Zbulime të reja, Anila Omari: Thesaret e rralla të shqipes në veprën “Çeta e profetëve” të Pjetër Bogdanit (VIDEO)

19 Shkurt 2020, 21:29| Përditesimi: 20 Shkurt 2020, 16:28

  • Share

“Çeta e profetëve”, vepra e ipeshkvit patriot e shkencëtar Pjetër Bogdani, e botuar në vitin 1685, është një nga thesaret e trashëgimisë letrare dhe gjuhësore të shqipes.

Kjo trashëgimi ka intriguar studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë e të huaj si Petrotta-n, Eqrem Çabejin, Fishtën, Justin Rrotën, Injac Zamputin, Ibrahim Rugovën, që kanë bërë kërkime jo pak voluminoze rreth personalitetit dhe veprës së tij.

Por gjuhëtarja dhe albanologia e njohur Anila Omari, në shtigje të pashkelura më parë, i ka lidhur kërkimet e saj pazgjidhshmërisht me këtë vepër, duke prekur ashtin, aty ky buron shqipja dhe thesaret e fjalorit të saj.

Tezat e para kishin marrë jetë në botimin kritik të vitit 2005 të “Çetës së profetëve” nga Omari, ku u publikua për herë të parë riprodhimi i origjinalit me një transkriptim fonologjik, hyrje studimore e shënime, ndërsa tre vjet më parë profesoresha e njohur botoi “Leksikun e veprës së Pjetër Bogdanit”, leksik që ajo do ta ndriçonte pareshtur kërkim pas kërkimi. 

Puna e Anila Omarit nuk mbeti me kaq. ...

Ne takuam këto ditë, kur sapo i kishin sjellë në dorë kopjen e parë të botimit kritik të rishikuar të “Çetës së profetëve”.

Dhe ky botim merr një rëndësi të veçantë,  sepse Anila Omari ka sjellë në botën akademike të parin studim filologjik të veprës së Bogdanit, duke tërhequr rreth saj një publik pak më të gjerë se ai me formim shkencor.

Kërkimet e reja të profesoreshë Anila Omarit kanë sjellë në dritën e botimit, jo vetëm një riprodhim anastatik të tekstit origjinal, por në faqet përbri ajo ka bërë edhe transkriptimin fonetik, ku sqarohen fjalë të rralla apo shndërrime morfologjike të gjuhës së Bogdanit.

Në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, profesoreshë Omari do të  rrëfej fakte interesante, jo vetëm për gjuhën e  Bogdanit, që hodhi urat që arbrit t’i lexonin librat në gjuhën amtare, por edhe për faktin sesi ai bashkë me ungjin e tij Andre Bogdani punoi për mëkëmbjen e zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit gjatë viteve të trazuara të luftës me osmanët.

Intervista

Profesoreshë Anila, tashmë sapo është botuar varianti i përmirësuar i librit kritik “Çeta e profetëve” të Pjetër Bogdanit. Pyetja e parë që dua t’ju shtroj është se kur ka qenë botuar variant i mëparshëm. Si është punuar për të, dhe pastaj të dalim tek pyetja e dytë, se çfarë është përmirësuar në këtë variant?

- Botimi i parë kritik, i plotë, integral, ka dalë në vitin 2005, botim i Akademisë së Shkencave, i bërë prej meje, që përfaqësonte një punë të zgjatur në kohë, voluminoze; së pari për t’u familjarizuar me tekstin e Bogdanit, që përfaqëson një shqipe të vjetër të shekullit të 17-të dhe pastaj për t’u njohur me përmbajtjen, me veprën, me rrethanat, me jetën, me personalitetin e autorit, dhe më pas për të bërë atë që quhet botimi kritik apo transkriptimi fonetik i veprës. Ashtu si çdo botim filologjik, duhej pajisur me hyrje studimore, me aparatin kritik të nevojshëm, dhe pastaj duhej shoqëruar edhe me konkordancat kompjuterike.

Puna e dytë “Fjalori”, më kërkoi një tjetër periudhe kohe të gjatë, mbasi krejt teksti i veprës kaloi në një program kompjuterik, që nxori konkordancat kompjuterike, ose të gjithë leksikun e veprës të formatuar mbi bazën e një programi kompjuterik. Kjo kërkoi pastaj një punë të dytë, që është lematizimi i konkordancës. Kjo punë u u konkretizua në një Fjalor të Pjetër Bogdanit, i cili u botua në një vepër që quhet “Leksiku i veprës Pjetër Bogdanit”, në 2016-n, vepër që u nderua edhe me një çmim.

