Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari politik i Enver Hoxhës, të cilat i përkasin periudhës kohore 9 mars – 30 prill të vitit 1961, ku udhëheqësi komunist i Shqipërisë, ka mbajtur shënime dhe ka analizuar ngjarjet dhe raportet zyrtare në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe qeverisë shqiptare, me Moskën zyrtare, duke u përqëndruar jo vetëm në marrëdhëniet në mes dy vendeve, siç ishin problemet me incidentet në ‘Bazën Ushtarake’ të Vlorës kur sovjetikët donin të tërhiqnin prej andej të gjitha nëndetëset, anijet dhe arsenalin ushtarak, por edhe ato të situatës ndërkombëtare, siç ishte ‘Mbledhja Konsultative e Komisionit Politik’ e vendeve të Traktatit të Varshavës, ku asokohe aderonte dhe Shqipëria, që ishte caktuar të mbahej më datat 28 dhe 29 mars të atij viti dhe gjithashtu marrëdhëniet e raportet zyrtare me një sërë partishë komuniste dhe shtetesh të ndryshme si; Kina, Koreja e Veriut, Vietnami, Hungaria, Jugosllavia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Kuba, Franca etj. Si i’u përgjigj Enver Hoxha kërkesave të palës sovjetike lidhur me “Bazën e Vlorës” dhe përse ai i refuzoi ftesat për në mbledhjen e Traktatit të Varshavës, ku do të merrnin pjesë dhe asistonin të gjithë udhëheqësit më të lartë të vendeve anëtare, duke filluar nga sekretarët e parë të partive, kryeministrat, ministrat e Mbrojtjes, ata të Punëve të Jashtëme, etj.?!
“Në orën 5 të mëngjesit mora një radiogram nga delegacioni ynë që ndodhet në Moskë për të marrë pjesë Mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të vendeve anëtare të ‘Traktatit të Varshavës’. Më njoftojnë se mareshali Greçko, në orën 23 të ditës së djeshme, u kishte dorëzuar një letër me qëllime frikësimi dhe shantazhi. Në të ai kërcënonte se, në rast se ne nuk pranojmë që baza e Vlorës të bëhet krejt sovjetike dhe të gjitha anijet të merren krejtësisht në dorëzim nga sovjetikët, atëherë ai do ta shtrojë këtë çështje në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës dhe do kërkojë nga qeveria sovjetike, që baza të hiqet fare nga Vlora. Siç shihet, kjo kërkesë kërcënuese sovjetike i përngjet kërkesës së dikurshme titiste për dërgimin e “të famshmëve” divizione jugosllave në Shqipëri, gjë që kishte për qëllim pushtimin e Shqipërisë. Është e qartë, po këto qëllime ka dhe qeveria e Hrushovit. Sovjetikët kërkojnë të shkelin traktatet dhe marrëveshjet që kanë nënshkruar, ta kenë Vlorën bazë të tyre dhe të bëjnë atje çfarë të duan. Por atyre këto nuk u shkojnë dhe nuk kanë për t’u shkuar kurrë me ne. Prandaj i porosita shokët e delegacionit, se si t’u përgjigjen sovjetikëve, zjarr për zjarr, dhe Greçkoja e mori përgjigjen para se të mbante raportin e tij në mbledhje, sot”. Kështu shkruante në mes të tjerash Enver Hoxha në ditarin e tij sekret, plot 60 vite më parë në fundin e marsit të vitit 1961, kur “e çara” që kishte filluar në mes marrëdhënieve zyrtare të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Kremlinit, jo vetëm që nuk mund të “mbyllej” dot më, por ajo po “zmadhohej” për ditë e më shumë. Kjo gjë duket mësëmiri edhe në shënimet e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës, të mbajtura në ditarin e tij në periudhën mars – prill të vitit 1961, kohë kjo mjaft e ngarkuar me ngjarje të shumta jo vetëm në arenën ndërkombëtare, siç ishte ‘Mbledhja e Komitetit Politik Konsultativ’ e vëndeve anëtarë të Traktatit të Varshavës, ku aderonte asokohe edhe Shqipëria, por edhe me ngjarje të tjera, madje shumë më të rëndësishme, siç ishte situata e nderë në Bazën Ushtarake të Vlorës, ku pala sovjetike kërkonte që të merrte të gjithë arsenalin e saj ushtarak që kishte sjellë aty që në mesin e viteve ’50-të, kur marrdhëniet në mes dy vëndeve ishin “në muajt e mjaltit”. Por kjo gjë po haste në kundërshtimin e prerë të udhëheqësit komunist shqiptar, i cili me të gjitha mënyrat po i refuzonte kërkesat dhe presionet e palës sovjetike me në krye Nikita Hrushovin, madje duke e etiketuar atë si “armikun më të madh”, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjithë “popujve paqedashës të botës”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhës, mbajtur prej tij në periudhën, 9 mars – 30 prill 1961, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë.
