Dosje

Zbulohet dokumenti ‘Tepër sekret’ i Sigurimit: Nga 1300 emigrantë kosovarë, janë riatdhesuar në Jugosllavi 400, por duhet ta ndalojmë...

9 Shtator, 10:48| Përditesimi: 9 Shtator, 10:53

  • Share

Politika represive që zbatoi regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, me emigrantët kosovarë dhe atyre nga viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, që erdhën në Shqipëri nga viti 1949 e deri në fundin e viteve ’80-të, ku një pjesë e madhe e tyre përfunduan burgjeve politike dhe internimeve, me akuzat e montuara si “agjentë të UDB-së”, duket se nuk kanë qenë gjëra sporadike apo veprime të shkëputura dhe të ndërmarra nga segmente të atij shteti që përbënin dhe anën më të egër të “Diktaturës së Proletariatit”, siç ishin ato në vartësi të Ministrisë së Brendshme; Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, Prokuroria, apo dhe Gjykatat.

Pritja brutale dhe trajtimi çnjerëzor që iu rezervua shumë e shumë emigrantëve kosovarë në “atdheun amë”, të cilët “nga shiu ranë në breshër”, padyshim që përbën një nga njollat më të errëta në gjithë historinë e shtetit shqiptar të 100 vjetëve të fundit. Kjo gjë ishte si rezultat i vijës politike që ndiqte ai regjim dhe personalisht Enver Hoxha, ku prapa çdo kosovari që vinte në Shqipëri, shikohej një “agjent i UDB-së” dhe si rezultat i kësaj, me ndonjë përjashtim të vogël, të gjithë përfunduan kampeve të internimit.

Në fillimet e viteve ’50-të, aq i madh ishte numri i emigrantëve kosovarë të ardhur ilegalisht në Shqipëri, saqë Tirana zyrtare hapi një kamp internimi për ta, në fshatin Llakatund të Vlorës. Por, si për ironi të fatit, regjimi komunist i Tiranës me në krye Enver Hoxhën, ndryshe nga sa vepronte me vëllezërit tanë kosovarë që vinin në atdheun amë për t’i shpëtuar ndjekjeve dhe persekucionit nga regjimi titist i Beogradit, iu bënte një trajtim shembullor emigrantëve jugosllavë që arratiseshin nga vendi i tyre dhe vinin në Shqipëri, për shkak se ndiqeshin nga regjimi i Beogradit, prej bindjeve të tyre staliniste dhe pro Enver Hoxhës, kundër politikës së Marshallit Josif Broz Tito.

Ndaj këtyre shtetasve jugosllave, jo vetëm që u mbajt një qëndrim kryekëput i kundërt ndaj atyre kosovarë, por atyre iu lejua dhe një gazetë (“Slloboda”, në shqip dhe serbo-kroatisht), si dhe një program ditor në Radio-Tirana, si dhe përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, ftohej në të gjitha kongreset e PPSH-së, (në krah të Enver Hoxhës), duke përshëndetur “arritjet e Shqipërisë Socialiste dhe politikën e drejtë të PPSH-së me në krye Enver Hoxhën”?!

Sa më sipër, pra, vija politike që ndiqte Tirana zyrtare ndaj Kosovës dhe kosovarëve, veç të tjerash shihet qartë edhe nga një shënim i Enver Hoxhës, mbi një raport-informacion të ministrit të Brendshëm, Feçor Shehu (dt. 29 korrik 1980), ku midis të tjerash ai shkruan: “Kosovarët të vijnë si turistë dhe të bëjnë propagandë të mirë, por sigurisht Sigurimi do ketë telashe, se s’ka pa telashe…”!

