Zbulohet ndërtuesi i 'fshatit turistik' në Theth, që u denoncua nga kryeministri Edi Rama si ndërtim pa leje, deklaratë kjo që solli edhe një përplasje me Prokurorinë e Shkodrës. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se ndërtuesi, të cilit Rama i referohet si kriminel, është një emër shumë i njohur për organet ligjzbatuese.
Kabinat janë në pronësi të Prek Kodrës, një personazh që në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, rezulton se kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur në Prishtinë. Ai është shpallur në kërkim për dy nga dosjet më të bujshme të SPAK, njëra si pjesëtar i organizatës kriminale të Suel Çelës në Elbasan që e përfshiu në atentatin ndaj Ardian Çapjas. Masa e dytë për Kodrën në kuadër të dosjes "Metamorfoza", në akuzë për disa ngjarje kriminale.
10 kabinat e vendosura në zemër të Thethit, që janë ndërtuar nga Prek Kodra, kryeministri Rama i denoncoi si ndërtim pa leje, ndërsa akuzoi Prokuroren Elsa Gjeli se nuk nisi hetim edhe pse Policia e Shtetit i referoi materialet.
IMT zbriti në terren për shembjen, por kjo situatë solli edhe një reagim nga Prokuroria e Shkodrës. Kjo e fundit tha se vendimi i Elsa Gjelit është bazuar në ligj, pasi strukturat janë referuar nga policia si kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura jo mbi bazamente betoni por në rrasa guri të prera. Si të tilla – thekson prokuroria – nuk kërkohet pajisje me leje ndërtimi.
Kush është Prek Kodra, nga dosja në Kosovë, te 'Metamorfoza' në Shqipëri
Më 26 Nëntor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) do njoftonte se kishte lëshuar 21 masa sigurie, në kuadër të hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, ku përfshiheshin anëtarët e grupi krimal, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Mes personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër arresti ishte edhe 'snajperisti' nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili akuzohet se tentoi t’i bënte atentat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Plani për eliminimin e kreut të qeverisë së Kosovës u zbulua në një e-mail sekret të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në shtator 2022.
Prekë Kodra është shpallur në kërkim dhe për dosjen "Metamorfoza'. Emri i tij doli dhe në përgjimet Sky ECC ku u zbuluan lidhjet e grupit "Bajri', biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe lidhjet me shefin e operacionales në polici Oltion Bistri e prokurorit Xhevahir Lita. Por në dosjen e SPAK, ende nuk dihet roli i tij konkret. Gjithashtu ai del edhe në përgjimet në SKY ECC me kreun e organizatës së Elbasanit, Suel Çela (Marjus Lulaj), në një bisedë ku ky i fundit e paralajmëronte që të mos i kishte besë Bajrave të Shkodrës.
Në dosjen e SPAK zbulohet se ‘marisni’ që Suel Çela ‘rekrutoi’ me pagesë për të vrarë rivalin e tij Ardian Çapja disa vite më parë, është Prekë Kodra. Ky i fundit është i dyshuar dhe për vrasjen e Kastriot Reçit, krim i ndodhur më 7 janar 2020, por dhe për vrasje të tjera.
Sipas të dhënave të policisë Prekë Kodra jetonte në Shkodër, ndërsa vepronte në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës. Sipas Policisë Shqiptare, ky person është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Kodra konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë.
Prek Kodra
Komente

HAJDE SHTET ,,HAJDE LEJON VRASES ME PAGESE TE NDERTOJNE NE THETH......
PërgjigjuPo ky Kodra a nuk ishte vrases me pagese I Bajrave e Celave
Përgjigju"Kodra pas bregut"Hajde gjeje tani Preken qe e mbron edhe Prokuroria e Shkodres...dmth qe nuk e gjen dot as Parukeria e Shkodres qe e kerkon tash sa vite...
PërgjigjuE cfare rendesie ka kjo. Kabina ka vendosur nuk eshte se ka ber ndertim pa leje. Kabina. Pse se ka ate emer ska te drejte te ushtroj profesion fare pervec killerit... shteti yn u be reagues ne mes sezoni turistik... u be koshient ne mes te vapes... po merrjani ketij zoterise te gjitha llogarite kalojne ne site edhe ato jan gjeja fundit. Show vazhdon...
Përgjigju