Publikohet një dokument arkivor i nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që i përket vitit 1975, ku ndodhet një relacion me siglën “Sekret” i hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Nustret Dautaj, Drejtori i Hetuesisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Muço Saliu dhe kryetari i Degës së Hetuesisë, Ali Korbi, lidhur me rrethanat e vdekjes së Ndue Marashit, i cili asokohe mbante funksionin e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, të rrethit të Tiranës, anëtar i Plenumit dhe Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës dhe gjithashtu deputet i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku sipas versionit zyrtar, u tha se ai kishte bërë vetëvrasje.
Relacioni i plotë i tre funksionarëve të më lartë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës dhe Hetuesisë së Përgjithshme të Republikës, lidhur me ngjarjen e ndodhur më datën 16 dhjetor të vitit 1975, ku sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, i cili publikohet për herë të parë nga Memorie.al, përshkruhen me detaje dhe hollësira rrethanat e vdekjes së Ndue Marashit, duke e rindërtuar ngjarjen në fjalë, e cila ndodhi në shtëpinë e tij, në rrugën “Haxhi Sina” Nr. 4., fare pranë “Shkollës së Kuqe”.
Çfarë thuhet në relacionin në fjalë lidhur me dëshmitë e dhëna nga disa prej njerëzve më të afërt të tij, duke filluar nga punonjësja (shërbyesja), që punonte në vilën e tij, Hajrie L., shoferi personal i tij, Klajdi Ç., si dhe familjarët e tij, djali 15 vjeçar, Vlash Marashi, e nëna e tij, Drane Marashi. Përse në dokumentin zyrtar të hartuar nga tre funksionarët e lartë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, për rrethanat e vdekjes së kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, pasi hidhen akuza dhe versione nga më të ndryshmet, duke e bërë atë bashkëpunëtor me “grupet armiqësore” të Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit, si dhe “Grupin sabotator armiqësor të lopëve të Baldushkut”, etj.?!
Përse në dokumentin në fjalë mungojnë të dhënat e akt-ekspertizës mjeko-ligjore dhe emrat me firmat e mjekëve përkatës, gjë e cila shton më shumë dyshimet dhe versionin e familjarëve të tij, si p.sh. e djalit të madh të tij, Gjovalin Marashi, (nga viti 1990 me banim në Francë), i cili në një prononcim të tij për Memorie.al, deklaron se: ajo ishte një vrasje e realizuar nga Sigurimi i Shtetit dhe segmente të tij. Çfarë thuhet në dokumentin zyrtar të Komisionit të Kontrollit të Shtetit, drejtuar familjes së Ndue Marashit, si përgjigje ndaj kërkesës së bashkëshortes së Ndue Marashit, Françeska Marashi, drejtuar Manush Myftiut, Kryetarit të Komisionit të Internim-Dëbimeve, për t’iu hequr masën e internimit dhe t’i lejonin asaj me dy fëmijët, si dhe familjarët e tjerë të familjes Marashi, që të ktheheshin në Tiranë?!
Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Nustret Dautaj, Drejtori i Hetuesisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Muço Saliu dhe kryetari i Degës së Hetuesisë, Ali Korbi, lidhur me vetëvrasjen e Ndue Marashit, kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME E përkohshme 5 vjet III
Nr. 7606/1
Tiranë 22.12.1975
RELACION
MBI VETËVRASJEN E NDUE KOL MARASHIT
Në datën 16.12.1975 në orën 12.15, qytetari Nesim Bega (mjek në Poliklinikën Speciale), njoftoi në telefon Organet e Punëve të Brendshme në Tiranë, se ka konstatuar vdekjen me armë zjarri të qytetarit Ndue Marashi, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Tiranë. Kufoma ndodhet në shtëpinë e tij, në rrugën “Haxhi Sina” Nr. 4.
Me të marrë këtë njoftim, Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme, shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pasi konstatoi faktin, urdhëroi fillimin e çështjes penale, duke caktuar dhe grupin operativ-hetimor të përbërë nga: Kryetari i Degës së Hetuesisë, dy hetues, dy ekspertë kriminalistë, dhe dy ekspertë mjeko-ligjorë.
Grupi hetimor, me të mbërritur në vend-ngjarje në orën 12.35 filloi çështjen penale, duke kryer veprimet përkatëse, kryerjen e vendngjarjes, këqyrjen e kufomës, pyetjen e dëshmitarëve, grumbullimin, fiksimin, dhe analizimin, e gjurmëve dhe provave materiale, dhe veprime të tjera.
