Zbulohen 571 skeda të Fjalorit Etimologjik të Norbert Joklit

28 Prill 2018, 08:19| Përditesimi: 28 Prill 2018, 15:56

  • Share

Duhet thënë se trashëgimia bibliotekare e Joklit përbëhej nga rreth 3000 libra tejet të çmuar e të rrallë, që përbënin Bibliotekën e Joklit, dhe dhjetra dorëshkrime, mijëra letërkëmbime etj. Një letër e autoriteteve gjermane e 10 shtatorit 1942, pra fare afër kohës së sekuestrimit të saj, na jep gjendjen më të saktë të Bibliotekës së Joklit. Shkruhet në dokument:


"Biblioteka e Joklit përfshin afërsisht 3000 blenj (vëllime). Meqenëse ai ishte indoeuropianist dhe gjuhëtar krahasues, ai pati mbledhur në mënyrë shumë sistematike literaturën e specializuar që i nevojitej për punimet e tij shkencore. Kështu, biblioteka përmban revista, fjalorë, libra gjuhësie (gjuhe), doracakë, libra reference dhe traktate gjuhësore të çdo lloji.

Megjithëse Jokli si albanolog është marrë kryesisht me studimin e gjuhës shqipe dhe ka mbledhur me kujdes literaturën dhe monumente gjuhësore të shqipes, ai ka grumbulluar pothuajse në të njëjtën mënyrë edhe literaturën e nevojshme për një studim të të gjitha gjuhëve të Europës Juglindore.

Prandaj, biblioteka e tij përbën një bibliotekë veçanërisht specifike e cila i nevojitet vetëm studiuesit të gjuhësisë së krahasuar, i cili ka zgjedhur si fushë studimi një hapësirë ku takohen gjuhët gjermanike, sllave, romane, ugro-fine dhe të tjera. Kjo bibliotekë tepër e specializuar duket të jetë e plotësuar me vepra të përgjithshme mbi antikitetin, historinë, filozofinë dhe kulturën e vendeve dhe të popujve të hapësirës së përmendur.  Përveç kësaj ka edhe separate të shumta nga revista që trajtojnë probleme të gjuhës, dhe prandaj janë shumë të vlefshme sepse në shumicën e tyre vijnë nga revista shumë të rralla (që mezi gjenden). Veprat e veçanta dhe botimet e plota të klasikëve gjermanë dhe autorëve të njohur në gjuhë të ndryshme, që përbëjnë rreth 1/5 e bibliotekës, duhen parë si pjesë e qenësishme e bibliotekës shkencore."

Pas arrestimit të Joklit, e tërë biblioteka e tij u konfiskua nga Zyra e Vjenës e Reichssicherheitshauptamt, një nga divizionet e frikshme të SS që merej me rendin dhe "problemet racore". [Zyra e Sigurisë Qendrore të Rajhut]. Kjo ndodhi me 27 prill 1942, pikërisht 76 vjet më parë. Porsie hienat, menjëherë, bibliotekën e Joklit konkurruan për ta marrë në dorëzim Biblioteka Kombëtare e Austrisë dhe Fakulteti i Filozofisë i Universitetit të Vjenës, aty ku Jokli kishte studiuar, dhënë mësim, dhe ku kishte qenë kryebibliotekar për vite me rradhë. Betejën e palavdishme e fitoi Biblioteka Kombëtare e Austrisë. Në 20 maj 1943 librat u bënë zyrtarisht pjesë e inventarit të saj. Sipas dokumentit zyrtar të sotëm të shtetit austriak "për shkak se [pas vitit 1945] askush nuk e pretendoi, biblioteka nuk iu kthye asnjëherë trashëgimtarëve." Kthimi përfundimtar tek trashëgimtarët u vendos me 27 prill 2004, pra pikërisht 14 vjet më parë, në përputhje me Neni 1, nënparagrafin 2 të Ligjit austriak për Kthimin.  Kësisoj, kemi tri përkitje të jashtëzakonshme në një ditë si sot, kur nderojmë kujtimin e Joklit në Tiranë.