Vijon nga numri kaluar
Ditari sekret i Enver Hoxhës për ngjarjet me sovjetikët dhe ‘Bazën Ushtarake’ të Vlorës, në periudhën 9 mars – 30 prill 1961
E HENE, 10 PRILL 1961
NJË DELEGACION YNI QEVERITAR EKONOMIK NISET PËR NE PEKIN E PHENIAN
Bisedova me kryetarin e delegacionit tonë qeveritar ekonomik, i cili nesër niset për Pekin e Phenian, për të përfunduar dhe për të nënshkruar objektet e kreditit për pesëvjeçarin e tretë. Kinezët po u përgjigjen kërkesave tona në mënyrë të kënaqshme.
E MARTE, 11 PRILL 1961
EDHE REVIZIONISTËT ÇEKOSLLOVAKË NA KERCENOJNE
Revizionistët çekosllovakë po i vazhdojnë kërcënimet kundër vendit tonë. Në pritjen e dhënë nga rumunët në Bukuresht për nder të delegacionit të partisë dhe të qeverisë çekosllovake që ka shkuar në Rumani, ministri i Punëve të Jashtëme të Çekosllovakisë, i tha ambasadorit tonë atje: “Mosmarrëveshjet në kampin e socializmit po thellohen dhe bëhen të rrezikshme. Duhet të merren masa për t’i eliminuar”.
E ENJTE, 13 PRILL 1961
VIGJILENCE, TË EVITOJME PROVOKACIONET E REVIZIONISTEVE
Vazhdojnë sulmet kundër nesh. Tani ato janë më të hapura. Në komunikatën e përbashkët, që u botua pas bisedimeve midis delegacionit të partisë dhe të qeverisë së Çekosllovakisë dhe atij të Rumanisë, në një vend thuhet: “Jo vetëm do të luftojmë kundër revizionizmit dhe dogmatizmit, por edhe kundër çdo goditjeje që kërkon të prishë unitetin e kampit socialist”. Të poshtërit! Ata përgatitin provokacione kundër nesh. Prandaj duhet të jemi vigjilentë! Ulbrihti me Toliatin, provokuan hapët që ne të binim në provokacionin e tyre. Tash provokojnë çekosllovakët dhe rumunët në mënyrë indirekte dhe kërcënojnë. Të jemi gati e të përgatitur, se armiku punon. Të evitojmë gabimin më të vogël, pse armiqtë janë gati të kapen pas tij për të shpërthyer fushatën kundër nesh.
E SHTUNE, 15 PRILL 1961
PERPJEKJA E REVIZIONISTEVE TE BALLKANIT PER TE NA IZOLUAR
Përfaqësuesit e qeverisë bullgare dhe ata të qeverisë rumune pranuan dhe shkuan në Athinë ku do të mblidhen tok me grekët dhe me jugosllavët për të biseduar për çështjet e Ballkanit, pa ne. Kështu ata pranuan dhe u bashkuan me pikëpamjet titiste për ta izoluar vendin tonë.
