Policia ka zbardhur grabitjen e ndodhur ditën e djeshme, ku u raportua për grabitjen me dhunë të një karburanti në autostradën Tiranë-Durrës. Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ka qenë menaxheri i karburantit i cili ka sajuar të gjithë ngjarjen, pasi kishte humbur paratë duke luajtur lojëra fati.
Në pranga ka rënë Gert Farruku 23 vjeç, menaxheri i karburantit dhe Arsid Haxhia 22 vjeç, pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fati, ku Farruku kishte humbur lekët duke luajtur.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se Farruku, për një periudhë 2-mujore, ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi. Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi ai i ka luajtur në lotari në lokalin e Haxhias, i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga 23-vjeçari. Më pas Farruku dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë borxhet që ka patur në loto.
Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale "Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën" në ngarkim të shtetasit G. F., dhe "Organizimi i lotarive të palejuara" në ngarkim të shtetasit A. H.