Enver dhe Nexhmije Hoxha; Mehmet Shehu

Dosje

Zbulohet dokumenti Sigurimit që tërboi Enver Hoxhën: Kryeministri ka dy ministra të tijtë, tani ka gjithë shtetin në dorë! Hysni Kapon e urrente, u grindën në sy të shoferit

2 Tetor, 07:51| Përditesimi: 2 Tetor, 09:36

  • Share

Duke kujtuar, analizuar dhe reflektuar më pas mbi të gjitha ato që ndodhën në Konferencës e Tiranës në prillin e vitit 1956, thuhet se Enver Hoxha e kuptoi fare qartë se; “privilegjet e Bllokut”, “niveli i ulët i mirëqenies së popullit”, “rehabilitimi i figurës së Koci Xoxes”, apo “kulti i individit”, etj., ishin thjesht fasada pas së cilës fshiheshin ata që u ngritën hapur gjatë punimeve të saj konference, apo që ata që fshiheshin pas tyre (si p.sh. ambasada jugosllave në Tiranë, etj.), ai ishte shumë i bindur, se gjithçka kishte të bënte dhe synonte postin e tij në krye të PPSH-së. Ndërsa e gjithë kjo mund të merret si e vërtetë, të paktën hipotetikisht, realisht posti i tij u rrezikua seriozisht në vitin 1961, pas kontradiktave të thella dhe prishjes së marrëdhënieve zyrtare më Bashkimin Sovjetik të udhëhequr prej Nikita Hrushovit.

Diku nga fundi i atij viti, në një nga mbledhjet e Traktatit të Varshavës të zhvilluara në Moskë, ku ishin të ftuar të gjithë sekretarët e parë të Partive dhe kryeministrat e vendeve anëtare të atij pakti ushtarak të Europës Lindore, ku aderonte dhe Shqipëria që nga krijimi i tij, në 14 majin e vitit 1955, sapo mori fjalën dhe i uroj mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, Nikita Hrushovi u shpreh: “Ku janë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, pse nuk kanë ardhur sot këtu, apo kanë pasur frikë?! Çudi…se ata na hiqen si shqiponja, por shqiponja si ata të dy, ne kemi plot në kaukaz, që bëjnë glasa gjithë ditën…”!

Kolonel Edip Ohri, ish-komandant i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë për vite me radhë (dhe deputet i Kuvendit Popullor në disa legjislatura), prezent në atë mbledhje, në një nga dëshmitë publike (për autorin e këtij shkrimi), në vitin 2003, ka dëshmuar se, fjala e Hrushovit shkaktoi ilaritet në sallë dhe teksa ushtarakët madhorë shqiptarë që ishin aty si pjesë e delegacionit, u ngritën dhe po largoheshin, Hrushovi shtoi: “Kam shumë besim se Shtatmadhoria Shqiptare, ku pjesa më e madhe e tyre kanë studiuar dhe janë diplomuar në shkollat dhe akademitë tona, nuk do ta lejojnë kurrë këtë aventurë të udhëheqjes së Tiranës, me në krye Hoxhën dhe Shehun”!

Sipas Edip Ohrit, në atë mbledhje të Traktatit të Varshëvës që zhvillohej me përfaqësimin më të lartë politik të vendeve anëtare, Nikita Hrushovi, as më shumë dhe as më pak, u bëri thirrje hapur ushtarakëve shqiptarë, që ta rrëzonin Enver Hoxhën! Gjë e cila, jo vetëm që nuk ndodhi dhe as u tentua ndonjëherë më pas, por Enver Hoxha i forcoi më shumë pozitat e tij në krye të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Madje duke u mburrur e krenuar, se kishte triumfuar dhe fituar përballë revizionistëve sovjetikë, me në krye Nikita Hrushovin, i cili “tradhtoi marksizëm-leninizmin dhe u shit për pesë aspra, tek imperializmi”!

Siç dihet tashmë, që nga ajo kohë e më pas, deri sa ai vdiq në prillin e vitit 1985, posti i Enver Hoxhës në krye të PPSH-së dhe gjithashtu atyre që rridhni prej tij, (Komandant i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Kryetar i Frontit Demokratik, etj.), jo vetëm që nuk u rrezikua kurrë, por ai (Enveri) pati kohë të ndërronte pjesën më të madhe të Byrosë Politike dhe qeverisë, e të linte edhe trashëgimtarin e tij në krye të Partisë dhe Shtetit. Por, deri sa erdhi ajo ditë, (pra vdekja natyrale e tij dhe lënia e trashëgimtarit), atij iu desh që të “kujdesej shumë”, për postin nr 2., pra për atë që do t’i linte “frenat” e Partisë dhe shtetit, si dhe familjen e tij.

