Zbulohet drafti, kërkimin shkencor do ta drejtojë qeveria! Këshilli kombëtar për shkencën, drejtohet nga kryeministri

5 Tetor, 16:45| Përditesimi: 9 Tetor, 10:03

  • Share

Politikat e reja të kërkimit shkencor, fushat prioritare, hartimi i strategjisë apo edhe monitorimi i sistemit kombëtar të shkencës do të orientohen nga një strukturë e re që do të veprojë pranë kryeministrit të Shqipërisë.

Qeveria shqiptare ka propozuar një projekt-ligj që synon riorganizimin e sistemit dhe kërkimit shkencor në vend, përmes ngritjes së Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, që do të drejtohet nga vetë kryeministri dhe do të përbëhet nga 19 anëtarë të tjerë, mes të cilëve 7 ministra.

Ministri përgjegjës për Shkencën, ai i inovacionit, energjisë, bujqësisë, shëndetësisë, mbrojtjes dhe mjedisit, së bashku me 4 përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, kryetarit dhe tre përfaqësues të Akademisë së Shkencave si dhe dy përfaqësuesit e qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore, do të jenë anëtarët e Këshillit Kombëtar për Shkencën që së bashku me ministrinë e Arsimit do të jenë politikëbërësit në drejtim të zhvillimit shkencor.

Por teksa veprimtaria shkencore për institucionet e arsimit të lartë në vetë këto institucione, siç parashikon ligji për arsimin e lartë, përcaktohet nga vetë ato, me miratimin e ligjit të ri, fushat dhe synimi i kërkimit shkencor do të orientohet nga Ministria dhe Këshillit Kombëtar për shkencën.

Përfaqësuesit e Institucioneve të Arsimit të lartë në këtë këshill do të zgjidhen nga Konferenca e Rektorëve dhe do të jenë, personalitete të njohura në fushën e shkencës e të kërkimit shkencor.

Ministria do të ketë tagër gjithashtu për vlerësimin dhe monitorimin e veprimtarisë së institutit ose njësisve të ndryhme të  kërkimit shkencor dhe në rast të mospërbushjes së kritererve, ministri vendos kushte për vijimin e veprimtarisë deri në pezullim ose mbyllje të tyre.

Rregullat dhe procedurat për vendosjen nën mbikëqyrje, pezullimin dhe mbylljen e institutit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

'Neni 8 parashikon rolin e ministrisë.
Ministria është institucioni përgjegjës që harton, drejton, koordinon dhe realizon politikat e programit qeverisës në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor.

Ministria vlerëson veprimtarinë kërkimore të institucioneve të kërkimit shkencor, financuar me fonde publike, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe administron Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë, në përputhje me këtë ligj. Ministri ka këto kompetenca:

a) Harton politika në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, si dhe i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e strategjisë në këtë fushë;

b) Harton dhe propozon në Këshillin e Ministrave fushat dhe nënfushat prioritare të kërkimit shkencor;

c) Propozon në Këshillin e Ministrave modelin e financimit të buxhetit për shkencën dhe kërkimin shkencor, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe akteve të tjera, ligjore e nënligjore në fuqi;

ç) Harton dhe propozon për miratim pranë Këshillit të Ministrave Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor të harmonizuar me Kodin Evropian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor.', thuhet në relacion.

Sakaq, parashikohet dhe krijimi i një organi këshillimor pranë Kryeministrit në emrin Këshilli Kombëtar për shkencën dhe kërkimin shkencor. Në përbërje të këtij Këshilli do të jenë Kryeministri dhe 19 anëtarë, ku përfshihen ministra dhe përfaqësues të arsimit të lartë dhe akademisë së shkencave.

'Neni 9 parashikon ngritjen e Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, i cili është një organ kolegjial këshillimor i ngritur pranë Kryeministrit, që ka për detyrë të përmirësojë veprimtarinë kërkimore-shkencore në vend, duke dhënë rekomandime lidhur me të.

Neni 10 parashikon përbërjen e Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, që drejtohet nga Kryeministri dhe përbëhet nga 19 anëtarë, si më poshtë:

 Ministri përgjegjës për shkencën;

Ministri përgjegjës për inovacionin;

Ministri përgjegjës për energjinë;

Ministri përgjegjës për bujqësinë;

Ministri përgjegjës për shëndetësinë;

 Ministri përgjegjës për mbrojtjen;

Ministri përgjegjës për mjedisin;

Katër përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë;

Kryetari dhe tre përfaqësues të Akademisë së Shkencave;

Dy përfaqësuesit e qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore;
 Përfaqësuesi i Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit;

Përfaqësuesi i Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës.', vijon më tej relacioni.

 

Kliko këtu per të parë dokumentin e plotë

Shenim: Lajmi u korrigjua më 9 tetor 2024

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Keli: 06/10/2024 05:46

    Nje ministri per qethjen e vicave ju lutemi....

    Përgjigju
  • Iris: 06/10/2024 02:22

    Si ide eshte e mire,por ama te financohen kerkime qe ja vlejne,jo gjera koti dhe se dyti ministria e shkences te jete vertet foleja e kerimeve,shpikjeve e inovacionit,jo qoshja e ngrohte e kolltuku i rehatshem ku te vegjetojne djali i mamit e vajza e babit,apo dashnorja e X apo Y e gruaja e burri i mikut te mikut.

    Përgjigju
  • fiksfare: 05/10/2024 23:30

    ja dhe nje strukuture tjeter burokratike e qeverise qe do harxhoje e do vjedhe ca lek me shume. a thua se kerkimi shkencor behet me urdher e nga qeveria. aty nuk ka ngelur gje .... po gje ... e jo me te bejne shkence ... shkencen e leshit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?