Ndërsa ju flisnit, ajo që më ngacmonte ishte “Fjalori i Bogdanit” - jo vetëm për ta ditur si ka qenë gjuha e vjetër, por duke qenë mbartës të një gjuhe të pasur -  që gjithmonë ka zbulesa të zemrës së fjalëve që përdorim edhe sot, që kanë ekzistuar përherë e përherë në lashtësi. Jemi kuriozë të dimë, çfarë burimesh prekim më afër tek fjalori i Bogdanit?

-Pjetër Bogdani në hartimin e veprës së tij ndjeu vështirësi të mëdha, sepse vepra e Bogdanit ka një tematikë shumë të pasur dhe të larmishme. Nuk është thjesht një vepër fetare apo teologjike, po ishte edhe vepër letrare e filozofike. Ka edhe tekste poetike, por edhe tekste epistolare. Kështu që ai e shkroi këtë vepër në një moshë të mesme, dhe deri në atë kohë, siç thotë edhe vet, e ka pasur më tepër si sfidë, për të shkruar në gjuhën shqipe. Domethënë veprat që ishin shkruara para Bogdanit, ishin pak, pra sihet që ishte Buzuku, ishin tri veprat e Pjetër Budit, Fjalori i Frang Bardhit dhe vepra madhore e Pjetër Bogdanit. Kështu që shqipja, siç e dimë, siç e ka theksuar edhe profesor Eqrem Çabej, është e pasur me terminologji të sferave të caktuara, por për sa i përket leksikun abstrakt, nuk ka pasurinë e duhur. Dhe Pjetër Bogdani në shkrimin veprës së tij bëri një punë të madhe kërkimore për pasurimin  gjuhës. Ka disa rrugë për ta pasuruar. Pra, një nga ato që përdori Bogdani është rigjallërimi i fjalëve të vjetra dhe të harruara të leksikut të shqipes. Për këtë, ai i ndihmua shumë edhe nga i ungji i tij i famshëm Andre Bogdani, që ishte arqipeshkëv i Shkupit për një kohë të gjatë. Madje, Pjetër Bogdani e zëvendësoi në këtë detyrë në vitin 1685. Kishte njohuri të thella për gjuhën shqipe Andre Bogdani, meqenëse edhe vetë kishte hartuar një gramatikë shqip-latinisht, gramatikë e cila humbi në atë jetën e trazuar të Bogdanit.  Kështu që, një nga këto rrugët e  pasurimit të fjalorit është gërmimi në thesarin  fjalëve “plaka”, fjalëve të vjetra. Rruga tjetër është krijimi i fjalëve të reja me brumin e vetë shqipes, sipas modeleve ekzistuese në shqip dhe në këtë aspekt Bogdani ka bërë një punë të madhe krijuese.  Unë këtu jam përqendruar sidomos tek vepra tjetër “Leksiku i Pjetër Bogdanit”, për të vënë në dukje pasurimin e gjuhës shqipe nga ai sipas modeleve të saj dhe kam nxjerrë një numër jo të vogël që i përkasin sidomos leksikut abstrakt  dhe leksikut të ardhur me fjalëformim: një numër prej rreth 600 njësish leksikore, që janë të fushave të ndryshme kuptimore.

Ju lutem, ta shpjegojmë pak për ata që nuk janë gjuhëtarë termin “leksiku abstrakt”, për çfarë bëhet fjalë në këtë kontekst?

-Në gjuhën e autorëve të vjetër përdoreshin shumë emrat asnjanës prejfoljorë, pra të menduemit, të depërtuemit, etj. Ne themi ende fjalë të tilla, si të folurit, të qeshurit, të shkruarit, por ka humbur kjo mënyrë fjalëformimi që dikur ishte shumë prodhimtare. Sot janë zëvendësuar me disa formime më koncize, më sintetike; me “-im” apo me “-es”. I ndeshim që tek Buzuku këto formimet e me “–im”, por pak. Tek Bogdani marrin përmasa shumë të gjera, pra fjalë të tipit mendim, gëzim, etj, etj. Por ka fjalëformime edhe me “-es”, me “-imë”, si cërkëllimë, sokëllimë, bubullimë, etj, ka fjalëformime me prapashtesën “-ë”. Një tjetër rrugë fjalëformimi është edhe krijimi i kalkeve, pra me brumin e shqipes, por sipas modeleve të gjuhëve të huaja. Dhe një tjetër rrugë pastaj është edhe huazimi. Huazimi është një rrugë shumë e rëndësishme për pasurimin e gjuhës.