Mirëpo vetëm një fraksion i trashëgimisë së Joklit është identifikuar si e tillë gjatë "autopsisë", apo kontrollit të përgjithshëm të inventareve të ndërmarrë në Biblitotekën Kombëtare të Austrisë, në fillim të viteve 2000.

Lista e trashëgimisë së Joklit, e përcaktuar për "t'iu kthyer trashëgimtarëve" nga qeveria austriake përbëhet sot nga vetëm 169 libra, 10 njësi bibliotekare fotografike, 1 dosje dokumentesh (Autographs), 5 njësi bibliotekare dorëshkrimesh. Kaq.

Po Fjalori Etimologjik ?

Dihet botërisht se Fjalori Etimologjik ishte "kryepuna" e Joklit.  Ai konsiderohet deri më sot si i humbur. 

Gjendjen më të saktë të atëhershme të Fjalorit na e jep rishtas Letra e autoriteteve naziste e 10 shtatorit 1942. Shkruhet ty:

"Jokli planifikonte botimin e një Fjalori Etimologjik të Gjuhës Shqipe si përmbyllje e punimeve të tij më të rëndësishme shkencore. Prandaj ai donte të përpunonte materialin voluminoz që gjatë viteve e kishte hedhur në shënime në vetë librat dhe në fletë ose pusulla (Zetteln = skeda) të ndryshme.

Fjalori nga njëra anë do të përmbante një katalog (tablo) kritike të literaturës gjuhësore albanologjike dhe nga ana tjetër, çështjet specifike të historisë së gjuhës, të historisë dhe të kulturës së vetë hapësirës shqiptare. Shënimet gjenden në një ekzemplar të lidhur apo të qepur të Fjalorit shqip të Godinit, në margjinat e librave të ndryshëm të shtypur, dhe në fletëza letre të shumta, në pjesën më të madhe me stenografinë e Gabelsbergerit, dhe për këtë arsye, janë të shfrytëzueshme në një masë shumë të kufizuar nga ata që zotërojnë ("jo" me dorë) plotësisht stenografinë e Gabelsbergerit."
Në mbyllje të skicës së tij të famshme me rastin e 30 vjetorit të humbjes së Dijetarit tonë, të botuar në gazetën "Mësuesi", Çabej i madh shkruan:

"Mjerisht, ..., puna e këtij dijetari të shquar mbeti e pakryer. Sidomos nuk u krye dot vepra që do të kishte qenë kurorëzimi i punës së jetës së tij. Fjalori etimologjik i shqipes dhe gramatika krahasimtare e kësaj gjuhe...Disa dorëshkrime të tij gjinden në bibliotekën Nacionale të Vjenës, ndër to mbase edhe dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik, ose ndonjë pjesë e tij a e skedave përkatëse".

Pas një pune këmbëngulëse gjurmuese, kemi nderin të përcjellin para jush sot pikërisht Skedarin e famshëm të Fjalorit etimologjik të Joklit.

Pjesës së Parë të Skedarit i përkasin 169 skeda.
Pjesa II ka 196 skeda
Pjesa 3 përmban 206 skeda
Gjithsejt Skedari i Fjalorit Etimoligjik të Shqipes, i Norbert Joklit, përmban 571 skeda.

Kemi nderin që një kopje të tij t'ia dhurojmë Arkivës së Insitutit Çabej, dhe një kopje këtu sot Bibliotekës së Akademisë së Shkencave. Sot në mëngjes, një kopje iu dhurua Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Kopje do t'u dhurohen edhe Bibliotekës së Akademisë së Studimeve Albanoligjike, Bibliotekës së Fakultetit të Histori - Filologjisë të Universitetit të Tiranës, si dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bibliotekës së Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës së Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Përmbushim kësisoj një pjesë të amanetit të Dijetarit Tonë. U takon gjuhëtarëve tanë të shquar, shumica të dalë nga shkolla e Çabejt të madh, dhe një pjesë e mirë e të cilëve ndodhen sot në këtë sallë, ta marrin tashmë në dorë trashëgiminë e jashtëzakonshme të Joklit. Falemnderit dhe Punë të Mbarë.

(Pjesë nga studimi i paraqitur në Akademinë e Shkencave me rastin e promovimit të librit të Norbert Joklit "Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes", botuar nga Çabej]

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?