TIRANË- Report Tv ka zbardhur skemën e plotë se si 34 vjeçari Mark Nikolli, i arrestuar të martën në Tiranë me akuzën e gjobëvënies hiqej si person që kishte lidhje me persona të inkriminuar dhe në këtë mënyrë mashtronte e shantazhonte persona të ndryshëm për t'u marrë para.
Në periudha të ndryshme kohore ai u ka bërë presion dy personave duke i kërkuar shuma që fillonin nga 100 mijë euro, por më pas këtë vlerë e ulte deri në 5 mijë euro.
Këta persona, 34 vjeçari i njihte nëpërmjet miqve të tij, dhe pasi u merrte kontaktin, u dërgonte sms në Whatsapp me një numër anglez. Denoncimi në polici është bërë nga dy persona të ndryshëm që Nikolli u kishte dërguar sms. Identifikimi i 34 vjeçarit dhe dokumentimi i ngjarjes u bë nga hetimi disa ditor i Policisë e Tiranës.
I riu nga Lezha është person me precedentë të mëparshëm penal. Rreth një vit më parë ai doli nga burgu, pasi në Kukës u dënua për trafik klandestinësh. Burimet thonë se sapo la qelinë, 34-vjeçari nisi të jetoj me qira në Tiranë.