Pra,  siç po kuptojmë, Bogdani paska shërbyer si një burim i madh për akademikët, për studiuesit  më gjerë. Sa kohë ka që po shfrytëzohet fjalori i tij, terminologjia e tij, prurjet e tij dhe përpjekja e tij gjuhësore?  

-Ende nuk është kaq i njohur, sepse ky fjalor që kam nxjerrë unë, ka dalë para dy- tre vjetësh. Por pjesë nga fjalësi i Bogdanit janë trashëguar nëpër fjalorët tanë që nga Kristoforidhi. Në Fjalorin e Kristoforidhit, që është botuar në 1904-n, përmbahen rreth katërqind njësi leksikore nga Pjetër Bogdani. Pastaj Fjalori i shoqërisë “Bashkimi” i Shkodrës është bazuar në një masë të madhe në Fjalorin e Pjetër Bogdanit, kështu që, një numër i mirë i leksikut të Bogdanit ka ardhur tek ne në gjuhën e sotme, nëpërmjet këtyre fjalorëve të rëndësishëm. Edhe fjalorët e mëvonshëm, ai i 1954-s, i ‘80-s e më vonë, sigurisht që i kanë trashëguar këto fjalë, në formën më të përshtatur, sepse gjuha ka evoluar, nuk janë në atë formë siç i ka përdorur Bogdani. Gjithë puna që kanë bërë këta autorë të vjetër në përpunimin që i kanë bërë gjuhës, me gjurmët që kanë lënë në leksikun e  shqipes, është trashëguar deri në kohën e  sotme.

Shpeshherë për “Çetën e Profetëve” ka pasur polemika, është një përkthim, apo është një vepër që ka autor, që ka në thelb bërjen e shkrimit nga vet autori Bogdani?

-“Çeta e Profetëve” është konsideruar gjithmonë në letërsinë tonë si vepra e parë origjinale në letërsinë shqipe, pra proza e parë origjinale, ndryshe nga veprat paraardhëse që ishin përkthime dhe dihen se nga janë përkthyer. Përveç veprës së Buzukut, që nuk dihet një model të i caktuar, por mendohet se ka pasur disa modele, dhe nuk është gjetur ndonjë, kurse për veprën e Bogdanit është thënë gjithnjë: vepër origjinale.

Sigurisht që është një vepër autoriale, nuk diskutohet, por që edhe Bogdani e thotë në Parathënien e tij se: “Nuk më vjen mare (pra nuk më vjen turp), që kam ndjekur të dijshmit, se edhe ata kanë ndjekur shoqi-shoqin.”. Pra, përmend autorët e lashtë që kam marrë nga njëri-tjetri e kanë ndjekur njëri-tjetrin, dhe së dyti, do të merrej nga të parët, sepse në punë të fesë, nuk është mirë të largohesh nga doktrina.

Kështu që në shumë aspekte të veprës së tij, Bogdani është mbështetur në letërsinë paraardhëse, latine apo italiane. Dhe sot me metodat e reja kompjuterike, me mundësitë që të ofron interneti, mund të gjenden edhe këto botime, që normalisht në bibliotekat tona është vështirë të gjenden. Botime të mesjetës, të kohës së para Bogdanit, mund të gjenden të botuara në internet dhe unë kam gjetur se ku është mbështetur Bogdani në pjesë të caktuara të veprës së tij. Për shembull, zbulojmë ku është mbështetur për jetën e Sibilave, për jetën e Profetëve, pjesërisht për jetën e Jezu Krishtit, por në shumë aspekte të tjera, ai duket që është origjinal.

Pikërisht në cilat aspekte, ju keni vërejtur se është origjinal, se është krijues në këtë vepër?  

-Puna filologjike është kjo, që duke u nisur nga teksti i Bogdanit, ti shikon interferencat, domethënë cilat janë strukturat e huaja që duken, që janë të përkthyera në shqip, dhe në disa vende duken që tek disa përkthime ka një ndikim nga struktura e italishtes.

Nga ana tjetër, Bogdani e ka përkthyer veprën në italisht. Vepra e tij është botuar në dy kolona; në njërën anë shqipja, në anën tjetër italishtja, sepse ia kërkoi Selia e Shenjtë Bogdanit, Vatikani.

Ai e kishte  shkruar veprën e tij që në 1675-n. E kishte përfunduar dhe i kishte kërkuar Selisë së Shenjtë që ta botonte, pra, të financonte për botimin dhe argumentonte rëndësinë që ka kjo vepër e të tjera. Selia e Shenjtë përgjigjet: “Vepra që është e shkruar në shqip, të përkthehet në italisht dhe t’i jepet për korreksion kardinalit që është përgjegjës për censurën.”.