Nga hetimet e deritanishme rezulton:
Ngjarja ka ndodhur në datën 16.12.1975, rreth orës 11.00
Kjo vërtetohet nga këto prova:
Dëshmitarja Hajrie L. (punëtore e shërbimit), shpjegon se: “Rreth orës 10.10, Ndueja, zbriti në kuzhinë, ku veç bisedave të tjera, më kërkoi disa lecka, sepse do të pastronte revolet. Pas kësaj ai, u ngjit në dhomën e gjumit dhe unë, nuk e pashë më. Rreth orës 11.00, unë dëgjova një krismë pushke, jo shumë të fortë. U habita, por mbasi nuk dëgjova ndonjë krismë apo zhurmë tjetër nuk i dhashë rëndësi dhe pas pak dola në pazar për të blerë bukë si zakonisht”.
Vlash Marashi (djali 15 vjeçar i Ndues) shpjegon: “Sot, kur u ktheva nga shkolla për në shtëpi, rreth orës 11.45, konstatova se nuk kishte njeri. U ngjita në katin e sipërm dhe pashë, pak të çelur derën e dhomës së gjumit të prindërve. Zgjata kokën dhe mbi krevat, pashë babain të shtrirë me një plagë në ballë. I tronditur, vrapova në shtëpinë e xhaxhait dhe njoftova për këtë, gjyshen time, e më pas vëllain e madh në shkollë”.
Drane Marashi (nëna e Ndues), shpjegon: “Kur hyra në dhomën e gjumit, e pashë Nduen të shtrirë mbi krevat. Ai, kishte vdekur por ishte ende i ngrohtë. I drejtova trupin, hoqa revolen nga dysheku dhe e vendosa mbi komodinë. Pas kësaj, fillova të qaj e të kërkoj ndihmë”. Fqinjët që dëgjuan të qarat e Dranes, hynë në shtëpi dhe pasi konstatuan faktin, njoftuan mjekët e Klinikës Speciale.
Ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit, pikërisht atje ku ndodhej kufoma.
Kjo vërtetohet nga këto fakte:
Kufoma, u gjet në pozicion shtrirë me shpinë mbi krevat, e zhveshur (me këmishë e të mbathura) e me xhaketë krahëve. Në ballë kishte një plagë të shkaktuar me armë zjarri, nga e cila, rridhte akoma gjak. Gjaku, kishte ndotur pjesërisht fytyrën dhe jastëkun, ishte grumbulluar edhe pse jo plotësisht i mpiksur, në të majtë të kokës së kufomës. Mbi komodinën afër krevatit u gjetën:
Një pistoletë T.T., me djepin luajtës në pozicion të mbrapëm, pa fishekë, tyta e së cilës në nuhatje, kishte gjurmë gjaku dhe materie truri. Po këtu, u gjetën dhe një pistoletë T.T., me krehër e pa fishekë, një pistoletë “Mauzer” 7.65 mm. me 7 fishekë në krehër, dhe një revolver “Nagant”, pa fishekë, që të treja në pozicion normal.
Mbi dysheme, përreth krevatit, u gjet një predhë dhe një gëzhojë, të një fisheku standard, për një pistoletë të kalibrit 7.65 mm. Në mur mbi kokën e krevatit, 160 cm. mbi dysheme, ndodhej një e thelluar (me rënie të llaçit në formë të çrregullt, 3 cm. e gjatë dhe 1 cm. e thellë) rreth së cilës ishin ngjitur, spërkla gjaku, materie truri, dhe fije floku.
Vdekja është si rezultat i vetëvrasjes me armë zjarri.
Kjo vërtetohet nga këto prova e fakte:
Mjekët ligjorë që bënë këqyrjen dhe autopsinë e kufomës, në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, Nr. 174, datë 16.12.1975, vërtetojnë shkencërisht se: vdekja e Ndue Marashit, ka ardhur si rezultat i dëmtimeve të rënda të trurit, të shkaktuara nga depërtimi në kokë i një predhe të qitur, me armë zjarri.
Në këtë akt, si dhe në aktin Nr. 225, datë 16.12.1975 të Laboratorit Qendror Kriminalistik, vërtetohet gjithashtu shkencërisht se: plaga e konstatuar në kokën e trupit të ekzaminuar, është shkaktuar nga një qitje me armë zjarri, tyta e së cilës ka qenë e puthitur me ballin (duken të qarta, çarje karakteristike të lëkurës dhe të kockës në formë ylli, gjurma e djegies, dhe mbeturinat e barutit e të blozës brenda në plagë, si dhe spërklat e gjakut e materiet e trurit në tytën e pistoletës).
