këtë qëndrim – pas 5 seancave që kemi kryer, rezulton që nuk paska kompetencë ministri i Drejtësisë, kur është shprehur qartësisht, si tek neni 172, si tek 160-ta, si tek kreu që ju përmendët, Kreu 5 që e referon neni 160, që ministri i Drejtësisë propozon në bazë të raportit të Inspektoratit dhe nuk ka asnjë edhe një lloj lidhje fakti që gjyqtari përkatës është pjesë apo do të kalojë procesin e Vettingut pas 2 javësh apo pas 3 javësh. Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të kryejë kompetencat e tij, detyrat e tij, ashtu si edhe duhet të vijë në mbledhje kur lihet për t‟u bërë mbledhja, ashtu si edhe për të bërë deklarata secili nga ne e ka të gjithë të drejtën, edhe kur dilni ju jashtë kësaj salle, ashtu siç kur dal unë. 

-Gjin Gjoni: Vetëm sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në rast se do i referohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese, hajde ta zbatojmë motamo vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në qoftë se thotë që marrin të gjitha kompetencat, hajde bëjmë edhe emërimet e gjyqtarëve sot dhe të marrim kompetencat që ka Këshilli. Por jo ato kompetenca që doni juve t‟i marrim dhe ato kompetenca që t‟i jep vendimi mos t‟i marrim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet interpretuar ashtu siç e ka shkruar Gjykata Kushtetuese.

-Etilda Gjonaj: Kompetenca i keni shumë të qarta, neni 160, ligji “Për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit”.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • erma: 26/06/2018 11:18

    rrace muti, plerat qe ropen ket vend!!!

    Përgjigju
  • redi: 26/06/2018 10:17

    Ka disa here qe KLD nuk merr asnje mase kunder gjygjtareve per pune jo te mire , dhe justifikimi i disa anetareve , bllokues te vetingut me ne krye Gjin Gjonin dhe Gert Hoxhen justifikohen , se ne ndryshimet kushtetuese KLD nuk ka te drejte te marre masa disiplinore . Atehere juridikisht anetaret e saj kane te drejte , por KLD automatikisht duhet te shkrihet, se qenia e saj eshte informale dhe nuk kryen funksionin kushtetues

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?