Zbulohen koleksionet shekullore të Bibliotekës Bullgare, Misha: Akti i parë i Memorandumit të përbashkët, ata do të çelin një qoshk të posaçëm për Shqipërinë

6 Prill 2022, 17:10| Përditesimi: 6 Prill 2022, 17:27

  • Share

Një ekspozitë fotografike çelur në Bibliotekën tonë Kombëtare, zbulon thesaret e koleksionuara përgjatë shekujve  të Bibliotekës Kombëtare në Bullgari. E themeluar 140 vite më parë, ajo mban emrin e dy vëllezërve bashkëpajtues të Evropës “Shën Cirili dhe Metodi”...

“Janë ekspozuar dëshmitë më të rëndësishme që lidhen me historinë e Bullgarisë, por edhe disa nga librat më me peshë që ata konsiderojnë se kanë në bibliotekën e tyre”, thotë studiuesi Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Mes koleksioneve gjenden edhe libra të vjetër, kopje të të cilëve ruhen edhe në Bibliotekën tonë, siç është botimi i vitit 1541 për jetën e Skënderbeut.  Por, të tjerë me interes për vendin do të mund të zbulohen nga studiuesit tanë në vijim falë lehtësive që sjell nënshkrimi i “Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim”  mes dy bibliotekave kombëtare...

“Kjo ekspozitë është akti i parë i këtij Memorandumi, nënshkrimi i të cilit i  hap rrugë shkëmbimeve kulturore midis dy palëve. Shkëmbime në fushën e librit, të dorëshkrimeve etj. Në Bibliotekën e Bullgarisë ne dimë se ka mjaft materiale për Shqipërinë. Sigurisht që të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne. Do të kemi edhe shkëmbime specialistësh. Por konkrete është që Biblioteka Kombëtare ‘Shën Cirili dhe Metodi’, që është një institucion mjaft i rëndësishëm atje, do të krijojë një qoshk, një hapësirë të veçantë kushtuar Shqipërisë. Dhe muajin tjetër do të bëjmë edhe ne një ekspozitë të tillë në Sofje, me një pjesë të materialeve të ekspozitës ‘Thesare të Bibliotekës Kombëtare’  të organizuar me rastin e 100-vjetorit të BK”, shton më tej studiuesi.

Dorëshkrimet më të hershme të koleksionit janë të natyrës fetare. Ndërsa nga “Arkivi historik bullgar” zbulohen edhe materiale si portreti i princit Aleksandri i Parë Batenberg, manifesti i Ferdinandit të Parë që shpalli Luftën Ballkanike apo fletorja personale e poetit revolucionar Peyo Yavorov. Transkriptet e veprave të autorëve të hershëm arabë, dorëshkrime persiane e botime të rralla në osmanishte zbulohen mes koleksionit oriental.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?