VELIPOJË – 2150 fidanë kanabis, gati për kultivim në tokë janë asgjësuar nga policia. Në pranga ka rënë Fatmir Bajrami, 55 vjeç dhe u shpall ne kërkim vëllai i tij, Xhevahir Bajrami 37 vjeç. Ata akuzohen si autorë të dyshuar të kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa.
Gjatë kontrollit në territorin e fshatit Luarzë, shërbimet e Policisë gjetën 1900 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në kubikë, pjesa më e madhe e tyre e mbuluar me plastmas. Gjatë kontrollit në anë të lumit Buna, në territorin e fshatit Reç i vjetër, Policia gjeti 250 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në kubikë.
Një pjesë e fidanëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies. Operacioni anti-kanabis u zhvillua nga Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë dhe falë përdorimit të dronëve u evidentuan dhe u goditën rastet e tentativës për të kultivuar bimë narkotike.
Operacioni vijon për kapjen e Xhevahir Bajramit, identifikimin dhe kapjen e të tjerëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Kot thonë s'ka punëtorë
Përgjigju