Të paktën deri nga viti 1974-’75, postin nr. 2, apo thënë më qartë atë të trashëgimtarit të tij, e synonin tre veta; Beqir Balluku, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, të cilët, me paranojën e tij, Enveri i mbante në një distancë të baraslarguar. Por pikërisht në atë kohë, kur Beqir Balluku i cili konsiderohej si një nga bashkëpunëtorët më besnik të tij, i kishte forcuar më shumë pozitat si nr. 2 i vendit, (falë dhe një popullariteti të madh që ai gëzonte në Tiranë dhe zonat përreth ku kishte pasur edhe aktivitetin e tij më të madh, gjatë periudhës së luftës), Enver Hoxha goditi dhe eliminoi edhe fizikisht atë! Po pse ndodhi kjo dhe përse Enveri çoi në plumb njeriun më besnik të tij, për të cilin, në 29 nëntorin e vitit 1961, i sapo kthyer nga Moska , në festën e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, ishte shprehur: “Dollinë e parë do ta ngremë për shokun Beqir Balluku, i cili shpëtoi Partinë, nga synimet e errëta të revizionistëve hrushovianë…”!

Nga ata që i kanë jetuar nga afër këto ngjarje apo dhe deri bashkëpunëtorë më të ngushtë të Enver Hoxhës, thuhet se ai (Enveri), e dinte fare mirë dhe ishte më se i qartë, se për Beqir Ballukun, ai jetonte edhe 100 vjet dhe; “s’i hynte gjemb në këmbë”, por atë gjë, pra eliminimin e Ballukut, ia kërkoi Mehmet Shehu, duke gjetur pretekstin e “Tezave të zeza” dhe “Teorinë e rrëshqitjes”, histori tashmë janë të njohura. Me eliminimin e Ballukut, bashkë me postin e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Enveri i dha një sinjal të qartë Mehmetit, duke ja bërë të ditur, se; ai nuk kishte më asnjë pengesë përpara! Pra; “Tani prit radhën, kur të vdes unë…”!

Por edhe pas kësaj, pra eliminimit të Ballukut, në udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe shtetit, duket se nuk pati qetësi, pasi lufta për vendin e dytë, vazhdoi, madje dhe më e ashpër. Duke parë Hysni Kapon si pasardhës të Enverit, Mehmet Shehu me anë të ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, luftonin dhe mundoheshin me të gjitha mënyrat, që ta zbehnin sa të mundnin Kapon, në sytë e Enver Hoxhës dhe “shokëve të tjerë të udhëheqjes së lartë”! Edhe pse ata (Hazbiu dhe Feçori), vareshin direkt nga Hysni Kapo në rrugë Partie, pasi si sekretar i Komitetit Qendror, Kapo mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit, duket se ia arritën deri diku! Kjo pasi, jo pak, por plot shtatë nipa të Hysni Kapo, (djemtë e vëllezërve dhe motrave të tij), përfunduan burgjeve politike, me akuzat për “agjitacion e propagandë apo tentativë arratisje”!

I fundit që mbylli “serinë” e arrestimeve dhe dënimeve në gjallje të Hysni Kapos, ishte Aladin Kapo, oficer në Marinën Tregtare në Durrës, i cili u arrestua me disa kolegë të tij dhe u dënua me burg politik, në vitin 1977! Dhe kur Feçor Shehu, ia çoi dosjen e tij (Aladinit) për ta firmosur, duke i thënë: “Çdo bëjmë me këtë”?! Hysni Kapo, me një ton të lartë tejet agresiv, i tha: “Në burg dhe ai, si gjithë të tjerët. Partia jonë ka vetëm një vijë”. (Plot dhjetë vite më pas, në burg politik përfundoi edhe djali i motrës së Hysni Kapos, Vullnet Thanasi, që u arrestua në Austri, kur shërbente si diplomat në Pragë dhe u soll “pako postale” në Shqipëri, me anije). Për të gjitha këto sa më sipër, ka dëshmuar publikisht (për autorin e këtij shkrimi), një nga nipat e tjerë të Hysni Kapos, Vladimir Kapo, (ish-instrumentist në Orkestrën e Tetarit të Operës), duke treguar qartë, gjithçka ndodhte me kushërinjtë e tij të parë, nipat e tjerë të Hysni Kapos.

