Byroja Enver, Fiqret dhe Nexhmie

Zbulohet letra e gjeneralit Xhule Çiraku, në shtator ’83: Një prift në Shkodër në ’68-ën, na tha se Beqir Balluku e Hito Çako janë armiq

14 Gusht 2023, 09:40| Përditesimi: 14 Gusht 2023, 09:44

  • Share

Në mesin e tetorit të vitit 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit, (i cili nga viti 1980 deri në ’82-in, mbajti dhe funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme), sipas udhëzimeve dhe porosive të Enver Hoxhës, të dhëna në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetit Qendror, u la si detyrë partie, që në të gjithë vendin, të zhvilloheshin mbledhjet e organizatave bazë të partisë, për të analizuar “veprimtarinë armiqësore të grupit të Kadri Hazbiut dhe lidhjeve të tyre me poli-agjentin Mehmet Shehu”. Po kështu me porosi të Enver Hoxhës, të dhënë Hekuran Isait, (sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, të cilit iu ngarkua posti i ministrit të Punëve të Brendshme), u lanë edhe shumë detyra shtetërore, me të cilat do angazhohej kryesisht Ministria e Punëve të Brendshme, gjithnjë për: “Zbardhjen, zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarisë armiqësore të grupit të Kadri Hazbiut dhe lidhjet e tij me poli-agjentin Mehmet Shehu”.

Në këtë kuadër, në nëntor të vitit 1982, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, menjëherë u krijua një ‘Grup special’, që do të ishte nën vartësinë direkte të ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai dhe në krye të tij u caktua Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, i cili njëkohësisht mbante edhe postin e zv/ministrit të Punëve të Brendshme, dhe si ndihmës të tij, ishin Hasan Ulqinaku dhe Enver Zeneli, të dy funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit.

“Grupi Special” pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, përveç mbledhjes, studimit dhe analizës të një numri të madh dosjesh dhe dokumentesh arkivore, që i përkisnin një periudhe 40 vjeçare (1945-1983), iu bëri thirrje dhe ua la si detyrë partie, të gjithë ish-kuadrove drejtuese të asaj ministrie, si dhe oficerëve madhorë, që të të shkruanin gjithçka ata dinin rreth “veprimtarisë armiqësore të atij grupi”, apo dhe dyshime që u kishin lindur, për probleme të ndryshme që ata mund të kishin pasur, gjatë periudhës që kishin punuar me ta dhe të gjitha ato, t’i depozitonin me shkrim, pranë ‘Grupit Special” në Ministrinë e Brendshme.

Kësaj thirrje të “grupit Special”, ju përgjigjën pjesa më e madhe e ish-funksionarëve dhe drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, si Xhule Çiraku, (ish-gjeneral-major, zëvendës ministër), Zylfi Saliu (ish-kolonel, kryetar Dege në rrethe, drejtor në Drejtorinë e Sigurimit dhe deputet në Kuvendin Popullor), Hekuran Pobrati, ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Mark Dodani, (ish-nënkolonel i Sigurimit dhe nënkryetar Dege në Sarandë), Muço Saliu (ish-kolonel, Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Nuçi Tira (kolonel, ish-kryetar Dege në Lushnje, Pogradec, etj.), Lelo Sinaj, Isuf Mullaj (ish-agjent i Sigurimit të Shtetit me mision sekret në disa shtete të Evropës), etj.

Nga këto letra apo dhe informacione që janë pjesë e një dosje voluminoze në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe tashmë pjesë edhe e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, po botojmë më poshtë, letrën e Xhule Çirakut, (ish-gjeneral major, kryetar Degës së Brendshme në Shkodër në vitet 1967-’70, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Drejtor për Ruajtjen dhe Sigurinë Fizike të Udhëheqjes dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), e cila publikohet për herë të parë  nga Memorie.al.

RAPORT-INFORMACIONI I ISH-GJENERAL MAJOR, XHULE ÇIRAKUT, ZV/MINISTER I PUNEVE TE BRENDSHME, PER “VEPRIMTARINE ARMIQESORE TE BEQIR BALLUKUT, KADRI HAZBIUT, FEÇOR SHEHUT, MIHALLAQ ZIÇISHTIT ETJ”

 Tiranë, me 8.9.1983                                                                            Sekret

 

                                                                                                       Ekzemplar i vetëm                        

                                               INFORMACION

Për tradhtarin Kadri Hazbiu:

Nuk kamë pasur ndeshje të mëdha si me Mehmet Shehun e Feçorin, nuk mendoja kurrë se mund të ish tradhtar, por në disa raste e, për disa probleme, jam ndeshur e konkretisht:

Jemi ngrënë për zvarritjen e punimeve mbrojtëse e të ndërlidhjes. Jemi grindur shumë për strukturat më 1966 dhe për mos prishjen e shkollës si dhe për djegien e shumë dokumenteve më vlerë operative e historike. Na vuri në krye të komisionit tradhtarin Mihallaq Ziçishti, i cili ka vepruar si armik, ka shtrembëruar direktivën e Partisë e cila ish e drejtë, por ata nën masën e luftës kundër burokratizmit, bënë edhe shumë gjëra të këqija.

