Gjykata e Posaçme e Apelit Tiranë thotë se anëtari i Komisionit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, nuk ka kryer falsifikim të dokumentave, në mosdeklarimin e masës disiplinore të shkarkimit si gjyqtar. Kështu shprehen në vendimin e zbardhur dy gjyqtarët e Apelit Dhimitër Lara dhe Nertina Kosova, të cilët vendosën të rikthejë në detyrën e anëtarit të KPA, Luan Dacin.
Gjykata në argumentimin e saj, citon duke pohuar se:”…në vështrim të argumenteve të prokurorit dhe provave të parashtruara nga ai, ky kolegj verifikon se ato përfaqësojnë ose provojnë faktin së largimit nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë, ashtu dhe të mosdeklarimit të kësaj mase disiplinore nga i hetuari Luan Daci…”. Mirëpo pavarësisht njohjes së faktit të shkarkimit dhe mosdeklarimit në formular nga ana e Luan Dacit, gjykata nënvizon se këto fakte, janë të ndryshëm nga pretendimi i prokurorisë se ai ka falsifikuar dokumente.
Nisur nga ky argument gjykata vë në pikëpyetje dhe dyshime të forta qëndrueshmërinë e akuzës së falsifikimit të dokumentave të ngritur nga prokuroria, duke çuar këtë çështje penale ndaj anëtarit të KPA-së, drejt dështimit. “…mosparaqitja, mosshënimi apo sidoqoftë mohimi nga Luan Daci, i masës disiplinore të largimit nga puna është një fakt që i mungon kundërligjshmëria…”, shprehet gjykata e Posaçme e Apelit Tiranë. Pritet që në ditët në vijim prokurori i çështjes Klodian Braho, do i drejtohet me një rekurs Gjykatës së Lartë, ku do kërkojë pezullimin nga detyra të Luan Dacit.
Prokuroria e Posaçme SPAK, shprehet e bindur se anëtari i KPA-së, Luan Daci, ka konsumuar elementët e “Falsifikimit të dokumentave”, pasi ka fshehur në formular shkarkimin si gjyqtar i paaftë, vendim ky që është marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.