E SHTUNE, 15 PRILL 1961
ZBULOHET NJE GRUP ANTIPARTI PRO-JUGOSLLAV
Bullgarët na njoftuan se kanë zbuluar një grup revizionist antiparti të lidhur me jugosllavët. Sa grupe të tilla, të hapëta dhe të maskuara ka atje, që i ndihmon revizionizmi në kokë! Ky zbulim është sa për t’u hedhur hi syve leshkove.
E DIEL, 16 PRILL 1961
SPASTRIME NE UDHEHEQJEN E REPUBLIKAVE SOVJETIKE
Në Bashkimin Sovjetik vazhdojnë spastrimet në masë në udhëheqjen e republikave. Këtë herë u përjashtuan nga partia sekretari i parë, sekretari i dytë, sekretari i tretë, i Komitetit Qendror të Taxhikistanit dhe kryeministri. Të gjithë këta pse gjoja kishin gënjyer në shifrat për pambukun!
E HËNË, 17 PRILL 1961
IMPERIALISTET AMERIKANE SULMOJNE KUBEN
Sot në mëngjes, në orën 5, amerikanët dhe mercenarët kubanë sulmuan Kubën heroike. Filluan luftimet. Populli heroik kuban nuk do të mposhtet! U dukën ç’janë në të vërtetë mburrjet e poshtra të Hrushovit se do të hedhë rraketat. Sa false tingëllon e famshmja “rrugë paqësore” e marrjes së pushtetit që predikojnë revizionistët: Hrushov – Gomulka – Toliati e kompani! Jo vetëm që borgjezia s’ta jep pushtetin pa i’a rrëmbyer këtë me dhunë, por edhe kur e ke fituar me dhunë, të sulmon që të ta rrëmbejë. Kuba do të vuajë, por tradhtia e madhe e revizionistëve me Hrushovin – Titon – Gomulkën – Toliatin e shokët e tyre, do të demaskohet në sytë e popujve dhe të komunistëve të vërtetë.
E MARTE, 18 PRILL 1961
POPULLI KUBAN DO TE FITOJE
Në Kubë lufta vazhdon e ashpër. Kam bindjen e plotë se populli kuban do të fitojë, pse është i armatosur, i mobilizuar e në revolucion. Përveç artikujve, deklaratës së Qeverisë dhe mitingjeve nëpër ndërmarrje, u dhanë porosi që sot pasdreke në gjithë Shqipërinë, të organizohen demonstrata dhe mitingje në shenjë solidariteti me popullin heroik kuban.
E MERKURE, 19 PRILL 1961
SULMI AMERIKAN KUNDER KUBES PO DESHTON
Luftimet në Kubë vazhdojnë, por radiot perëndimore japin shenja dëshpërimi. Sulmi po dështon.
E ENJTE, E PREMTE 20 PRILL 1961
FITORE E SHKELQYER
Kubanezët fituan. Sulmi i imperialistëve amerikanë dhe i mercenarëve të tyre u thye, kundërrevolucionarët u asgjësuan. Këtë e deklaroi sot Kastroja. Fitore e shkëlqyer! Fitore e madhe për Kubën, fitore e madhe për ne e revolucionin në përgjithësi. Vërtetimi i vijës së drejtë të Partisë sonë, disfatë e vijës oportuniste revizioniste të Hrushovit e kompani, dështim i politikës së lajkave, të buzëqeshjeve e të lëshimeve ndaj imperialistëve. Dështim për imperialistët amerikanë, për revizionistët jugosllavë dhe për monarko-fashistët grekë që komplotojnë kundër nesh. Populli ynë e gjithë popujt revolucionarë, kurrë nuk mund të mposhten. Armiqtë do të demaskohen kurdoherë! Bravo Kuba!
