Zbulimet arkeologjike

Zbulimet në Durrës, gërmimet në zonë arkeologjike pa institucione publike! Instituti i Trashëgimisë thyen heshtjen, shpjegon ç’po ndodh

26 Gusht 2022, 13:11| Përditesimi: 26 Gusht 2022, 13:48

  • Share

Lidhur me zbulimet në zonën arkeologjike ku po ndërtohej shkolla “Eftali Koçi”, të publikuara dy ditë më parë nga Report tv, Instituti i Trashëgimisë Kulturore ka sqaruar për televizionin kur u zbuluan gjetjet, a u përfshinë institucionet publike dhe vijueshmërinë e konservimit e studimit të tyre. Gërmimi u udhëhoq nga Iris Pojani e kontraktuar nga UNDP dhe arkeologë të tjerë mes të cilëve edhe Lorenc Bejko.

Publiku u informua mbrëmjen e së mërkurës për gjetjen e një materiali arkeologjik me rëndësi të veçantë në zonën arkeologjike “B”, ku po rindërtohej shkolla “Eftali Koçi” përmes Report tv. Siç mëson televizioni prej burimeve pranë IKTK, këto gjetje nisin të zbulohen më shumë se një vit më parë, që  në qershor të vitit 2021 dhe pas një ndërprerje janë zhvilluar sërish në muajt prill-maj 2022.

Me leje të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, gërmimet arkeologjike të nevojshme për këtë zonë janë kryer nga arkeologia Iris Pojani. Kjo, siç konfirmohet,  jo me përfaqësi institucioneve publike, por është kontraktuar nga UNDP (dhe EU4Schools), që do të zbatonte ndërtimin e  shkollës me fonde të BE,  për të kryer procedurën e domosdoshme për këto zona arkeologjike (sondazhet që bëhen për ndërhyrje të ngjashme).

Krahas Pojanit, në grupin e arkeologëve që vetë ajo ka përzgjedhur bën pjesë edhe studiuesi Lorenc Bejko.

Pas zbulimeve të gjetura në zonë, siç sqarojnë për televizionin nga IKTK është angazhuar Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik, ku ndër përfaqësuesit është Maringlen Meshini.

Lidhur me publikimin e  materialit arkeologjik IKTK shpjegon se “materiali arkeologjik i zbuluar është në proces studimi dhe më pas do të bëhet publikimi i tij nga autorët e gërmimit”.

Aktualisht IKTK po vepron në bashkëpunim me autorët e gërmimit edhe për konservimin dhe ekspozimin e mëtejshëm të tyre, ndërsa gërmimet në atë zonë janë mbyllur plotësisht. Ndërsa siç shpjegohet, mospërfshirja e Institutit Arkeologjik në kërkim apo studim, ka si shkas faktin që gërmimi në këtë zonë arkeologjike, nuk ka pasur të bëjë me ekspedita, e as ka ardhur si iniciativë e institucioneve tona publile.

Përgjigja e plotë e IKTK, ndaj kërkesës së Report Tv:

“Gërmimet arkeologjike në kuadër të projektit “Riparimi dhe përforcimi i shkollës 9-vjecare Eftali Koci”, në rrugën “Prokop Meksi”, Durrës brenda zonës arkeologjike “B”, janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore me Vendim Nr. 478 datë 28.07.2021.

Realizimi i gërmimeve arkeologjike dhe procesit të dokumentimit është drejtuar nga Prof. Dr. Iris Pojani dhe kohëzgjatja e tyre përfshin një periudhë afërsisht 3 mujore të zhvilluar me ndërprerje mes vitit 2021 dhe 2023.

