Ambasadori italian Marco Alberti, përveç detyrës dhe misionit të tij si diplomat i vendit fqinj, ka nisur edhe një program të ri me episode intervistash, të titulluar V.I.P, ose “Very Interesting People” (Njerëz shumë interesantë).
Vetë Alberti e quan “gjetje të copave të zemrës italiane, në zemrën shqiptare”.
Dhe programin e tij e ka çelur me intervistën e Aulon Naçit, drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Intervista është bërë pikërisht në mjediset e TKOB-së, ku objekti ishte bashkëpunimi në nivel kulturor dhe lidhja e miqësisë mes njerëzve mes dy vendeve.
Ambasadori Alberti theksoi gjatë intervistës se ajo çfarë duhet është një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë, edhe nëpërmjet projekteve, dhe jo vetëm një promovim i kulturës italiane në Shqipëri.
Drejtori i TKOB, Aulon Naçi rrëfeu për lidhjet e tij dhe familjes me Italinë, duke shpjeguar se edhe gjyshi i tij kishte studiuar në vendin fqinj dhe atij iu desh të ndiqte gjurmët.
Naçi është një kompozitor i cili ka studiuar për 10 vjet në Konservatorin e Udine-s, “Jacopo Tomadini”. Me një pjesë të mirë të jetës së tij të kaluar në Itali, ku rrëfeu se ka kryer edhe punë të ndryshme, si përkushtimi ndaj gastronomisë, përveç impenjimit në muzikë dhe arsimimit.
“Një nga befasitë më të mëdha të Shqipërisë është zbulimi i copëzave të zemrës italiane, brenda zemrës shqiptare”, shprehet gjatë rubrikës, ambasadori Alberti.
Ambasadori i Italisë do të vijojë këtë program intervistash me njerëz interesantë të kulturës, ekonomisë, politikës etj. Kjo rubrikë është krijuar për të forcuar lidhjen mes Italisë dhe Shqipërisë e për të zhvilluar projekte të rëndësishme të përbashkëta.
Komente