E PREMTE, 21 PRILL 1961
VEPRIM I POSHTER DHE I PATURPSHEM NGA ANA E SOVJETIKËVE
Më lajmëruan një veprim të poshtër. dhe paturpshëm të sovjetikëve. Ata i dhanë urdhër vaporit që po shkarkonte në Durrës, hekur e materiale të tjera për Pallatin e Kulturës në Tiranë, t’i ngarkojë ato përsëri dhe t’i kthejë në Bashkimin Sovjetik. Armiqësi të këtilla ndaj popullit dhe vendit tonë mund të tregojnë vetëm imperialistët dhe revizionistët. S’ka gjë, ne do të ecim përpara, por mjerë populli vëlla sovjetik, se në ç’duar ka rënë, çfarë banditësh pa skrupull kanë marrë fuqinë në Bashkimin Sovjetik!
E DIEL, 23 PRILL 1961
U NENSHKRUAN MARREVESHJET EKONOMIKE ME KINEN
Në mbrëmje agjencia ‘HSINUHA’ njoftoi se në Pekin u nënshkruan marrëveshjet për dhënien e pajisjeve të plota dhe të ndihmës teknike Republikës Popullore të Shqipërisë nga Republika Popullore e Kinës, për specialistët dhe për përdorimin e kredisë së dhënë nga pala kineze për këtë pesëvjeçar. Nënshkrimi këtyre marrëveshjeve është një sukses ekonomik e politik për ne dhe një grusht për ata që s’ia duan të mirën popullit e Partisë sonë.
E HENE, 24 PRILL 1961
SHENIME
Qeveria hungareze hodhi poshtë, me terma të ulët, letrën e Qeverisë sonë në lidhje me mbledhjen e Traktatit të Varshavës. Pavarësisht se ç’janë udhëheqësit hungarezë, në këtë qëndrim të tyre duket qartë presioni i Hrushovit. Ambasadori sovjetik, sapo zbriti nga avioni, i dorëzoi Beharit një notë të poshtër, me të cilën akuzon në mënyrë shpifëse palën tone, se gjoja ne kemi kërkuar largimin e specialistëve sovjetikë të naftës. Ambasadori dhe ata që e kanë dërguar janë njerëz shumë të ulët, falsifikatorë dhe të gjitha këto i bëjnë që të justifikojnë heqjen e specialistëve dhe prerjen e kredive. Reaksioni ultra i djathtë francez, po përgatit grushtin e shtetit fashist. Dje në Algjeri gjeneralët fashistë francezë, morën pushtetin dhe kërcënojnë Francën. Besoj se komunistët francezë do të vënë mend dhe do të shohin ç’është “rruga paqësore e marrjes së pushtetit”.
E MARTE, 25 PRILL 1961
VEPRIM ARMIQESOR I SOVJETIKEVE
Sot funksionarët e ambasadës sovjetike, duke vepruar në mënyrë armiqësore, thirrën me shpejtësi në Tiranë nja dymbëdhjetë specialistë dhe nesër i largojnë ata për në Bashkimin Sovjetik. Dhjetëve prej tyre u ka mbaruar afati. Këta specialistë janë nga ata që punonin në ndërtimin e Pallatit të Kulturës, në Trikotazhin e Korçës, në projekte dhe në Kombinatin e Sheqerit. Kjo është një mënyrë armiqësore veprimi. Veç të tjerash, sovjetikët duket i ka tërbuar komunikata e ndihmës që na jep Kina dhe veprojnë si armiq, por si armiq të marrë. Çdo ditë e më tepër po bëhet shumë e qartë çfarë klike ka ardhur në krye të Bashkimit Sovjetik. Duhet shumë vigjilencë me këta tradhtarë!
E MERKURE, 26 PRILL 1961
VEPRIM I TURPSHEM I AMBASADES SOVJETIKE
Me një ngutësi të turpshme ambasada sovjetike vazhdon të grumbullojë në Tiranë specialistët sovjetikë, për t’i kthyer në Bashkimin Sovjetik. Shumë sovjetikë qajnë, kur ndahen me njerëzit tanë.