Ekzaminimi balistik, vërtetoi se predha dhe gëzhoja që u gjetën në vendngjarje, përbëjnë një fishek dhe janë qitur nga pistoleta TT Nr. A-91723 që u gjet po në vendngjarje, dhe që sipas regjistrit të lejeve të armëve, nga ana e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, i përket Ndue Marashit.
Vetëvrasja është kryer me ndërgjegje të plotë.
Kjo argumentohet me këto fakte:
Plaga në ballë, gjurmët e gjakut mbi shpinën e dorës së djathtë, si dhe dërrmishjet në gishtin tregues të kësaj dore, drejtimi i hyrjes dhe daljes së predhës, si dhe vija e fluturimit të saj, të lidhura këto me gjurmën e thelluar në mur mbi kokën e krevatit, të shkaktuar nga predha, dhe me vendin ku u gjet gëzhoja, vërtetojnë se në kohën e vetëvrasjes, Ndue Marashi ka qenë i ulur mbi krevat, me kokën e përkulur përpara, dhe me ballin e mbështetur (puthitur) plotësisht mbi tytën e pistoletës, tregues këta që përjashtojnë çdo mundësi të vetëvrasjes aksidentale.
Dëshmia e shoferit Klajd Ç., të cilit Ndue Marashi para 5-6 ditësh i kërkoi oleatorin (pompë e vogël vaji), duke i thënë se i duhej për të pastruar armët, marrja e leckave nga shërbyesja po me këtë pretekst, si dhe vendosja nga ai mbi komodinë e të tre pistoletave të lyera vetëm nga jashtë me vaj, sepse edhe leckat nuk e kishin gjurmën e kalimit nëpër tytë, mungesa e thuprës që shërben për pastrim, etj., janë veprime të bëra nga Ndue Marashi, me qëllim për të inskenuar vetëvrasjen aksidentale.
II
Nga hetimet anësore mbi shkaqet e vetëvrasjes së Ndue Marashit, mbështetur dhe në bisedat me shokët që janë në dijeni të problemeve që janë trajtuar në forumet e Partisë në rrethin e Tiranës, përfshi këtu edhe shokun Nusret Dautaj (anëtar i Komitetit dhe i Byrosë së Partisë së rrethit), rezulton: Në Plenumet e Komitetit të Partisë së Tiranës, kur janë punuar materialet e Plenumit të 5 dhe të 7 të K.Q. të P.P.SH.-së, Ndue Marashit, i janë bërë pyetje nëse ka pasur lidhje me Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, marrëdhënie të ngushta miqësore, dhe shkuarje për dreka e darka në fshatrat e Tiranës. Ai, nuk e ka pranuar një gjë të tillë megjithëse këto fakte tashmë, janë të njohura…!
Në Byronë e Komitetit të Partisë së Tiranës, kur u analizua gjendja e dëmtimeve në Kooperativën Bujqësore të Shëngjergjit (Korrik 1975), Ndue Marashi dhe Fadil Lami, janë kritikuar se i kanë fshehur dëmtimet e rënda të bëra në këtë kooperativë. Ata, kanë marrë nga rezervat shtetërore pa aprovimin e Qeverisë, 2.400 kv. drithëra buke, të cilat ja kanë dhënë Kooperativës Bujqësore të Shëngjergjit dhe disa kooperativave të tjera, kanë dhënë shifra jo reale për problemet e blegtorisë, nuk kanë denoncuar për ndjekje penale 11 raste dëmtimesh e shpërdorimesh të pasurisë socialiste të zbuluara këto, nga organet e kontroll-revizionimit, etj. Këta, nuk i pranuan këto kritika.
Procesi hetimor që po zhvillohet kundër disa të pandehurve, ish- drejtues e punonjës të Kooperativës së Shëngjergjit, vërteton kryerjen e këtyre veprimeve nga Ndue Marashi dhe Fadil Lami. Në Byronë e Komitetit të Partisë së Tiranës, kur u shqyrtua raporti që do t’i paraqitej Plenumit mbi punën e organizatave bazë të Partisë, në dikastere (Tetor 1975), si dhe në mbledhjen e Plenumit që analizoi po këtë problem (Nëntor 1975), Ndue Marashi mbajti qëndrim negativ ndaj kritikave që ju bënë, duke u përpjekur t’a justifikonte me një autokritikë të cekët.
Ai nuk e priti mirë, shkarkimin e Fadil Lamit nga funksioni i Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe sidomos propozimin që u bë në Plenum për heqjen e tij nga funksioni i Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të K.P. së rrethit të Tiranës dhe njëkohësisht përjashtimin nga Byroja dhe Plenumi.