Kjo konfirmon që është shkruar në shqip. Pra, nuk do të kërkohej të përkthehej në italisht, nëse nuk do të ishte shkruar në shqip, apo jo?

 -Ajo ishte e shkruar në shqip dhe kjo dihet. Por nuk është gjetur varianti i parë origjinal i Bogdanit i 1675-s, i shkruar vetëm në shqip. Nga varianti i parë, meqenëse Bogdanit ia kërkoi Selia e Shenjtë, i mori një kohë të gjatë përkthimi i veprës, dhe iu deshëm dhjetë vjet për këtë, jo vetëm se u mor vetëm me këtë vepër, por gjatë kësaj kohe pati shumë trazira të luftës, dhe ai pati shumë përndjekje nga osmanët dhe iu desh të fshihej nëpër shpella, nëpër male. Dhe gjatë përkthimit iu desh një mundim i madh. Thotë: “Me djersë të mëdha m’u desh ta përktheja”, sepse në një letër të tij, ai shkruan: “Gjuhën italiane nuk e kam shumë të pastër të përsosur, sepse nuk është gjuha ime natyrale”, ndaj duken në vende të ndryshme interferencat e gjuhës shqipe në përkthimin në italisht.

Për shembull thotë në një vend “Iu mor drita e syve” , në italisht “Gli fu levato lume degli occhi”, por në italisht nuk janë këto struktura, nuk janë këto lloj shprehjesh idiomatike që ka shqipja . Gjithashtu, duket edhe në një vend tjetër, ku del struktura amtare e shqipes: “entrarono a lavorare”, ose në një vend tjetër ku nga shqipja “Barka po doj me u mbytun”- ishte gati për t’u mbytur, e përkthen në italisht “la barca volea affogarsi”, pra fjalë për fjalë përkthim, por që italishtja nuk e ka me këtë kuptim. Domethënë dalin disa struktura të tilla, që tregojnë mirëfilli se Bogdani e ka përkthyer këtë vepër në italisht nga shqipja.

Duke qene se veprat e Bogrdanit, janë tashmë të pëfshira në studimet akademike, e një pjesë e madhe e studimit është bërë falë jush, por edhe nga studiues të tjerë që i janë referuar Pjetër Bogdanit, ajo që na bënë më shumë kurioz është jeta e tij, qëndrimi i këtij personaliteti në kontekstin e vet historik. Kush është në të vërtetë Pjetër Bogdani?

-Bogdani, siç thotë vet, ka lindur në Gur të Hasit, në krahinën e Zymit, e pjesës Hasit që është në Kosovë, por vendodhja më e afërt e fshatit të tij, Gur i Hasit, nuk është gjetur me saktësi. Familja e tij vjen nga një familje e njohur e Bogdanëve që ka nxjerrë figura të shquara. Një nga ata ishte ungji i tij, Andre Bogdani, figurë e njohur, arqipeshkëv i Shkupit, njeri shumë i ditur. I ati quhej Tade Bogdani, por edhe e ëma ishte nga familja e Mazrekëve, një fis i madh që ka nxjerrë figura të shquara; Pjetër Mazreku plaku, Pjetër Mazreku i riu, dhe figura të tjera.

Pjetër Bogdani studimet e larta i ka bërë në kolegjet e njohura të Italisë, në Loreto dhe në Kolegjin Urban të e Propagandës së Fesë, ku studiuan edhe shumë priftërinj të tjerë shqiptarë. Mbasi mbaroi studimet për Teologji dhe Filozofi, pra u doktorua dy herë, ai u kthye në atdhe, ku punoi disa kohë si meshtar dhe pastaj u emërua si ipeshkëkv i Sapës, ku është Zadrima sot, që atë kohë quhej Dioqeza e Sapës.

Menjëherë më pas, pas një viti që qëndroi ipeshkëv, u emërua në titullin e lartë të arqipshkëvit të Shkodrës, ku veproi për një kohë të gjatë deri në vitin 1677. Kjo ka qenë një periudhë shumë e ngjeshur politike dhe shpirtërore e Bogdanit. Në atë periudhë shkroi edhe variantin e parë të veprës së tij, që e përmendëm, dhe u përpoq shumë për të ndihmuar popullsinë malësore të rrehinave të Shkodrës, për t’i ndriçuar ata nëpëmjet arsimit, duke hapur edhe një shkollë për të rinjtë në Rioll të Shkodrës.

Kemi letra të tëra të Pjetër Bogdanit, ku flitet për përpjekjet për hapjen e kësaj shkolle, për ecurinë e kësaj shkolle, për mësuesit që ka pasur kjo shkollë, pak a shumë në atë periudhë, 1677, ose dhe më herët, sepse kjo shkollë nuk ka pasur vazhdimësi në vite, ka pasur edhe ndërprerje.

