Zbardhet dosja, banda e Pogradecit terror në 'Volorekë', 82 plumba mbi 7 makina e dhomës ku flinte Johan Muçllari

26 Gusht 2020, 18:14| Përditesimi: 26 Gusht 2020, 18:19

  • Share

Zbardhet dosja e bandës së Pogradecit, që terrorizoi pushuesit në zonën turistike të Volorekës, ngjarje e ndodhur në 8 gusht 2020 në hotel “Voloreka”. Plot 82 gëzhoja automatiku, policia ka sekuestruar në vendngjarje, ku autorët kanë lëshuar disa breshëri në drejtim të 7 automjeteve dhe hotelit “Voloreka”, ku flinte Johan Muçllari, djali i pronarit të këtij biznesi. Fatmirësisht nga 82 plumbat e lëshuar, nuk ka patur asnjë person të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.

“Shqiptarja.com”, ka mundur të sigurojë të plotë relacionin e policisë për këto ngjarje, ku tregohet me imtësi se çfarë ndodhi në javën e parë të gushtit në pikën turistike të “Volorekës”. Policia dhe prokuroria e Pogradecit, ka arritur të zbardhi me shpejtësi këtë ngjarje të rëndë që tronditi pushuesit në Pogradec, kjo pasi ngjarja ishte pasuar nga një konflikt zinxhir mes anëtarëve të grupit të Ilir Berberit dhe Mariglen Topozit si dhe babë e bir Jetmir e Johan Muçllarit, pronarë të hotel “Voloreka”. Shtatë ditë nga goditja me 82 plumba në drejtim të biznesit të familjes Muçllari, policia në datën 1 gusht 2020 kishte regjistruar një ngjarje tjetër në këtë hotel, ku dinamika e kryerjes së krimit ka qenë e njëjtë me atë që ndodhi në mesnatën e 8 gushtit 2020. Dy persona me motor, janë afruar në 1 gusht pranë hotel “Voloreka” dhe kanë qëlluar plot tre herë. Kjo vërtetohet nga pamjet filmike dhe sekuestrimi në vendngjarje i tre gëzhojave.

Teksa policia ishte në kryerje e sipër të hetimeve për ngjarjen e 1 gushtit, në 8 gusht shënohet rasti i dytë në po të njëjtin vend. Shumë shpejt, një grup oficerët të Drejtorisë së Policisë Qarkut Korçë, të mbështetur dhe nga prokuroria e Pogradecit, ka arritur të identifikojë dhe lokalizojë disa persona të dyshuar si organizatorë dhe ekzekutues të këtyre dy ngjarjeve kriminale, të ndodhura në “Volorekë”. Mes personave të arrestuar janë Ilir Berberi ose “Liri i Rushkës”, Meard Berberi ose “Koro”, Anterio Kaloshi, ky i fundit mik i Orgest Bilbilit dhe konsiderohet si personi që kishte strehuar Bilbilin në një shtëpi me qira në Tiranë, në zonën e Xhamllikut, ngjarje për të cilën ai ishte shpallur në kërkim me një vendim të gjykatës së Tiranës. Ilir Berberi hiqej si polic, duke mbajtur me vete një mjet identifikuar nga uniformat blu, e ndërsa Meard si avokat. Dy dokumentet e falsifikuara u gjetën nga policia, në mesin e arsenalit të armëve që ishin të fshehura në garazhin e Ervin Kalajës, ku fshihej prej Meard Berberi. Maerd Berberi është gjithashtu person që oficerët e OFL-së, i kërkuan në 22 maj 2020, të deklarojë pasurinë e familjes, pasi dyshohet se e disponon nga të ardhura kriminale. Në sistemin e bizneseve Meardi Berberi nuk rezulton me kompani, por nëna e tij Medije Berberi, prej muajit Shkurt 2016, disponon një pasuri, bar-restorant dhe hotel që ndodhet në qytetin e Pogradecit. Ky biznes quhet “Era” dhe ndodhet pikërisht në rrugën “Dëshmorët e Pojskës”. Berberi, rezulton i dënuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu Berberi ka qenë edhe pjesë e strukturave vendore të bashkisë së Pogradec, ku ishte i punësuar pranë Ujësjellës Kanalizimeve. Nga ana tjetër në 2016, ai u përfshi në një konflikt me kreun e Ujësjellësit të këtij qyteti, pasi ky i fundit e uli në detyrë Berberin, nga drejtor juridik në një punonjës të thjeshtë. Vendim ky që nxiti më pas një konflikt mes kreut të Ujësjellës-Kanalizimeve, Marsel Isallari dhe Berberit, ku ky i fundit e kërcënoi atë me jetë. Gjithashtu në pranga ka rënë Mariglen Topuzi ndaj të cilit gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” 30 ditor, Ilir Meçolli, Ardian Xhuti, Elvir Haxhia ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” 40 ditor. Po kështu gjatë operacionit është arrestuar dhe Ervin Kalaja, për akuzën e “Moskallëzimit të Krimit”. “Shqiptarja.com”, ka mundur të sigurojë të plotë relacionin e policisë për këto ngjarje, ku tregohet me imtësi se çfarë ndodhi në javën e parë të gushtit në pikën turistike të “Volorekës” në Pogradec. Sipas dokumentacionit tregohet se rreth orës 4:40 të mëngjesit të 8 gushtit 2020 në sallën operative të komisariatit Pogradec, është njoftuar se në vendin e quajtur “Drilon” pranë Hotel “Voloreka”, ka të shtëna me armë.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë konstatuar mjete të dëmtuara me armë zjarri si dhe është vërejtur se është qëlluar edhe në drejtim të hotelit, konkretisht në pjesën përballë rrugës, ku në katin e 3-të të godinës është vërejtur se është qëlluar në drejtim të njëres prej dhomave. Nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar se pikërisht në këtë dhomë qëndronte Johan Muçllari, djali i pronarit të hotelit. Nga këqyrja e kamerave të hotel “Voloreka” rezulton se në orën 04:40 në parkimin e hotelit është afruar një person i cili vërehet që i bën me dorë një personi tjetër, që të dalë përpara ndërsa vetë ky person afrohet pranë vendit, ku ishin të parkuara automjetet e Jetmir Muçllari dhe djalit të tij, Johan Muçllari.