Policinë donin ta likuidonin fare (Drejtorinë), na thoshin; doni të mbroni kolltukun. Kur u thoshim; mos e likuidoni, se do të dobësoni një armë të diktaturës së proletariatit, kur armiku vepron me egërsi kundër nesh. Donin të linin vetëm tre veta në Drejtorinë e Parë të Sigurimit (në degën ekonomike) 1 për krimet, l për ekonominë 1 për shërbimet.

Me këmbënguljen time, Kadriu u tërhoq, e la me 10 vetë, nga 80 që ishte. Ngula këmbë që të mos prishej shkolla, sidomos kursi 6 mujor me policë. E lamë njëherë, por prapë dhanë urdhër të prishet, se na kanë thënë nga lart, sikur kish thënë Komiteti Qendror dhe e prishën, kur shkolla e kuzhiniereve dhe shkolla të tjera, nuk u prishën.

Nën maskën e kursimeve, mendoj se kanë cënuar gatishmërisë  luftarake të organeve e reparteve e, si për makina e shumë çështje të tjera. Pse tani erdhën makina dhe ata na lanë me vjetërsira, sikur ishim më 1945.

Përgjigjet për orientimet e gabuara në Sigurim, që e maste punën e oficerëve, kush bënte arrestime më shumë, e jo kush shpëtonte (mund të shpëtoheshin njerëzit e gabuar, ata që ishin tanët, nuk ishin futur thellë në faje, etj.)  orientime të drejta të Partisë, të dhëna këto vazhdimisht e, në kohën e duhur.

Në vitin 1968, një prift në Shkodër i thotë hetuesit gjatë procesit, se; Beqir Balluku dhe Hito Çako janë armiq. Ai më thotë mua, takohem unë me priftin në biruca, ashtu më thotë edhe mua. Unë në bazë të Platformës e të urdhrave, nuk mbaj asnjë shënim, pusho i them priftit, mbyll gojën dhe menjëherë nisëm për në Tiranë, vete tek Kadri Hazbiu, ja them këto dhe ai më tha mirë, ikni tani? Prifti, nuk e di ku gjendet, por duhet t’a dije Shyqyri Çoku ose, Drejtoria e Riedukimi e të të burgosurve.

Kur doli grupi i Beqir Ballukut, i them prap; sa të drejtë ka pasur prifti, e mban mend që ta kamë thënë, po më tha, e mbaj mënd. Po kur doli grupi i Beqir Ballukut, i kamë thënë; dyshoj tek Dashnor Mamaqi, se punonim në zyrën e tij, me komisionin e festës së Brigadës së 6-të dhe gruaja e tij, e merrte në telefon dhe i thosh; hajde se do vemi tek Beqiri për darkë, mirëpo ne, nuk po mbaronim punë. Ajo e mori më tepër se 4-5 herë. Ai më tha; e di e di, e hëngri edhe ai (Dashnori).

I kamë thënë; pse ka trajtime të ndryshme Ushtria nga ne, në ushqim, në leje etj., dhe ai m’u përgjigj: “Ç’keni me Ushtrinë, të vinë ata tek ne dhe jo ne tek ata”. I bëra me firmën time Komitetit Qendror dhe Ushtrisë, për këtë dhe Komiteti Qendror dhe ju e keni mirë, kurse Ushtria, nuk na u përgjigj fare, ajo vazhdoi me të parën. Ata kategorinë e 12 e lartë, ne kishin 21 ditë leje, gabim.

Ne kishim 3 qendra ndërlidhje me radio dhe Beqir Balluku na thosh; prisheni një. Unë i them jo, Kadriut, ai më tha; bëne ti me shkrim Beqir Ballukut dhe unë ja bëra, që nuk jemi dakord dhe ai pas 2-3 muajve, na u përgjigj që të mos e prishim.

Kur vate një delegacion i ushtrisë në Kinë, ne bëmë lista e stër lista, ja u dhamë, por unë i them Kadriut; të dërgojmë edhe ne me t’a, një nga laboratori, një nga dega e ndërlidhjes, një nga Teknika Operative dhe ai më tha prap; bëne ti me firmën tënde dhe unë e bëra. Beqir Balluku na u përgjigj se; nuk ka nevojë të vijnë t’uajt, ma jepni listën mua, se do ta shtroj me Andon Shetin. Ja u dhamë dhe na i kthyen pa gjë, siç jua dhamë. Pra ai nuk donte të ndeshej, na vinte neve, kurse neve nuk na shkonte as fjala e as firma dhe mbeteshim ku ishim, pra është sabotim nga ana e tyre, nuk na zgjidheshin problemet .

Kur do shkonte shoku Haki për kontroll për sëmundjen që kish në Paris, herën e parë, ai më kërkoi mua, ose Jaup Dabullën. Kadriu nuk deshi, vamë bashkë në shtëpi të shokut Haki dhe i tha; Xhulen nuk e dërgojmë, se është zv/ministër, ka punë këtu, por do të japim Servetin dhe Ganinë. Ai tha; jo, ky i tha; e kemi vendosur kështu dhe vajtën ata dhe jo neve. Herën e dytë, ai kërkoi mua ose Jaupin. Pse nuk më dërgoi, mua ai e di!

Kur vdiq Çu En Lai, më thirri në zyrë Kadriu dhe më tha; në Kinë do vejë shoku Mehmet për varrim, do bëjmë grupin dhe pa më pyetur, filloi nga emrat; Gani Kodra, Ali Çeno etj. Përgjegjësinë dhe në atë kohë, ose e mori ky, ose Mehmet Shehu dhe biseduan në telefon, se çfarë i tha, unë nuk dëgjova gjë, por me të lënë telefonin, përgjegjës do vëmë Llambi Peçinin, më tha, kur ai në atë kohë, ishte Kryetar Dege në Vlorë.

Mua nuk më erdhi mirë, duhej të vinte një nga shokët e Drejtorisë, por prapë u ngushëllova, duke thënë atë e njeh, di gjuhë dhe rrugët, loz letra me të, etj. Unë nuk doja të veja me të dhe me asnjë nga familje e tij, se e dija se nuk më donin dhe do të grindesha me ta.

Pra Kadriu, përkrahte njerëzit e degjeneruar, kurse ne me të drejtë, mendonim se ai e dinte më mirë punën dhe nuk mendonim se ai mund të ish tradhtar dhe këto i bënte me qëllim të keq. Për fëmijët e Mehmet Shehut, ai i ka ditur të gjitha, ca i merrte vetë, ca nga fëmijët e tij, ca nga ne, por mendoj se ka patur qëllim.

Nuk më ka mbrojtur asnjëherë kur më ka pezulluar nga puna Mehmet Shehu, ose kur na bërtiste e telendiste, sidomos për ndërlidhjen. Kur dërgoi Gani Kodrën, me djalin e Mehmet Shehut në Suedi, mua nuk me pyeti fare, mora vesh kur u nisën. Na kish rënë në sy, se ai na la Feçor Shehun mbi ne, duke arsyetuar se ai i Sigurimit është zëvendës i parë, njeh situatën operative etj., dhe ne ishim pajtuar me këtë arsyetim pa bazë.

P.sh., në Kongresin e Bashkimeve Profesionale në Korçë, përgjegjës ai, në të Frontit në Vlorë, na erdhi e na kontrolloi detyrat, mua dhe Rraqit, i dërguar nga Kadri Hazbiu, në Kongresin e Gruas në Durrës, përgjegjës ai, në të Rinisë në Elbasan, na pezulloi fare.

Mehmet Shehu, e pruri atë për të ulur prestigjin tonë e, të ngrinte të Feçorit, kur vate shoku Enver në Shkodër, ky përgjegjës, kur iku në Paris i sëmurë Kadriu, la këtë në vendin e tij, kurse vetëm në Sarandë vajta unë vetëm me shokun Enver, e për këtë më ka thirrur e më vuri detyra shoku Hysni. Atij i raportoja edhe në Gjirokastër, edhe në Vlorë (sh. Hysni), se Kadriu ish në Paris i sëmurë, në atë kohë (1978).

Kadriu do të ketë influencuar që u bë ministër Feçori, se neve nuk na ka pyetur njeri për këtë. Përkrahte Mihallaqin, Zoin, Feçorin e, tjerë njerëz të degjeneruar, duke i bërë ministra, heronj, deputet, etj. Të kuptohemi nuk e kamë fjalën për vete, unë jam shumë i kënaqur nga Partia, por e kamë fjalën që Kadriu donte e përkrahte njerëzit me vese, e jo të rregulltit. Bashkë me Mehmet Shehun, Feçor Shehun etj., të përgjigjen për strukturat më 1966, punimet mbrojtëse të vendit, etj.

Në të gjitha festat e 1 Majit, Kongreset e Partisë, në ceremoni me rëndësi në Tiranë dhe gjetiu, përgjegjës të shtabit vinte Feçorin, kurse zëvendësministrat e tjerë, i linte ndihmësa të tij. Këto gjenden të shkruara, në plane e urdhra, edhe se ky ishte zëvendës si të gjithë të tjerët, me arsyetimet që kemi thënë më lart, por që tani e kuptojmë, se tek ai kish besim, sepse si duket kanë pasur të njëjtën ide e qëllim, armiqësinë ndaj Partisë e pushtetit popullor./Memorie.al

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?