Por edhe pas vdekjes Hysni Kapos, (e cila vazhdon të përflitet ende edhe sot pas kaq vitesh), njeriut që shikohej dhe konsiderohej si pasardhësi i Enver Hoxhës, Mehmet Shehu, nuk ishte aspak i qetë! Pasi një tjetër nga “shokët e udhëheqjes”, kishte dalë në skenë…! Ai ishte Ramiz Alia, i cili “urtë e butë dhe pa u ndierë”, ishte afruar shumë më tepër se të tjerët, “udhëheqësit kryesorë të Partisë”! Madje duke u bërë “karshillëk” edhe të gjithë “shokëve” të tjerë të Byrosë Politike dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së, deri sa më 12 prill 1985, mori dhe “de facto” të gjitha funksionet dhe postet e Enver Hoxhës, të cilat “de jure” i kishte marrë disa vjet më parë…!

Por, ardhja e Ramiz Alisë në krye të PPSH-së, duket se nuk ishte një rastësi, apo produkt i rrethanave e situatave që erdhën në prag të vdekjes së diktatorit Enver Hoxha! Jo aspak. Enver Hoxha duket që e kishte parashikuar dhe përcaktuar qartë trashëgimtarin e tij në krye të PPSH-së, që dhjetë vite para vdekjes së Hysni Kapos, dhe përpjekjet apo pretendimet e tij, bashkë ato të Mehmet Shehut e Beqir Ballukut, për të zënë vendin nr. 2, kishin qenë të kota. Sepse, në datën 18 tetor 1970, kur të gjithë “shokët e udhëheqjes” ishin mbledhur te shtëpia e Ramiz Alisë, (me rastin e 45 vjetorit të ditëlindjes së tij), Enver Hoxha erdhi i fundit aty dhe e mori fjalën i pari, duke thënë: “Po e ngremë këtë dolli për shokun Ramiz Alia, një udhëheqës i ri dhe me mjaft perspektiv, i brumosur me mësimet e marksizëm-leninizmit, nga i cili duhet të marrim shembull të gjithë”!

Sipas Muntaz Shehut (ish-ndihmës i kryeministrit Mehmet Shehu për vite me radhë), në atë çast, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, edhe pse në distancë, menjëherë u shikuan sy më sy, duke shprehur qartë habinë, për atë që dëgjuan! Sepse, nuk kishin dëgjuar kurrë nga goja e Enver Hoxhës, që ai të thoshte gjëra të tilla, që zakonisht thuheshin për katër klasikët e Marksizëm-leninizmit. Por habia e tyre nuk do zgjaste shumë, pasi atë që ata menduan pas asaj dite, (që Enveri po ngrinte dhe po afronte shumë Ramiz Alinë) duket se u bë realitet në fillimin e viteve, 70-të, kur Enver Hoxha bëri krushqi me familjen Alia, duke marrë nuse për djalin e madh, Ilirin, Teutën vajzën e vëllait të Ramizit. Kjo lidhje krushqie mes familjes Hoxha dhe Alia, duket e forcoi, të paktën “de jure” miqësinë e mes tyre, pasi “de facto” dhe të pakthyeshme, miqësia e tyre do të dilte hapur në vitin 1973. Kur Enveri goditi “grupin armiqësor art e kulturë”, me në krye Todi Lubonjën dhe Fadil Paçaramin, ku Ramizit, që ishte direkt përgjegjës për atë gjë, “nuk i hyri ferrë në këmbë”!

Lidhur me sa më sipër, luftën për vendin nr. 2 të Shqipërisë komuniste, bëjnë fjalë dhe këto dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat i përkasin vitit 1981. Dokumenti i parë tregon për bisedat që janë bërë në Burgun e Ballshit, ku vuanin dënimet disa nga ish-kuadrot e funksionarët e lartë e PPSH-së, ku Shemsi Totozani, (ish-ambasador i Shqipërisë në Paris dhe baxhanak i Bedri Spahiut) gjatë një bisede, ka treguar lidhur me ato që i ka thënë Kasem Trebeshina për Mehmet Shehun, i cili sipas tij: “Ka marrë frenat e shtetit në dorë, pasi ka të tijët edhe Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun”, etj. etj.