Sipas relacionit personi që afrohet vërehet të ketë në dorë një armë zjarri, me të cilën qëllon disa herë në drejtim të këtyre mjeteve dhe më pas duke u larguar qëllon edhe në drejtim të automjeteve të tjera, që janë në këtë parkim. Policia ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe janë sekuestruar plot 82 gëzhoja si në parkimin dhe në pjesën e përparme të hotelit. Gjithashtu nga kontrolli i vendngjarjes, vërehen 7 automjete të dëmtuara si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Dy nga këto mjete janë të babë e bir, Jetmir dhe Johan Muçllari. Duke ju referuar gjithmonë këtij relacioni, thuhet se:“…Jetmir Muçllari dhe djali i tij Johani, kanë patur edhe më parë konflikte me Meardi Berberi, Bledar Berberi, Mariglen Topuzi dhe lidhje të tyre si Brian Syzo, Altedi Jolldashi e persona të tjerë…”. Ndërsa më datën 1 gusht 2020 po në hotel “Voloreka” janë afruar 2 persona me motor, të cilët kanë tentuar për të qëlluar me armë zjarri dhe nga kqyrja e vendit të ngjarjes, janë sekuestruar 3 fishekë me kapsollë të goditur.

Pronari i hotelit, Jetmir Muçllari,rezulton të ketë deklaruar për këto dy ngjarje se:”…rreth dy vjet me parë djali im, ka patur një konflikt me Andrea Pilinçin, Meardi Berberi dhe Mariglen Topuzin dhe djalit tim, i hodhën sprajt në fytyrë. Për këtë gjë është bërë denoncim në polici…”. Ndërsa një vit me parë, pikërisht më datë 1 gusht 2019, djalit të pronarit të hotel “Voloreka” i është djegur një makinë. Për këtë ngjarje nga kamerat filmike ka dalë që dy persona kanë shkuar t’i djegin makinën dhe njëri prej tyre që kishte fytyrën e zbuluar është identifikuar si Mariglen Topuzi ndërsa personi tjetër që ishte me të kishte fytyrën e mbuluar dhe nuk është gjetur nga policia. Jetmir Muçlari, ka sqaruar ndër të tjera se:“…Mariglen Topuzi është lidhje shoqërore e Meardi Berberi ose siç njihet ndryshe në Pogradec me nofkën “Koro…”. Me gjithë hetimet që janë bërë nuk është bërë dot i mundur identifikimi të personit të dytë, për ngjarjen e djegies së makinës. Ndërsa Mariglen Topuzi, sipas policisë është dënuar dhe ka dalë nga burgu rreth 2 muaj më parë. Në kohën që zhvillohej gjyqi ndaj Mariglen Topuzit në Pogradec, thuhet se Jetmir Muçllari, është thirrur nga gjykata në cilësinë e dëshmitarit për t’u paraqitur në 10 shkurt 2020 dhe në kohën që ka shkuar para gjykatës së bashku me djalin e hallës, Ymer Minga, i kanë dalë rreth 30 persona të cilët dolën qëllimisht për të mos e lënë që të futej në gjyq për të dëshmuar për personin e tyre, Mariglen Topuzi.

