Hakeri i huaj mashtron biznesmenin shqiptar dhe i merr 90 mijë €

24 Korrik 2020, 11:57| Përditesimi: 24 Korrik 2020, 16:17

  • Share

TIRANE-Dyshimin më të vogël se diçka nuk po shkon gjatë procedurës së një blerjeje online, bëni mirë ta raportoni menjëherë në polici, nëse nuk doni që partë tuaja të shkojnë në duart e hakerave. I tillë është edhe fati i një biznesmeni shqiptar i cili mundi të marrë sërish pas rreth 90 mijë euro të shpenzuara në kohë për blerje online, të cilat një haker i huaj, tashmë i identifikuar nga policia shqiptare, kishte arritur t’i përvetësonte përmes skemave të mashtrimit. E gjitha u zbulua pasi biznesmeni shqiptar, në qershor të 2020-ës, kallëzoi në Policinë e Shtetit se përmes ndërhyrjeve në email dhe duke i marrë të dhënat, persona të paidentifikuar i kishin shkaktuar dëm ekonomik 89 mijë e 550 euro.

"Kryente blerje online, i ndërhynë në e-mail duke i ndryshuar faturën dhe i përvetësojnë 89550 euro, biznesmeni bën kallëzim në Policinë e Shtetit. Pas rreth një muaj hetimesh, Njësia për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit zbardh skemën e mashtrimit dhe identifikon autorin. Njëkohësisht zbulon dhe bllokon edhe llogarinë me shumën 89550 euro, të cilat autori i kishte depozituar pasi i kishte përfituar nëpërmjet mashtrimit.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale, në qershor 2020 ka marrë kallëzim nga një shtetas shqiptar (biznesmen), pasi persona të paidentifikuar, nëpërmjet një skeme mashtruese, bazuar në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, kishin krijuar adresa të rreme elektronike, të ndërtuara me qëllimin për të mashtruar viktimat dhe për të devijuar transfertën e parave.

Kallëzuesit në fjalë, në bazë të kësaj skeme, duke i ndërhyrë në e-mail dhe duke i marrë të dhënat, i kanë shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 89550 euro.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pasi mori kallëzimin, menjëherë bëri referimin e materialeve në Prokurori, për veprën penale "Mashtrimi Kompjuterik” dhe vijoi intensivisht punën hetimore.

Në vazhdimësi të punës së shpejtë hetimore dhe procedurale u bë e mundur zbardhja e skemës së mashtrimit, identifikimi i autorit, i cili është një shtetas i huaj që nuk jeton në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe zbulimi dhe bllokimi i llogarisë së tij.

Policia, në bashkëpunim me një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, bëri të mundur bllokimin e shumës 89550 euro, e cila ishte transferuar në një llogari jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas i huaj ka hapur llogari bankare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me të cilën përfitonte fonde nga vende të ndryshme të botës nëpërmjet skemave të mashtrimit kibernetik.

Aktualisht po vazhdojnë hetimet procedurale për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale përsa i përket këtij rasti, si dhe për vendosjen përpara përgjegjësisë penale të çdo personi të implikuar në këtë vepër penale.

Theksojmë faktin se për arsye hetimore nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregohen të kujdesshëm gjatë komunikimeve që kanë në rrjetet sociale, postë elektronike etj, si dhe ndaj çdo veprimtarie online dhe për çdo dyshim që mund të kenë të adresohen pranë Policisë së Shtetit, duke iu garantuar një reagim të shpejtë e profesional në hetimin e këtyre rasteve nga Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike" njofton policia. 

Lajmi në përditësim...

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?