Kultura

Zbulimet arkeologjike në Durrës, dëshmi të reja për qytetin! Vula e mbretit Monun dhe letërkëmbimi mes titullarëve ilirë

3 Korrik, 13:12| Përditesimi: 3 Korrik, 15:54

  • Share

Një karficë, dy vathë, një varëse dhe dy vula janë objektet e zbuluara në Forumin Rrethor në Durrës dhe që pas restaurimit dhe konservimit të tyre sjellin të dhëna të rëndësishme për qytetin në periudha të ndryshme të tij. Të gjetura pas gërmimeve arkeologjike në periudhën nga viti 2021-2024, këto objekte metalike përbëjnë një thesar sa i përket të dhënave historike që përçojnë dhe që lidhen me Forumin Rrethor, një objekt me histori të gjatë dhe rol të rëndësishëm urban për qytetin gjatë antikitetit të vonë, në shekujt V-VI p.e.s.

“Bëhet fjalë për objekte që tipologjikisht përdoreshin nga individë të rëndësishëm të elitës ushtarake, të elitës administrative të qytetit. Kjo është një e dhënë e rëndësishme për grupe të rëndësishme.”, -thotë arkeologia Brikena Shkodra. 

Ndër objektet më të rëndësishme është një vulë, e cila me gjasa është dëshmia e parë ekzistencës së letërkëmbimit të mbretërve ilirë me aleatët e kohës.

“Kjo është një vulë e cila në simbolikën e saj paraqet lopën duke e pirë viçi, një simbol i monedhave të Durrësit të prodhuara nga shekulli IV p.e.s deri rreth fundit të shek I p.e.s. Gjetja e këtij elementi është i rëndësishëm se dëshmon për të parën herë aplikimin e vulosjes së letërkëmbimeve të rëndësishme të titullarëve të qytetit gjatë periudhës qytetare ilire.”, - shpjegon Shkodra. 

Sipas të dhënave historike, kjo vulë është përdorur nga mbreti Monun në monedhën e prerë prerë prej tij në shek III p.e.s. Simboli i lopës dhe viçit kanë qenë të adaptuar nga mbretërit ilirë, që me siguri kanë administruar qytetin gjatë kësaj periudhe.

Një tjetër objekt është një fibul zoomorfike, prodhimi i së cilës tregon detajim në mënyrën e prodhimit dhe lidhet me një objekt të antikitetit të vonë. Ky objekt ka rëndësi, pasi nuk ka vetëm rol funksional, që është mbërthimi i një manteli apo toge, por simbolika është tejet e rëndësishme, pasi nënkupton rangun e rëndësishëm të personit që e ka përdorur, ashtu si dhe të tjera objekte.

“E rëndësishme është që në këtë grumbull objektesh veç atyre që shihen me sy të lirë, ka detaje që shihen në mikroskop. Në këtë fragment të vogël ne gjejmë një gjurmë tekstili, i cili sipas strukturës që ka, duhet të jetë një veshje mëndafshi. Pra, personi që është varrosur bashkë me këtë objekt, ka qenë i veshur me një veshje prej mëndafshi.”, - thotë restauratori Frederik Stamati. 

Një tjetër objekt i rëndësishëm në këtë grup objektesh të restauruara së fundmi është edhe një vulë prej plumbi, e cila identifikon një simbol, që është simboli delta dhe lidhet me simbolin e bashkësisë të polisit të Durrësit.

“Të dhënat e këtij simboli i kemi të reflektuara në prodhimin e tjegullave në qytet në periudhën helenistike. Një e dhënë e tillë e provuar ka treguar që qyteti ishte një qendër e rëndësishme prodhuese, prodhim i cili kontrollohej dhe administrohej nga bashkësia e qytetit.”, - vëren arkeologia Brikena Shkodra. 

Objektet e restauruara janë një dëshmi më tepër e pasurisë së madhe që ruhet në Durrës dhe tregon nevojën e ruajtjes së memorjes historike. Jetëgjatësia e qytetit në kohë ka sjellë dhe riciklimin e pjesëve më të hershme historike të këtij qyteti që kishte vlera artizanati, administrimi dhe të një bashkësie qytetare me vlera urbane të rëndësishme. Në Forumin Rrethor gjenden gjurmë dhe më të hershme se antikiteti i vonë, pasi nevoja e ritransformimit dhe përdorimit të hapësirës në të njëjtën bërthamë ka bërë riciklimin e objekteve.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se Shqipëria do bëhet anëtare e BE-së më 2030?