Automjetet "Toyota" ku u gjetën eurot

Zbardhet skema e plotë/Si mbërritën 3.4 mln euro me “Toyota” në Portin e Durrësit, porositësit

25 Qershor 2018, 18:01| Përditesimi: 28 Qershor 2018, 12:10

  • Share

Zbardhet skema e plotë se si mbërritën në Shqipëri 3. 4 milionë euro dhe personat e përfshirë. Deri më tani janë arrestuar katër persona Edi Lika, Klevis Lika dhe Agim Cekaj janë personat që kanë kryer transportin e mjeteve që rezultojnë të jenë blerë në Gjermani në emër të Alban Mollaymerit për porosi të dy shtetasve Alfred Vladi dhe Elvis Vladi. 

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, në dy mjetet tip “Toyota”, të cilat ishin të ngarkuara në një kamion “Bizark” që transportonte edhe 7 makina të tjera janë sekuestruar 3,366,800 euro, 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara si dhe 80,000 franga zvicerane. Për këtë trafik parash, që dyshohet se kanë origjinën nga aktivitete kriminale, Policia e Shtetit njoftoi se ishte vënë në dijeni nga burimet e saj vendase, në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karroatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit. 

Me marrjen e këtij informacioni, iu është dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese. Një ditë më pas në Kuvend, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se është zbuluar një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro që vinte nga Gjermania dhe disa orë më pas, SHISH informon Policinë e Shtetit për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

Në datë 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor, ka bërë identifikimin dhe ndalimin e mjetit. Më herët, Report Tv zbardhi ekskluzivisht emrin e porositësit të makinave “Toyota”, ku rezultonte se ato ishin në emër të Alban Mollaymeri, pronar i një servisi makinash në Tiranë. Report TV arriti të sigurojë edhe ekstraktin nga QKR, ku Alban Mollaymeri, rezulton pronar i një servisi modest në zonën e Laprakës në Tiranë. 

Ndërkaq edhe Edi Lika, të cilin e dalloni në këtë foto pronar i “Bizarkës” me të cilën transportoheshin “Toyota”-t ishte pronar i një servisi që ditën e sotme ishte i mbyllur, të cilën dhe e shikoni në këto pamje. Report Tv ka arritur të kontaktojë me familjarët e tij, të cilët nuk kanë pranuar të flasin përpara kameras. “Edi ka qenë në shtëpi në momentin e kur e ka shoqëruar policia. Djali ka qenë aty kur erdhën makinat, pasi kur nuk shkonte Edi, shkonte çuni”- deklaroi jashtë kamerave bashkëshortja e Edi Likës. 

Edhe para hetuesve, si Edi Lika ashtu edhe dy të arrestuarit e tjerë kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni për shumën e parave. Ajo çka ka ngjallur edhe më tepër mister në këtë superoperacion janë porositësit e makinave dhe zotëruesit e shumës së parave. Sipas policisë ata janë dy shtetas me inicialet E. V dhe A. V. sipas burimeve konfidenciale të Report TV ka dyshime se ata janë shtetasit Alfred Vladi dhe Elvis Vladi të cilët kanë në pronësi një kompani që jep makina me qera me emër “Tirana Rental Car” seli në Kamëz. 


Faksimile e dokumentit të QKB që tregon datën 7 maj 2018 ditën që u krijua kompania e Alfred Vladit

Report Tv tentoi të kontaktojë me këtë kompani, por ajo ditën e sotme ishte mbyllur, por ajo që bie në sy është fakti se kjo kompani pjesën më të madhe të makinave që lëshon me qira janë “Toyota”. Sipas policisë këta dy shtetas janë shpallur në kërkim, të cilët janë arratisur sapo operacioni është bërë publik nga Basha në sallën e Kuvendit. 

Report TV ka mësuar ekskluzivisht edhe detaje nga itinerari i makinës dhe vendi i origjinës. Rezulton se makinat janë blerë në Gjermani në një koncesionar që administrohet nga një shtetas shqiptar. Nga dokumentet siguruar nga gazetarët tanë rezulton një biznes me një xhiro vjetore 100 mijë euro. Sipas dokumenteve të siguruara ekskluzivisht nga Report TV mjetet janë shitur nga koncesionari DOCI GMBH në provincës Aachen në Gjermani në pronësi të Ilir Docit. 



Faksimile e dokumentave doganorë të makinave Toyota ku del emir i shitësit Doci në Gjermani dhe porositësit Mollaymeri në Shqipëri

Nga këto dokumente rezulton se porositës është Alban Mollaymeri dhe për t’i transportuar ka kontaktuar Edi Likën. Ndërkaq dy makinat e tjera, një “Opel” dhe një “Alfa Romeo” që ishin mbi kamion “Bizark” bashkë me 7 “Toyota”-t, janë porositur prapë në koncensionarin Doçi por nga dy individë të tjerë që nuk dyshohet të kenë lidhje me trafikun e parave, me orgjinë nga trafiku i drogës.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit gjatë operacionit për arrestimin e këtyre shtetasve janë kryer kontrolle edhe në banesat e tyre. Nga kontrolli në banesën e shoferit të kamionit, Agim Cekaj policia ka arritur të sekuestrojë edhe një radio policie, një armë kallashnikov dhe 7 celularë.


Alfred Vladi

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?