Ky dokument agjenturor, (sipas platformës së Sigurimit të Shtetit), i është dërguar Enver Hoxhës dhe me shumë gjasa, ai ka nxitur tërbimin e tij ndaj Mehmet Shehut. Nisur prej paranojës së tij, Hoxha duket se i ka besuar gjithçka thuhej aty, për disa arsye; E para, ato fjalë thuheshin nga një njeri i afërt i familjes së Mehmet Shehut, si Kasem Trebeshina, që kishte shumë informacion, pasi vëllai i të cilit Myzefar Trebeshina, ishte sekretar i parë dhe kryetar komiteti në disa rrethe, kurse i biri, Fatosi, hetues i Sigurimit të Shtetit në Hetuesinë e Përgjithshme.

Po kështu, Kasemi dhe Myzaferi, ishin kushërinj të parë të Fiqret Shehut, baxhanak me Bilbil Klosin dhe krushqi me Ramiz Alinë. Si dhe fakti tjetër, që pikërisht ato ditë, Mehmet Shehu, kishte bërë fejesën e djalit të tij, me mbesën e Arshi Pipës. Shto këtu dhe faktin që djali i dytë i Mehmet Shehut, kishte refuzuar fejesën me mbesën e Nexhmije Hoshës, që ishte rritur në familjen Hoxha, apo dy vilat e reja që po përfundonte Mehmeti në Tiranë dhe Vlorë, duket se thonin shumë…!

Po të shikojmë datën e dokumentit në fjalë, pra kur janë bërë ato biseda në Burgun e Ballshit, vetëm disa ditë më vonë, në gushtin e vitit 1981, Enver Hoxha, thirri urgjent Mehmet Shehun, që të linte mbledhjet që kishte parashikuar dhe po bënte në rrethin e Korçës, e të paraqitej menjëherë te ai, në Tiranë. Pas kësaj, dihet se si rrodhën ngjarjet e, si shkoi fati i familjes Shehu.

Për më shumë rreth kësaj, për luftën që bëhej nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë për të zënë vendin e Enver Hoxhës, pas vdekjes së tij, si dhe komentet që bëheshin nga pjesa tjetër, ish-zyrtarë dhe funksionarë të udhëheqjes së lartë, që tashmë ndodheshin në burg, si “armiq të popullit”, na njeh dokumenti në fjalë, si dhe një dokument tjetër, të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al  dhe aty flitet mbi komentet e bëra në Burgun e Ballshit, një ditë pas vdekjes së Mehmet Shehut, më 19 dhjetor 1981.

DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E PUNËTORIT OPERATIV TË SIGURIMIT, GJERGJI STEFO, ME TË DHËNAT E AGJENTIT “PËLLUMBI”, LIDHUR ME BISEDAT E BËRË NGA I DËNUARI KASEM TREBESHINA, NË BURGUN E BALLSHIT, ME SHEMSI TOTOZANIN

Sekret                                            Marrë: Punëtori Operativ, Gjergj Stefo

                                                       Dhënë: Agjenti “Pëllumbi”

                                                       Data 10.7.1981

                                                       R r a p o r t

….Shemsi Totozani tha: “Kasem Trebeshina më tha se: Udhëheqësi i Shtetit, i likuidoi të tërë ushtarët e rangut të lartë, me Beqir Ballukun, në fakt, ata ishin të gjithë, me Beqir Ballukun, në krye, njerëzit e udhëheqësit të Partisë, ku për të dalë në krye, i likuidoi ata, bashkë me të gjithë ushtarakët e tjerë.

Thonë se udhëheqësi i Partisë, ka qarë për Beqir Ballukun. Udhëheqësi i Shtetit, ka të vetin Udhëheqësin e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme; tani i ka të gjitha frenat e shtetit në dorë vetë; sa qe gjallë Hysni Kapoja, ai e urrente atë!

Bile njëherë kur shkonin për në një mbledhje, bashkë në një makinë, u grindën në sy të shoferit, dhe ay e ndali makinën dhe zbriti e iku, kurse një udhëheqës Partie, e ka quajtur një herë revizionist!

“Kasemi – vazhdoi Shemsiu – ka kushërirë gruan e Udhëheqësit të Shtetit, prandaj dhe di shumë gjëra, por është antikomunist i tërbuar, pro-amerikan dhe i duket vetja si një nga shkrimtarët e mëdhenj të botës”!

      “Pëllumbi”

       Detyra

Me Shemsiun vazhdoji këto biseda, nëpërmjet tyre mundohu të futësh në biseda edhe Kasem Trebeshinën, e të mësosh më thellë, mendimet e tyre armiqësore.