Pra, në atë shënim të Enver Hoxhës, i lihej dorë e lirë Sigurimit të Shtetit, siç ndodhi në të vërtetë, ku me dhjetëra emigrantë kosovarë (apo të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavinë e asaj kohe) përfunduan kampeve dhe burgjeve politike, si; Nazmi Berisha, Esat Myftari, Gani Demiri (Ratkoceri), Kapllan Resuli, Selim Kelmendi, (vdiq në burgun e Burrelit), Estref Kelmendi, Shefqet Kaçaniku, Nuro Hoti, Myrteza Bajraktari, Arben Çeta, (i vëllai i Prof. Anton Çetës), Qazim Kreka, Dr. Jetulla Gashi, Shefqet Rexha, Riza Marevci, Isuf Visoka, Zeqir Rashti, Hysen Bukoshi, Sadri Ahmeti, Idriz Zeqiraj, Ibish Kelmendi, Rexhep Llazana, Ymer Llugaliu, Rexhep Ahmeti, Kolë Nikshiqi, Namik Luca, etj., etj.

Po të kemi parasysh këtë gjëra që ndodhnin në Shqipëri me emigrantët kosovarë dhe qëndrimin që mbajti Tirana zyrtare ndaj demonstratave të pranverës së 1981-it, (kujtojmë këtu shkrimet e bujshme në “Zëri i Popullit”, me pasqyrën e shtypit botëror rreth ngjarjeve në Kosovë, shkrimet e korrespodentit gjerman në Kosovë, Viktor Majer etj., programet dhe edicionet e lajmeve në RTSH, serinë me libra; “Ç’thonë dhe kërkojnë kosovarët”? etj., etj.,) duket qartë se qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj çështjes së Kosovës, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një qëndrim “sa për sy e faqe” ndaj opinionit publik botëror dhe gjithashtu një qëndrim për konsum të brendshëm.

Pra, thënë më shkurt, Tirana zyrtare ndryshe fliste dhe propagandonte dhe ndryshe vepronte në të vërtetë me çështjen e Kosovës dhe emigrantë kosovarë që ndodheshin prej vitesh në Shqipëri, apo edhe më ata që erdhën në këtu në mesin e vitit 1981, pak kohë pas fillimit të demonstratave, të cilët pasi i mbajtën për disa kohë nën survejim te Kulla e Previzit (Qëndra e Filtrimit të Kosovarëve) në qytetin e Laçit, i kthyen përsëri në Jugosllavi, pasi dyshonte se ishin “agjentë të UDB-së”.

Nuk është i pavend ajo që është thënë nën zë që atëherë (pas demonstratave të ’81-it) dhe publikisht pas viteve ’90-të, se; “Enver Hoxha nuk ka dashur kurrë që Kosova të merrte statusin e Republikës, pasi do kishim dy shtete shqiptare dhe Kosova do bëhej faktor në botën e jashtme, ndërsa Shqipëria komuniste e tij do vinte gjithnjë duke u zhvlerësuar në sytë dhe politikën ndërkombëtare të Perëndimit”.

Sa më sipër, se cila ka qenë politika që ka ndjekur realisht regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, ndaj emigracionit kosovarë në Shqipëri dhe qëllimet e vërteta të Tiranës zyrtare ndaj kosovarëve që linin vendin e tyre dhe vinin ilegalisht në Shqipëri, flet qartë edhe ky dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” i vitit 1965, ku zv. ministri i parë i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Mihallaq Ziçishti, me anë të një relacioni, informon eprorët e tij; “Mbi riatdhesimin e emigrantëve kosovarë nga vendi ynë në Jugosllavi”, i cili publikohet për herë të parë (dhe me faksimilen përkatëse), nga Memorie.al

RELACIONI TEPËR SEKRET TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MBI EMIGRACIONIN KOSOVAR NË SHQIPËRI

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                              TEPËR SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                               Grupi i III-të

Nr. 102. Prot.                                                                 Tiranë, më 13. IX. 1965

                                                        RELACION

                             MBI RIATDHESIMIN E EMIGRANTËVE KOSOVARË

                                             NGA VENDI YNË NË JUGOSLLAVI

Nga rreth 1300 emigrantë kosovarë që ishin në vendin tonë, deri tani janë riatdhesuar në Jugosllavi rreth 400 veta. Një pjesë nga këtë kanë qenë të dyshimtë politikisht, të tjerë kishin ardhur në vendin tonë për motive të dobëta.