E ENJTE, 27 PRILL 1961
BLOFI I “MIREKUPTIMIT BALLKANIK”
Në mbledhjen që u zhvillua në Athinë për “mirëkuptimin ballkanik”, ne nuk morëm pjesë, pse grekët nuk i dhanë vizën e hyrjes delegacionit tonë, ndërsa jugosllavët, me siguri kanë influencuar te grekët që ne “të izoloheshim”. Rumunët dhe bullgarët drodhën vithet. Ata nuk e mbajtën fjalën që thanë se “nuk do të shkonin, në rast se grekët nuk do të na jepnin neve vizë”. Bile, as që na vunë në korent se ç’u bë e se ç’u tha atje. Kuptohet se kundër nesh janë thënë gjëra të poshtra nga ana e grekëve dhe e jugosllavëve. “Miqtë”, sigurisht, kanë heshtur, por me këtë qëndrim veten demaskojnë. Komunikata që u lëshua ishte një lëng pa kripë dhe pa asnjë pikë yndyre.
E PREMTE, 28 PRILL 1961
SHENIME
Bisedë me shokun Pupo Shyti, i cili raportoi mbi përfundimet e punëve me shokët kinezë. Çdo gjë mbaroi mirë. Kinezët të gjitha kërkesat tona i plotësuan. Ata do të na ndërtojnë këtë pesëvjeçar disa ndërmarrje industriale, do të na furnizojnë me mallra, si traktorë etj. Sot kishim për drekë të shoqen e S.K. Naumanit, militantit të vjetër komunist çekosllovak, që më 1914 ishte efektiv i ushtrisë austriake që erdhi në Elbasan. Ai ka shkruar vjersha për Shqipërinë dhe ka bërë piktura për Elbasanin.
E SHTUNE, 29 PRILL 1961
MBI QELLIMET E VIZITËS SE RANKOVIÇIT NE GREQI
Së shpejti Rankoviçi do të ‘bëjë një vizitë zyrtare në Greqi. Lidhur me këtë hartova tezat e artikullit që do të shkruaj për të demaskuar qëllimet e kësaj vizite.
E DIEL, 30 PRILL 1961
VAZHDON TE ASHPERSOHET QENDRIMI ARMIQESOR I UDHEHEQJES SOVJETIKE NDAJ NESH
Udhëheqja aktuale sovjetike vazhdon me këmbëngulje punën e saj armiqësore kundër Partisë dhe popullit tonë. Për ne ajo ka vendosur ligjin e heshtjes; në shtypin sovjetik për Shqipërinë nuk flitet fare, krejtësisht fare. Asnjë informatë ose lajm nuk botohet për aktivitetin tonë të jashtëm. Diplomatët sovjetikë dhe miqtë e tyre kudo përpiqen t’i izolojnë krejtësisht diplomatët tanë. Në Bashkimin Sovjetik shpifin për ne, na sulmojnë dhe na shajnë. Këtu, në mënyrë të poshtër hoqën dhe vazhdojnë të heqin specialistët sovjetikë, të cilët në shumicë nuk e aprovojnë këtë veprim të qeverisë së tyre. Shumë prej tyre kanë qarë, kur janë ndarë me njerëzit tanë. Nga baza detare e Vlorës, sovjetikët akoma nuk janë tërhequr, por duket se po bëjnë përgatitje. Tatojnë pulsin tonë nëse do të përpiqemi apo jo të mbajmë katër nëndetëset që na përkasin. Ata vanë deri në provokacion. Roja sovjetike u ktheu automatikun marinarëve tanë që do të hypnin në luftanije. Megjithatë, tanët u futën. Vetë ambasadori sovjetik dhe gjenerali Andrejev i udhëheqin këto veprime. Ndihmat ekonomike na i kanë prerë. Na kërcënojnë edhe për marrëveshjet mbi bazën e kleringut. Vendet e tjera të demokracisë popullore janë, gjithashtu, kundër nesh, ata mbajnë, që të gjithë, anën e sovjetikëve. Kinezët na përkrahin. Ata janë dakord me qëndrimin tonë dhe e quajnë heroik. Ndihma ekonomike e tyre është e madhe. Koreanët, gjithashtu, na ndihmojnë diçka. Delegacioni ynë qeveritar ekonomik, po pritet përzemërsisht kudo në Kinë. /Memorie.al