  S q a r i m

Shemsi Totozani është në përpunim aktiv 2/A, si element antiparti dhe me dyshime si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav.

Kasem Trebeshina ka ardhur kohët e fundit në repartin 309, nuk kemi materiale, është element antiparti.

Vlerësi

E dhëna ka vlerë operative, sepse në të ka komente armiqësore, si dhe reagime të ndryshme nga disa objekte përpunimi, e të dënuar të ndryshëm antiparti.

Masat Operative

E dhëna të shtypët sipas përkatësisë

Punëtori Operativ

  – Gjergj Stefo –

DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E PUNËTORIT OPERATIV TË SIGURIMIT GJERGJI STEFO, ME TË DHËNAT E AGJENTIT “PËLLUMBI”, LIDHUR ME BISEDAT E BËRË NGA I DËNUARI KASEM TREBESHINA, NË BURGUN E BALLSHIT

Sekret                              Marrë: Punëtori Operativ, Gjergj Stefo

                                         Dhënë: Agjenti “Pëllumbi”

                                         Data 19.12.1981

                                         Rraport

Kasem Trebeshina i ka thënë: “Historia ka vërtetuar se triumfatorët, kanë qenë të qëndrueshëm, deri sa njëri nga të tre ka vdekur, kur njeri prej tyre ka vdekur, dy të tjerët ja kanë ngrënë kokën njëri tjetrit.

Kështu ndodhi dhe me këta, vdiq Hysniu (Kapo), njëri do t’ja hante kokën tjetrit, ja i pari zhduku Mehmetin”…

“Pëllumbi”

 Detyra

Hape përsëri bisedën me këta të dënuar, për këto probleme, për të mësuar reagimet e tyre, në lidhje me aktin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Sqarim

Kasem Trebeshina, element antiparti, dënuar dy herë për agjitacion e propagandë, nuk ka materiale të tjera.

Vlerësim

E dhëna të jepet për informacion, për vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Memorie.al

Punëtori Operativ

Gjergj Stefo/ Memorie.al

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kasem gahinji: 02/10/2025 09:13

    Genjeshtra e dyte:-Aladin kapo, nipi I Hysniut, NUK eshte denuar per agjitacion e propogande, por per kontrabande. Se dyti, KE gjetur ndonje testament TE ENVERIT ti Dushan, ku te line trashegim partine Ne kurriz te Ramiz it? Jo. Nje deklarim te tille e ka bere Nexhmija, kur, pa u varrosur Enverin akoma, mblodhe pleniumin, morì fjalen Nexhi dhe qe ne fillimet thote:-...Shoku Enver ka lene amante qe sekretar I pare te zgjidhet Shoku Ramiz Alia..."Pra, eshte Nexhi qe ka fantazuar (verità emrin si te duash) kete amanet. Kur u denua gruppi I Beqiri Balluku, I bera pyetje nje oficeri madhor TE asaj kohe :-X, me thuaj, pse u largo e nga MM ne shkurt 1966?Dhe mu pergjegj:kasem, mbylle goje, Mos fol dhe komentoni me ASNJE njeri. Problemi eshte I thelle, NUK mbron ketu... "Ishte shok dhe mik I ngushte I Lym Ketes, per te cilin, tre dite pas aksidentit, me lot Ne sy tha:-Lymin e Kane vrare. Pas kaq vitesh, ne intervistato e tij, nje ish kolonel I MB thote:Isha nisur me Lym kete per gjah derrash ne puke. Dhe ne interviste e dyte, po KY, ne nje letter drejtuar Hekuran Isait thote:-... Kam marre detyren nga Beqiri Balluku dhe kadri has iu per eliminimin fizik te Myslum Ketes. E kam pritur te ura e matit, vete I trete, tre dite e tre net, sepse e dija qe do te shkon te ne shkoder... "kujt I intereson te KY eliminim? Sepse kish refuzuar atentatin ndaj ENVERIT Ne grupin e Tiranasve, ku bente pjese edhe Edip Ohri? Dushan Mug... Kalo I, gjej dokumenta te sakta, por ka edhe gjerat qe nuk Jane shkruara gjekundi, por komentuar. Po per Bulevardin e ri qe do te ndertohet nga she'shi Avni Rustemi re 21 dhjetori, di gje ti Dushan. U anullua sapo avionet e Traktatit te varshaves u ulen direkt Ne bulevardet e Prages, kur u pushtuan cekosllovakia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?