E kush mund ta kishte menduar? Pasi humbi tre mandate rresht, Partia Demokratike duket se më në fund e ka gjetur “fajtoren” e madhe që u ka zënë rrugën drejt pushtetit - Linda Rama. Me gjithë problemet e brendshme që ka PD-ja, tani e ka kuptuar se e vetmja gjë që i ndan nga fitorja është karriera e një gruaje.
Këto rreshta nuk po i shkruaj për të mbështetur bashkëshorten e Edi Ramës, por për të mbështetur një grua në karrierë. Për ironi të fatit, Linda Rama ka filluar të ushtrojë profesionin e saj si konsulente dhe bashkëautore e kërkimeve që kur ish-kryeministri i Partisë Socialiste, i kohës, e largoi nga drejtimi i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit. Nga ai moment, ajo është angazhuar në projekte ndërkombëtare për Shqipërinë dhe ka shkruar raporte që janë përdorur nga çdo qeveri, përfshirë dhe nga PD-në gjatë viteve të saj në pushtet.
Linda, duhet të largohet nga këto projekte për hir të “paanshmërisë”, një kërkesë që në vetvete bie ndesh me standardet ndërkombëtare të barazisë në punësim. Në shumicën e vendeve perëndimore, gratë kanë të drejtën për të ndjekur një karrierë profesionale pavarësisht pozicionit të bashkëshortit të tyre. Por, ironia nuk mbaron këtu: meqë Linda është e martuar me kryeministrin, sipas PD-së, është mirë që ajo të lërë gjithçka dhe të merret me “punët e shtëpisë” për të mos “kontaminuar” analizat ndërkombëtare me ndonjë ndikim të supozuar.
Ndoshta kjo letër do kishte qenë më e udhës po të ishte shkruar pas ndonjë analize serioze të raporteve të Linda Ramës dhe po të kishte arsye të mirëfillta për të vënë në pikëpyetje paanshmërinë e saj. Megjithatë, duket se u zgjodh rruga e shkurtër – më shumë komoditet sesa përpjekje.
Por çfarë duhet të bëjë sot Linda në këtë situatë komike?
Ka dy zgjedhje:
E para, mbase duhet të kontraktohet nga PD-ja si eksperte që, t’i japë partisë ndonjë shans për të fituar zgjedhjet. E dyta, të qëndrojë në shtëpi, të heqë dorë nga karriera e saj dhe të fokusohet tek përgatitja e mëngjeseve familjare, që PD të jetë e qetë që asnjë grua e suksesshme nuk përzihet në çështje publike. Në një skenar hipotetik: Linda, e papunë, pa karrierë dhe çdo mëngjes duke u kthyer nga pazari i lagjes, i kërkon lekë bashkëshortit për shpenzimet e përditshme të familjes dhe ndonjë kafe me shoqet.
Ky është modeli që kërkohet për gratë e suksesshme? Ky është modeli që po përpiqemi të imponojmë për gratë në karrierë? Që puna dhe sakrificat e tyre janë vetëm një fasadë që mund të asgjësohet sapo të martohen me “burrin e gabuar”?
Ndoshta më ironikja është fakti se ndër nënshkrueset e kësaj letre janë edhe gra të PD-së, të cilat, në vend që të protestojnë për faktin se asnjëra prej tyre nuk është në pozicion të drejtojë ndonjë qark në zgjedhjet e ardhshme, kërkojnë ndërprerjen e karrierës së një gruaje tjetër, qoftë kjo edhe gruaja e kryeministrit.
Si mundet që vetë ato nuk e kuptojnë se çdo kërkesë për të përjashtuar Linda Ramën nga angazhimet e saj profesionale është një hap prapa për të drejtat e grave në karrierë? Çfarë mesazhi po japin për gratë shqiptare me një nismë të tillë, kur gratë e suksesshme dërgohen “mbrapa kuzhinës” sepse pozita e bashkëshortit i bën ato “të papërshtatshme” për të punuar? Duke kërkuar që Linda Rama të largohet nga angazhimet profesionale, a është ky modeli që duam për gratë në Shqipëri? A duhet të jetojmë në një shoqëri ku arritjet e një gruaje reduktohen për shkak të statusit të bashkëshortit të saj?
Deputetët e Grupit Parlamentar të PD, mund të kishin marrë shembull nga modelet e vendeve që shpesh thonë se i ndjekin. Në vendet ku barazia gjinore është një standard bazik, është e zakonshme që gratë të punojnë në pozita të rëndësishme, pavarësisht se kush është bashkëshorti i tyre. Vetë këto organizata ndërkombëtare, që prej dekadash bashkëpunojnë me Linda Ramën, e kanë pranuar dhe mbështetur atë pikërisht për aftësitë e saj, jo për statusin familjar.
Eshtë njësoj sikur t’i kërkosh Michelle Obama, avokate dhe autore e suksesshme, të mos ruante zërin e saj unik publik dhe profesional gjatë presidencës së bashkëshortit të saj, t’i kërkoje Carla Brunit të mos vazhdonte karrierën e saj si këngëtare dhe modele e suksesshme, sepse bashkëshorti i saj, Nicolas Sarkozy, ishte president i Francës, t’i kërkoje Eliza Reid, bashkëshortes së presidentit të Islandës, Guðni Th. Jóhannesson të mos vazhdonte karrierën e saj gazetareske dhe pas ardhjes së bashkëshortit në krye të shtetit. Apo t’i kërkoje Cherie Blair, avokate e njohur për të drejtat e njeriut dhe çështjet ligjore ndërkombëtare, të ndërpriste karrierën e saj sepse bashkëshorti i saj, Tony Blair, ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
Keqardhje, por kjo letër më kujton që e ardhmja e suksesit të PD-së, varet nga Linda Rama, një sukses që, me sa duket, do të arrihet vetëm kur Linda të jetë e papunë dhe duke pyetur çdo mëngjes për “lekët e kafesë”.
Oh me ne fund foli shoqeria civile e pavarur, presim edhe Mara emigranten tani dhe u bëmë 3 me semundje lepirjeje.
Përgjigju