Zbresin më tej komisionet e ndërmjetësimit në sigurime

5 Maj 2023, 12:45| Përditesimi: 5 Maj 2023, 12:47

  • Share

Vijojnë të zbresin komisionet e ndërmjetësimit në sigurimin e detyrueshëm motorik, duke arritur në një mesatare tregu prej 16%. Nga janari i vitit 2023, bazuar në rregulloren e miratuar nga AMF, niveli i komisioneve të aplikueshme nga shoqëritë e sigurimit për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik (tpl, karton jeshil, kufitare) nuk mund të jetë më i lartë se 18% të primit të shkruar bruto. Përpara hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje në janar të vitit 2022, komisionet mesatare në nivel tregu për sigurimin e detyrueshëm motorik ishin 27%.

Synimi i vendosjes së niveleve tavan të komisioneve nga ana e AMF për ndërmjetësit (agjentët/brokerat) ishte rritja e eficiencës së shpenzimeve të shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës. Kjo masë ka dhënë rezultat të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e ndjeshme të pagesës së dëmeve në sigurimin e detyrueshëm motorik.

Rënia e komisioneve të ndërmjetësimit në sigurimin e detyrueshëm motorik në fund të 3-mujorit të parë të vitit 2023 ka sjellë një rënie të përgjithshme të komisioneve për të gjitha produktet e sigurimit. Në fund të vitit 2022, mesatarja e komisioneve në nivel tregu ishte 21%, ndërsa në 3-mujorin e parë të këtij viti ka zbritur në 18%. Kufizimi me rregullore i komisioneve të ndërmjetësimit ka sjellë ulje të mëtejshme edhe të kostove të marrjes në sigurim për shoqëritë e Jo-Jetës. Sipas të dhënave, rezulton se shpenzimet e shoqërive për të gjitha produktet e sigurimit në fund të tre-mujorit të parë të vitit 2023 kanë zbritur në 24.3%, nga 28.2% që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.    

Sa i përket pagesës së dëmeve, tendenca rritëse e vitit 2022, ka vijuar edhe në 3-mujorin e vitit 2023, me 10% rritje në vlerë të dëmeve të paguara krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka ndikuar edhe në reduktimin e mëtejshëm të praktikave të dëmeve pezull. Në fund të vitit 2022, numri i dëmeve pezull zbriti në nivelin më të ulët historik. Gjithashtu, edhe dëmet e paguara në numër ishin në nivelin më të lartë historik.  

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?