Në mbledhjet e tjera të Byrosë së Komitetit të Partisë së Tiranës, të zhvilluara në muajin Dhjetor, Ndue Marashi përsëri ishte përpjekur të justifikohej për kritikat që i janë bërë lidhur me mosrealizimin e planit të drithërave të bukës, në rrethin e Tiranës, mbjelljen me foragjere të tokave nën ujë të planifikuara për misër, etj.
Përsa i përket prirjeve të tij për të mbajtur marrëdhënie të ngushta shoqërore me njerëz të dhënë pas interesit personal, të drekave e darkave, si p.sh., Haxhi Mukën (ish-Kryetar i Kooperativës së Bashkuar të Shëngjergjit, aktualisht i arrestuar për sabotim dhe vjedhje në proporcione të mëdha të pasurisë socialiste), të cilin jashtë rregullave të Partisë, e ka propozuar për “Hero të Punës Socialiste”, dhe kur u shtrua problemi i heqjes së imunitetit të tij ai, u shpreh me një keqardhje të dukshme se: “po e fusim edhe këtë në burg”, etj.
Nga hetimi që po zhvillohet kundër një grupi personash sabotatorë e vjedhës të Kooperativës së Shëngjergjit deri tani, është vërtetuar se Ndue Marashi, implikohet rëndë në këtë proces. I pandehuri Haxhi Muka, deponon se raportimet fallco mbi rendimentet e drithërave të blegtorisë, e veprime të tjera të kundra ligjshme ai, i ka bërë me dijeninë dhe aprovimin e Ndue Marashit.
Nga deponimet e disa të pandehurve dhe nga burime të tjera, del se Ndue Marashi ka marrë pa pagesë nga magazina dhe baxhoja e kooperativës së Shëngjergjit, gjalpë, djathë, fruta, etj. Veç kësaj del se para arrestimit të tyre këta të pandehur, janë porositur nga Haxhi Muka që në hetuesi, të mos pranojnë asgjë pasi, Ndue Marashi do të ndërhynte për t’i shpëtuar.
Lidhur me këtë, tërheq vëmendjen dhe qëndrimi i njëjtë që po mbajnë të arrestuarit për ngjarjen e Baldushkut, të cilët sipas burimeve tona operative, shprehen se janë porositur që të mos tregojnë për veprimtarinë e tyre, për arsye se kanë mbështetjen e një personi me pozitë i cili, do t’i ndihmojë që të mos dënohen.
Ka mundësi që ky “person me pozitë”, të jetë Ndue Marashi ose, ndonjë lidhje e tij. Hetimet e deri tanishme vërtetojnë se kohët e fundit Ndue Marashi, ka shfaqur simptoma ankthi, frike, shqetësimi, e nervozizmi, si në familje, ashtu edhe në punë e shoqëri.
Mbështetur në analizën e gjithë këtyre të dhënave e provave, e konsiderojnë të mbyllur hetimin mbi faktin e vetëvrasjes me dashje të Ndue Marashit. Hetimet, do të vazhdojnë për të përcaktuar më thellë, shkaqet e këtij akti, megjithëse paraprakisht arrijmë në konkluzionin se: Ndue Marashi, ka bërë gabime e faje të rënda, që bien në kundërshtim me vijën e Partisë dhe ligjet e Shtetit.
Dhe duke mos pasur kurajo t’i pranojë e t’ja thotë Partisë, për t’i shpëtuar përgjegjësisë u vetëvra, duke kryer kështu një akt akoma më të thellë armiqësor. Ndue Marashi, duhet të jetë implikuar edhe në veprimtarinë armiqësore të komplotistëve, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, etj.
KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË DREJTORI I HETUESISË
ALI KORBI MUÇO SALIU
DREJTORI I D.P.B. TË TIRANËS
NUSRET DAUTAJ
Konc. A.K.
Dakt. B.T.
Kopje 3.
Dokumenti zyrtar me përgjigjen e Komisionit të Kontrollit të Shtetit, drejtuar familjes së Ndue Marashit, lidhur me kërkesën e bashkëshortes së tij, Françeska Marashi, drejtuar Manush Myftiut, Kryetarit të Komisionit të Internim-Dëbimeve, për t’iu hequr masën e internimit dhe t’i lejonin të ktheheshin në Tiranë
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KOMISIONI I KONTROLLIT TË SHTETIT
Nr.589/1
Tiranë, më 5.6.1989
Lënda: Kthim përgjigje
Shoqes Françeska Marashi
“Dritas” Kamzë
T I R A N Ë
Në përgjigje të letrës suaj, drejtuar shokut Manush Myftiu, ju sqarojmë se jeni mirë aty, ku banoni dhe vazhdoni të jetoni në Kamëz, si gjithë qytetarët e tjerë. /Memorie.al