Por midis të riatdhesuarve, ka pasur edhe persona me qëndrim politik të mirë, të cilët të mërzitur nga jeta në kampe dhe të nxitur nga elementë armiq, kanë kërkuar të kthehen në vendlindje.

Riatdhesimet e kosovarëve, revizionistët jugosllavë i kanë shfrytëzuar dhe po i shfrytëzojnë shumë kundër vendit tonë. Ata kanë organizuar konferenca me popullin, ku disa të riatdhesuar dhe propagandistë të ndryshëm titistë, kanë folur shumë keq. Për këtë qëllim është shfrytëzuar gjerë edhe shtypi dhe radioja.

Propaganda titiste ka zënë vend në popullsinë e Kosovës. Bëhen mjaft komente lidhur me riatdhesimin e kosovarëve, komente që tregojnë një far lëkundje në besimin e madh që popullsia e Kosovës, ka në Republikën Popullore të Shqipërisë.

Kosovari patriot në Kosovë dhe jashtë saj, nuk e kupton dhe nuk e quan të drejtë riatdhesimin e kosovarëve nga vendi ynë. Komente të kësaj natyre ka në Kosovë, në kosovarët që ndodhen në Turqi dhe në vendin tonë.

Tani në vendin tonë kanë mbetur rreth 900 kosovarë, të vendosur në rrethet e Fierit dhe të Lushnjes. Nga propaganda e jugosllavëve, të cilët shfrytëzojnë të afërmit e personave të ndodhur këtu, duke u bërë thirrje të riatdhesohen dhe nga kondita jo të mira në të cilat ndodhen, ka edhe mjaft të tjerë të cilët kërkojnë që të riatdhesohen.

Me qëllim që të ndalohet hovi i propagandës së revizionistëve jugosllavë, për faktin se tani numri i emigrantëve kosovarë në vendin tonë nuk është i madh dhe se ky kontingjent është i nevojshëm për punën tonë:

 Propozojmë

Të ndalohen riatdhesimet e emigrantëve kosovarë. Të riatdhesohet ndonjë, kur jemi të bindur se mban qëndrim armiqësor.

Megjithëse janë pakësuar shumë ardhjet e kosovarëve nëpërmjet kufirit, në raste të tilla, kur këta janë të papërshtatshëm për t’i mbajtur në vendin tonë, t’i kthejmë menjëherë, pa ua dorëzuar autoriteteve jugosllave.

Të marrim masa për forcimin e punës sqaronjëse në Kosovë, Turqi dhe në vendin tonë, të shfrytëzohet për këtë qëllim gazeta “Shqipëria e Re” dhe Radio-Kukësi.

Të marrim masa që të përmirësohet trajtimi i emigracionit kosovarë, sipas vendimit të Sekretariatit të Komitetit Qendror:

a). të organizohet një ekip, për ri studimin e gjendjes së emigracionit kosovar, i cili të dalë me propozime për zgjidhjen e çështjes që kanë të bëjnë me të:

b). mundësisht të aprovohet kërkesa e Degës së Refugjatëve pranë Kryeministrisë, për t’i akorduar dy milionë lekë të reja, fond i cili do të përdoret për përmirësimin e konditave të emigrantëve kosovarë:

c). të kërkohet nga organet shtetërore, që të merren masa për të trajtuar drejt, emigrantët kosovarë. /Memorie.al

ME AUTORIZIM TË MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME

                         ZV. MINISTRI I PARË

                         GJENERAL-LEITNANT

                         Mihallaq Ziçishti

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shkoder locja: 09/09/2025 13:52

    Rrespekt z.Kaloçi per kte archive te re qe ke zbulu,ta lexojn Kosovart se edhe ne dit te sodit e lavdrojn e nuk e din se kush ka ken diktatori Enver Hoxha!!

    Përgjigju
  • Spiuni: 09/09/2025 12:53

    Dhe baba ta kishe patur o Kaloç nuk do ti kishe tërë ato fotografi të ATIJË BURRI QË BËRI HISTORI,QË NGRITI NJË SHQIPËRI NGA HIÇI.Turp o i ZI,TURP,mjaftë më se po ja rritë vlerat akoma më shumë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?