Zbulohet e-maili i Blinken për stafin e DASH pas fitores së Trump

9 Nëntor, 15:03| Përditesimi: 9 Nëntor, 15:04

  • Share

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, këshilloi stafin e tij në një e-mail të dërguar të premten për kryerjen e një tranzicioni presidencial “të qetë, efikas dhe profesional”, shkruajnë mediat amerikane.

Blinken tha se një proces i tillë është një “element thelbësor i çdo demokracie” dhe “jetik” për sigurinë kombëtare, në një email të parë nga Bloomberg.

Duke theksuar se ai ka luajtur një rol në çdo tranzicion presidencial gjatë tre dekadave të fundit, ai shtoi: “Një shtyllë thelbësore e çdo demokracie, përfshirë edhe tonën, është që njerëzit të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve legjitime, edhe kur nuk janë dakord me to”.

Blinken tha se do të këshillojë pasardhësin e tij se “shërbimi parimor dhe i përkushtuar i departamentit përmirëson pa masë jetën e amerikanëve dhe njerëzve anembanë globit”.

“Unë nuk i kam të gjitha përgjigjet – administrata e ardhshme do të vendosë politikat dhe prioritetet e saj,” tha ai.

Ndërkohë, Blinken tha se departamenti i shtetit do të vazhdojë të bëjë punën e tij “për shumë çështje kritike me të cilat përballet kombi dhe bota” për pjesën tjetër të administratës së Biden.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?