Report TV siguron dosjen italiane të Albert Veliut, zbulohen gënjeshtrat e 'dëshmitarit X'

17 Maj 2018, 17:10| Përditesimi: 17 Maj 2018, 22:32

  • Share

Superdëshmitari i paraqitur nga Partia Demokratike si “bashkëpunëtori X” dhe që doli para telekamerave me zë e figure, quhet Albert Veliu; 51 vjeç i ka mbushur më 19 janar dhe banon në Vlorë.

Por kjo është një nga të vërtetat e pakta që tregoi, pasi në pjesën më të madhe të dëshmisë së tij ai gënjeu. Ose, më mirë, tregoi gjysmë të vërteta. Duke filluar nga historia e tij gjyqësore në Itali. Albert Veliu tregoi se ishte arrestuar në Peskara më 2005 me 12 kg kokainë.

Nuk e dimë pse gënjen, por historia e tij është ndryshe: Albert Veliu nuk është arrestuar më 2005, por, sipas dosjes italiane të tij tij që ekskluzivisht e ka gjetur Report TV, ai u arrestua në Peskara më 24 mars 2009 nga Policia, në bazë të një urdhërarresti. Nuk u arrestua për trafikimin e 12 kilogramëve kokainë, por për trafikimin e 10 kilogramëve heroinë dhe një pistolete. Heroina u zbulua në vitin 2008 dhe ai u arrestua pas një viti sëbashku me 15 bashkëfajtorë të tjerë.

Në atë dosje nuk u përmend asnjëherë emri i Agron Xhafës. Nga ana tjetër, vetë Albert Veliu thotë se ka punuar në “grupin e Agron Xhafës” nga viti 2000 deri më 2002, ndërkohë që nga viti 2002 deri më 2009, kur, si Xhafa, ashtu edhe Veliu, kanë qenë në Shqipëri, duket se nuk kanë patur më asnjë kontakt. ''Nga Agroni më ka mbetur qejfi. Gjatë kohës kur rashë brenda nuk më solli një paketë cigare, një copë letër, aq sa kishim bërë për njëri-tjetrin'', tha ai. Kështu që nuk kuptohet se përse Veliu ka pritur ndonjë ndihmë në burg nga Agron Xhafa pas arrestimi ne 2009, duke qenë se me të kishte ndërprerë çdo bashkëpunim në fushën e drogës shtatë vjet para arrestimit të tij.

Por Albert Veliu gënjen edhe për dënimin e tij.

Në të vërtetë, Veliu nuk është dënuar me 18 vjet, as me 8 si pretendon ai, por dënimi për të ishte 5 vjet, me vendim të Gjykatës së Peskaras, marrë më 7 janar 2011. Albert Veliu e vuajti dënimin në Itali deri në gusht 2013, kur u dëbua drejt Shqipërisë në bazë të kërkesës së autoriteteve të Tiranës, të cilat, që nga viti 2009, kishin kërkuar ekstradimin e tij.

Një tjetë detaj i fshehur nga "dëshmitari X" është edhe ekstradimi nga Italia në vitin 2013, pasi ndaj tij ishte dhënë një dënim me tre vite burg nga Gjykata e Vlorës për trafikim automjetesh.

PD ka publikuar katër ditë më parë një videopërgjim ku ajo pretendon se implikon direkt përfshirjen e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, në trafikun e lëndëve narkotike. Dyshime dhe plot mistere për këtë përgjim ambiental pasi 'dëshmitari X' nuk pranon të jetë ai personi që ka regjistruar bisedën, ndërsa nga ana tjetër, sipas maxhorancës, nga ekspertiza që i është bërë videos nga një laborator i huaj, del se gjithçka është e sajuar.

Dhe fakti më i pabesueshëm është pikërisht kur dëshmitari thotë se video-përgjimi është bërë nga vetë Agron Xhafaj. “Shkoj te im bir, i kishte thënë shoku i Agronit pronarit të djalit: Shiko se babai jot është bërë figurë e njohur në Vlorë! Vete shikoj ato që shikoj se nuk marr vesh nga këto telefonat, më thanë “është zëri jot”, pronari i djalit. Ia kishte thënë shoku i ngushtë i imi dhe i Agronit “është zëri i Babales”. I kishte thënë Agroni që t’i bëni presion Babales”, thotë ai.

Ora 18:42
Nga inati i Agron Xhafajt, tek çudia e regjistrimit të bisedës/Non-senset e dëshmisë së 'dëshmitarit X'

Albert Veliu, 51- vjeçari i nxjerrë nga Lulzim Basha si “dëshmitari X”, i cili thotë se është i papunë, por vetëm një muaj më parë protestonte në Vlorë si biznesmen, në dëshminë e tij ka disa non-sense që vështirë se mund të shpjegohen me logjikë të thjeshtë.

Në fillim të dëshmisë së tij, ai thotë se kur ra në burg, Agron Xhafaj i ktheu kurrizin. “Punonim bashkë. Nuk më solli asnjë paketë cigare si shok, për aq vjet që njiheshim bashkë”, thotë ai. Por në mënyrë të çuditshme, sapo ai doli nga burgu, Agron Xhafaj, sipas tij, i ofroi punë për të birin.

Nga një njeri që e kishte bërë “hasha”, Agron Xhafaj papritur ishte bërë zemërbutë për Veliun. Dhe për më tepër, pasi kishin vite që kishin shkëputur marrëdhëniet, Agron Xhafaj ishte gati që ta ndihmonte atë të dërgonte hashash në Itali!

Skafisti në çdo moment të intervistës përsërit se nuk kishte ndërmend që të bënte vërtet rrugën drejt Italisë, por e gjitha ishte një provë që kishte dashur t’i bënte Agron Xhafajt.

Pra, 51-vjeçari skafist na del aq i zgjuar, sa do t’i bënte një rreng Agron Xhafajt! Por fakti më i pabesueshëm, është kur thotë se video-përgjimi është bërë nga vetë Agron Xhafaj.

“Shkoj te im bir, i kishte thënë shoku i Agronit pronarit të djalit: Shiko se babai jot është bërë figurë e njohur në Vlorë! Vete shikoj ato që shikoj se nuk marr vesh nga këto telefonat, më thanë “është zëri jot”, pronari i djalit. Ia kishte thënë shoku i ngushtë i imi dhe i Agronit “është zëri i Babales”. I kishte thënë Agroni që t’i bëni presion Babales”, thotë ai.

Tani nuk kuptohet përse Agron Xhafaj duhet t’i bënte presion Veliut, kur vetë ky i fundit kishte shkuar për t’i kërkuar ndihmë atij! Dhe përse Agron Xhafaj duhej të përgjonte veten e vet. Pra, nuk ka asnjë logjikë që të bind se kjo është e vërtetë. Më tej ai thotë se Agroni ka bërë të tjera filmime me të.

Agron Xhafaj, që sipas tij komandon gjithë Vlorën, paska qenë në fakt aq naiv sipas këtij skafistit, sa të përgjonte dhe filmonte veten, për pisllëqet që bënte. Të marrësh seriozisht një skafist është vetë non-sens në fakt, por dëshmia e tij duke e thurrur shumë keq./TemA/


Lajmi kryesor:

'Dëshmitari X' i PD: Agronin e vura në provë për një rrugë droge (Videodëshmia e plotë)


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?