Zbulimet arkeologjike në kuadër të projektit të shkollës “Eftali Koci”, janë ndër më të rëndësishmet e qytetit të Durrësit në 30 vite. Gërmimet arkeologjike kanë bërë të mundur identifikimin dhe zbulimin e një trakti të konsiderueshëm të murit rrethues të Dyrrahut antik. Gjithashtu, janë zbuluar gjurmë dhe struktura arkeologjike të cilat përfshijnë një periudhë kohore prej shek. V para erës sonë dhe shtrihen deri në shek. IV pas erës sonë. Materiali arkeologjik i zbuluar në kontekst, përfshin objekte luksi, enë transporti, religjioni si dhe materiale të jetës së përditshme. Zbulimet arkeologjike të realizuara në këtë zonë, i kanë dhënë mundësi studiuesve të përputhin burimet e autorëve antikë me gjurmët në terren, sa i përket shtrirjes së qytetit të Dyrrahut antik në pjesën veriore, si dhe fazat e zhvillimit historik të tij. Materiali arkeologjik i zbuluar është në proces studimi dhe më pas do të bëhet publikimi i tij nga autorët e gërmimit.

Për shkak të rëndësisë së këtyre gjetjeve, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, vendosi për ruajtjen, konservimin dhe ekspozimin e strukturave të zbuluara si dhe spostimin e gjurmës së shkollës në një zonë pa gjetje arkeologjike”, thuhet në përgjigjen e IKTK.

Punimet e shkollës duhet të përfundonin në 30 shtator të vitit 2022. Si zonë arkeologjike, pranë saj janë gjetur përgjatë dekadave të tjera edhe zbulime paraprake, ku ekspertët kanë konsideruar se do të kishte edhe të tjera. Por çfarë ka ndodhur me objektin nga tërmeti i 26 nëntorit deri më sot:

-Pas tërmetit të 26 nëntorit shkolla 9 vjeçare "Eftali Koçi" siç do të rrëfente stafi drejtues i shkollës për grupin e auditimit të KLSH-së (sipas raportit që auditon rindërtimin të publikuar në 16.07.2021 )do të shërbente si vendstrehim për disa prej qytetarëve që u ishin dëmtuar banesat ku jetonin.

-Në bazë të  akt konstatimeve të mbajtura nga grupet e punës pas tërmetit në dhjetor të 2019-ës (të pavarura nga IN) shkolla në AK është konsideruar si e qëndrueshme ndonëse duheshin bërë përforcime të trarëve. Por, në thelb ajo konsiderohej se kish shkallën 0 të dëmtimit e se në të duheshin bërë disa riparime të dëmtuara, para se të vinin nxënësit në mësim.

- Në muajin prill 2020 Bashkia Durrws bën kërkesë Institutit të Ndërtimit dhe kjo e fundit bën një akteskpertizë të thelluar të shkollës ku konstatohet dëmtimi i lartë i materialeve ndër vite, degradim i muraturës mbajtëse etj., duke konkluduar se objekti duhet të ndërtohet i ri. Inspektimet laboratorike sipas grupit të punës nuk ishin të nevojshme pasi objekti ishte dëmtuar në strukturë.

 - Kështu me kërkesë të bashkisë, Shkolla 9 vjeçare "Eftali Koçi" do të përfshihej në listën e përditësuar të  41 objekteve arsimore që do të rindërtoheshin/rikonstruktoheshin si pjesë e programit “EU4Schools”, në fazën e dytë të tij, të financuar nga Bashkimi Evropian në masën 60 (gjashtëdhjetë) milion euro, dhe të zbatuar nga UNDP. Lista u miratua  me Vendimin e Komisionit Shtetëror për Rindërtim Nr.56, datë 04.11.2020.

Kjo listë u përditësua nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit me vendim nr.99, datë 4.2.2022

 -Në 28 korrik 2021 Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dhënë leje për studimin arkeologjik të nevojshëm për t’u bërë në këtë hapësirën ku ishte shkolla , si procedurë e nevojshme, si pjesë e zonës arkeologjike

-16 tetor 2021 shembet shkolla 9-vjeçare.

-Njoftohet fillimi i punimeve për në 12 nëntor 2021, më pas do të ketë edhe inspektime nga Bashkia Durrës.

- Në 3 qershor 2022 përmes vendimit nr.223 Instituti Kombëtar për Trashëgiminë ka vendosur për ruajtjen e mbrojtjen e gjetjeve dhe spostimin e gjurmës së shkollës 

-25 gusht 2022 konfirmohet se gërmimet në këtë zonë janë mbyllur, ndërsa sa i përket shkollës do të bëhet një projekt i ri.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?