Disa nga personat që ka njohur dhe që më pas i ka denoncuar në polici për këtë ngjarje janë Ilir Berberi, Meardi Berberi dhe një grup rreth 30 të tjerë në mbështetje të tyre. Për këtë rast ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë Korçë. Pronari i hotel “Voloreka”, Jetmiri ndër të tjera ka sqaruar se edhe në dy raste ku persona të maskuar kanë ardhur për të qëlluar me datë 1 gusht 2020 dhe më datë 8 gusht 2020 që arritën të qëllonin drejt hotelit “Voloreka”, janë persona të porositur nga Meardi Berberi dhe Ilir Berberi, pasi nuk ka konflikte me asnjë person tjetër.

Jetmiri, ka dyshuar se në këtë ngjarje ka marrë pjesë Mariglen Topuzi, pasi ka karakteristikat trupore dhe ecja e personit që shfaqet në kamerat e sigurisë, personi sipas Jetmir Muçlarit ngjason me Mariglen Topuzin. Nisur nga këto dyshime është thirrur në polici, marrë në pyetje dhe më pas arrestuar Mariglen Topuzi.

Në dëshminë e tij para policisë Topuzi, ka treguar ndër të tjera “…unë kam qenë në burg për djegien e makinës së djalit të Jetmirit dhe që nga koha që kam dalë nga burgu, nuk kam patur fare kontakt me Jetmir Muçllarin apo me familjarë të tij…”. Marigleni, deklaron se nuk ka lidhje me ngjarjen, madje është përpjekur që mos të ketë kontakt me anëtarë të familjes Muçllari, pasi siç ka dëgjuar nga njerëz të tjerë Jetmiri është shprehur se:“…nuk do ja fal për atë çfarë ka bërë, edhe në varr do ta fus… ”. Kjo është arsyeja përse unë nuk ka kontakte me të apo me njerëz të tij, pasi siç kam dëgjuar ai do hakmerret për shkak të veprimit tim, për djegien e makinës…”. Pavarësisht këtij pretendimi gjykata e Pogradecit, ka caktuar masën e arrestit në burg me afat 30 ditor për Mariglen Topuzin, afat ky që do shërbejë në ardhjen e konkluzioneve të ADN-së, që prokuroria ka kërkuar për këtë të arrestuar.

Komento

Komente

  • T - bone: 27/08/2020 08:18

    ç'jane keta ordinera mor aman dalin 30 veta si ne far west "Ta futem por mos shko ne prokurori" sa per dijeni ketuj Valterit keta shoket i kanr hyre dhe ne shtepi i kane vjedhur Kasaforten...

    Përgjigju
  • cadra pistolet: 26/08/2020 21:28

    Po VALTER GORA, ish drejtori i Ujesjellsit Pogradec (zyrtar i PS-se), do te hetohet per futjen e gjithe ketyre horrave ne pune? Rasti me flagrant eshte punesimi i te famekeqit KORO (Meard Berberi) si drejtor Juridik i ndermarrjes !! A i di te gjitha keto kryerilindasi yne i dashur?!

    Përgjigju
    • loku mirdit: 27/08/2020 00:11

      kaq famkeq qeka ky tipi ka*i a koro ca e ka. Ekisha marr me shpulla

    • Bossi: 26/08/2020 23:43

      Jan Te gjith drejtoret e administarates mjellosha e bundra ,, po Kur flasin si kopetenta dhe te fort , tja shk,,,sh rracen , Po hajt se dardha e ka bishtin mbrapa ...

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?