Në vitin 2022, Irani ishte pranë vrasjes së Mike Pompeo-s, ish-sekretarit të Shtetit që shërbeu gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump-it; dhe në shtatorin e kaluar, vetë Trump-i, në atë kohë në garë për rizgjedhjen në Shtëpinë e Bardhë, mësoi nga Shërbimi Sekret se një skuadër vrasësish nga Teherani ndodhej në Shtetet e Bashkuara dhe mund të përpiqej ta eliminonte atë. Kërcënime të këtij lloji rritën masat e sigurisë rreth kandidatit të atëhershëm republikan dhe mund të kenë luajtur një rol në vendimin e fundit të presidentit për të bombarduar objektet bërthamore të regjimit të ajatollahëve. Kështu shkruan “Washington Post”, duke cituar një libër që pritet të botohet në SHBA, me titullin: “2024, Si e rifitoi Trump Shtëpinë e Bardhë dhe si e humbën demokratët Amerikën”.
Libri tregon se tre vite më parë një ekip vrasësish iranianë zbuloi në cilin hotel po qëndronte Pompeo gjatë një vizite private në Paris dhe vuri në zbatim një plan për ta vrarë: ish-sekretari i Shtetit shpëtoi “për pak”. Më tej, sipas librit, edhe John Bolton, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i Trump-it, kishte hyrë në shënjestrën e vrasësve nga Teherani. Megjithatë, pasi u rizgjodh president, Trump ua hoqi mbrojtjen si Pompeo-s ashtu edhe Bolton-it, të cilët e kishin kritikuar ashpër. “Mbrojtja nuk është e përjetshme”, u mjaftua të thoshte zëdhënësja e presidentit.
Zbulimet më të forta të librit lidhen me masat e sigurisë që ka ndërmarrë Shërbimi Sekret për të mbrojtur Trump-in gjatë muajve të fundit të fushatës presidenciale të vitit të kaluar. Në një moment, nga frika se agjentë iranianë mund të përpiqeshin ta vrisnin me raketa ose drone teksa hipte në avion, agjentët e bindën atë të përdorte një avion më pak të dukshëm, të ofruar nga Steve Witkoff, ndërtuesi i pasurive të paluajtshme që më pas Trump e emëroi negociatorin e tij personal për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme. Avioni zyrtar vazhdoi të fluturonte, por pa kandidatin për president brenda. “Shefi sot nuk udhëton me ne”, njofton në momentin e fundit një agjent i Shërbimit Sekret për stafin e tij. “Dhe ne atëherë jemi karremi?”, i përgjigjet këshilltari i Trump-it.
Shërbimi Sekret nuk ka arritur të vërtetojë nëse dy atentatet ndaj Trump-it në korrik dhe në shtator të vitit 2024 kanë qenë të lidhura në ndonjë mënyrë me Iranin, që synonte ta vriste si hakmarrje për vrasjen në vitin 2020 të Qassem Soleimani-t, komandant i Gardës Revolucionare. Por tani, kërcënimi nga vrasësit e Teheranit mund të jetë shtuar edhe më shumë, komenton “Washington Post”, për shkak të vendimit të Trump-it për të marrë pjesë në luftën e Izraelit dhe për të bombarduar impiantet bërthamore iraniane./La Repubblica
Komente
