Policia e Korçës ka zbardhur plagosjen e 28-vjeçarit Ari Kodra një ditë më parë në fshatin Mollas, i cili u godit me thikë.
Blutë kanë arrestuar autorin Aleks Qiqi 41 vjeç, të akuzuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, dëmtime të tjera me dashje dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta.
Policia ka arrestuar edhe 4 persona të tjerë, shokë të të plagosurit, të cilët dhunuan duke e goditur me grushte autorin pasi ky i fundit kishte goditur me thikë Aleks Qiqin.
Ata janë Isuf Dalip 45 vjeç, Thanas Paskali 47 vjeç, Dhimitër Kodra 47 vjeç Bilal Shkëmbi 33 vjeç, të gjithë të akuzuar për plagosje të rëndë me dashje.
Ndërkohë, i plagosuri ndodhet në spital dhe raportohet që të jetë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë së Korçës:
Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, u zbardh dinamika e plagosjes së 28-vjeçarit, të ndodhur dje, në fshatin Mollaj, nga një 41-vjeçar.
Vihet në pranga 41-vjeçari, autori i dyshuar i ngjarjes, i cili ka mbetur i dëmtuar gjatë konfliktit. Ai ka marrë dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Vihen në pranga edhe 4 shtetas të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë për të ndihmuar 28-vjeçarin dhe kanë dhunuar autorin e ngjarjes.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, të ndodhur më datë 15.08.2025, në fshatin Mollaj, Korçë.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas njoftimit të marrë, se në fshatin Mollaj kishte pasur një konflikt për motive të dobëta, ku kishte mbetur i dëmtuar një 28-vjeçar me mjet prerës (thikë), i cili u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 41-vjeçarit, si autor i dyshuar i ngjarjes, konkretisht shtetasin:
A. Q., 41 vjeç, banues në fshatin Mollaj, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, bazuar dhe në pamjet filmike, u bë zbardhja e plotë e ngjarjes, ku u vendosën në pranga edhe 4 shtetas të tjerë, I. D., 45 vjeç, Th. P., 47 vjeç, Dh. K., 47 vjeç, dhe B. S., 33 vjeç, banues në fshatin Mollaj, të dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërhyrë menjëherë pasi 41-vjeçari plagosi shtetasin A. K., duke e goditur me grushta autorin e plagosjes dhe duke i shkaktuar plagë në pjesën e kokës dhe të trupit.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan mjeti prerës (thikë), 1 aparat celular dhe pamjet filmike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente
