GREQI- Autoritetet greke kanë zbuluar brenda një automjeti të braktisur një kallashnikov, një granatë, karikatorë, një bidon benzinë dhe një helmetë. Sipas mediave greke, ngjarja lidhet me një shqiptar, i cili rezulton i përfshirë në disa raste të grabitjes. Kjo është zbuluar pas gjetjes së gjurmëve të gishtërinjve.
39-vjeçari shqiptar rezulton i arrestuar në Patra në 2009 dhe në Athinë në 2019, por tashmë është i lirë. Ngjarja ka ndodhur më 24 nëntor, por pas analizimit të gjurmëve të gishtërinjve ka rezultuar se i përkasin një shqiptari.
Automjeti në fjalë ishte vjedhur rreth dy muaj më parë në Nea Joni dhe policia e gjeti në rrugën Niriidoon 73 pranë një çerdheje në zonën e Palaio Faliro. Njëri nga fqinjët ka vënë re se automjeti prej ditësh nuk ka lëvizur dhe për shkak të problemeve të mëdha të parkimit në zonë ka lajmëruar policinë.
Efektivët e policisë konstatuan se mjeti mbante targa false dhe se ishte raportuar i vjedhur shtatorin e kaluar në zonën e Nea Jonisë. Megjithatë, ka ende shumë pikëpyetje për ngjarjes, nëse bëhej fjalë për atentat apo për grabitje.