Kronikë

Zbulohet ‘shtëpi bari’ në Laç, në pranga dy persona! Sekuestrohen 12 kg kanabis, granata, tritol e fitila detonatorësh (EMRAT+VIDEO)

1 Tetor, 12:07| Përditesimi: 1 Tetor, 13:26

  • Share

Dy persona janë arrestuar nga policia për përfshirjen e tyre në aktivitetin e paligjshëm të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të armëmbajtjes pa leje. Agron Tafaj 53 vjeç banues në fshatin Gjormë të Laçit dhe Tajson Tafa 27 vjeç banues në Tiranë, janë dy personat e arrestuar dhe me precedentë të mëparshme kriminale në fushën e narkotikëve.

Banesa e përshtatur për prodhimin e lëndëve narkotike është në pronësi të 53-vjeçarit ku nga kontrollet u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë cannabis sativa.

Nga operacioni i zhvilluar policia ka sekuestruar 12 kg kanabis, municione luftarake, granata, ndezës minash, fitila detonatorë, tritol, armë të ftohta dhe peshore elektronike.

Agron Tafaj dhe Tajson Tafa u ndaluan nga policia në Bathore teksa qarkullonin me dy automjete në të cilat gjatë kontrollit, u gjetën në total 4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza, në Bathore dhe në Kamëz.

“Kamëz/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kombinimi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 12 kg kanabis, municione luftarake (granata, ndezës minash, fitila detonatorë, tritol), armë të ftohta dhe peshore elektronike.

Zbulohet një banesë ku kultivoheshin bimë narkotike, me llamba. Sekuestrohen nga banesa, 168 bimë dhe fidanë narkotikë.    

Vihen në pranga 2 shtetasit që kryenin këto veprimtari kriminale. Ata u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Bathore, duke transportuar 4 kg kanabis, me qëllim shitjen në doza.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për 2 shtetas që shitnin lëndë narkotike dhe posedonin sende të kundërligjshme në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, operacionin policor të koduar Kombinimi”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. T., 53 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Laç dhe T. T., 27 vjeç, banues në Tiranë, të dy, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e Policisë, në Bathore, duke qarkulluar me 2 automjete, në të cilat gjatë kontrollit, u gjetën në total 4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza, në Bathore dhe në Kamëz.

Më tej, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, u krye kontroll në banesën e 53-vjeçarit, në fshatin Gjormë, ku u konstatua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba. Gjatë kontrollit në këtë ambient, u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë cannabis sativa, të kultivuara në vazo, 7 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 4 kallep tritol, 2 granata, 2 ndezësa, 7 fitila detonator dhe 3 kuti me ndezesh minash luftarake.

Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, në Tiranë, u gjetën 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 peshore elektronike, 1 shufër metalike dhe 1 armë e ftohtë (thikë).  

Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këto veprimtari kriminale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Ora 13:26
Përshtati shtëpinë në Gjormë për prodhimin e kanabisit, del foto e Agron Tafaj! I arrestuar më parë me 94 kg drogë në banesë

1759317054_agrontafaj.jpg

Report Tv ka siguruar foton e 53-vjeçarit Agron Tafaj i arrestuar sot në Tiranë së bashku me Tajson Tafa për kultivimin e lëndëve narkotike.

Agron Tafaj e kishte kthyer banesën e tij në fshatin Gjormë të Laçit në ‘shtëpi bari’ ku u gjetën dhe u sekuestruan 48 bimë dhe 120 fidanë canabis sativa.

53-vjeçari është me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Ai rezulton i arrestuar dhe në vitin 2021 ku u kap me 94 kg kanabis në banesë.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkarkimi i Veliajt, a duhet të ketë zgjedhje në Tiranë pa pritur Kushtetuesen?