Mbas kësaj, në vitin 1685, Bogdani emërohet arqipeshkëv i Shkupit, me kërkesë të ungjit të tij, Andre Bogdanit, i cili ishte shumë moshuar dhe i sëmurë, dhe i kërkon Selisë së Shenjtë, që ta zëvendësojë në detyrë,  i nipi i tij Pjetri, meqënëse ai vetë nuk mund  të plotësonte më detyrat që i shtronte pozicioni i lartë kishtar që kishte. Në një dokument arkivor, Andre Zmajeviçi e pëshkruante Pjetër Bogdanin si predikator i zoti: “Aftësia e tij si predikator, bënte që turqit ta kishin nën shënjestër, e akuzonin që “Ky është ai që nuk i lë njerëzit të bëhen turq!”. Prandaj ai vuante gjithmonë nga persekutimet.

Në atë kohë kur ka vepruar Bogdani, ishin acaruar luftrat midis perëndimit të krishterë dhe perandorisë osmane, në gjysmën e  dytë të shekullit të 17-të. Pra, edhe në kohën kur ishte arqipeshkëv i Shkodrës, ishte luftra austro-turke. Pastaj më vonë, në vitet 1683-1689, shpërtheu dhe vazhdoi lufta e një koalicioni të krishterë  me në krye Perandorinë Austriake, dhe Perandorisë Osmane. Lidhja e Shenjtë, quhej ky kolalicion perëndimor në atë kohë. Në këtë konflikt, Pjetër Bogdani mori pjesë aktive. Ai i shkroi edhe një relacion Selisë së Shenjtë, ku ofroi edhe një plan strategjik, ku e përshkruan gati si një strateg ushtarak, në bazë të bashkërendimit të forcave  të koalicionit Austro-Perëndimor me Perandorinë Osmane. Pra, mendon sesi mund të organizojë, mobilizojë një focë të madhe malësorësh, etj.

Dhe kur erdhi gjenerali austriak Pikolomini, ka qenë pikërisht Pjetër Bogdani që i ka dalë përpara në Prizren, me një trupë shoqëruese, prej 5 mijë ose 6 mijë malësorësh shqiptarë. Por kjo luftë apo kjo përpjekje e Lidhjes së Shenjtë në zonat e Kosovës dështoi, pasi ushtria austriake u pëgjysmua nga epidemia e murtajës, që kishtë rënë në ato kohë në ato zona. Vetë gjenenerali Pokolomini u sëmurë dhe vdiq në krahët e Bogdanit, i cili po i jepte vajimin e fundit, pra duke kryer detyrën e tij si kishtar, si njeri i fesë, si prift, dhe nga kjo sëmundje u infektua dhe vetë dhe u sëmurë. Pjetër Bogdani vdiq nga murtaja më 6 dhjetor, 1689.

Pra, gjithë veprimtaria e Bogdanit, sidomos e veprës së tij është një veprimtari patriotike iluministe. Madje, Bogdani thotë që arsyeja e robërisë është padija dhe jo më kot e hap veprën e tij në parathënie me një citim të profetit Isai, që thotë se “Populli im ka rënë në robëri, se nuk pat dijen.”, e shkruar kjo në kushtet kur po përparonte konvertimi, islamizimi.

Pra, edhe Pjetër Bogdani, ashtu si të gjithë klerikët e tjerë, kërkonin që ta mbanin bashkësinë në fenë e tyre të vjetër. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i veprës së tij dhe i veprimtarisë së tij dhe motivi që e shkroi veprën ishte shqetësimi për gjuhën shqipe: ruatja e gjuhës dhe zhvillimi dhe dhe përparimi i gjuhës.

Meqë origjinali i veprës së Bogdanit “Çeta e profetëve” nuk është gjetur, çfarë mendohet se mund të ketë ndryshe nga varianti që është zbuluar në arkiva, dhe që është i botuar dhe i transkriptuar?

-Varianti origjinal do të ishte një gjë shumë interesante për t’u studiuar, sepse me siguri do të ketë pasur shumë material, kjo është e para. E dyta, vetë Bogdani thotë se: “Nga nevoja që m’u desh për ta përkthyer, dhe nga nevoja për të barazuar dy shtyllat, më është dashur ta pakësojë materialin, ose ta përshtasë për të shërbyer sikur të jetë një fjalor”. Kështu që ai duhet të ketë hequr mjaft pjesë nga varianti i parë....

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?