Pas gati dy vitesh lufte me Izraelin, kapaciteti ushtarak i Hamasit është dobësuar rëndë dhe udhëheqja e tij politike është nën presion të madh.
Megjithatë, gjatë gjithë luftës, Hamasi ka arritur të vazhdojë të përdorë një sistem të fshehtë pagesash në para të gatshme për të paguar pagat e 30,000 punonjësve civilë, që arrijnë në total 7 milionë dollarë.
BBC ka biseduar me disa punonjës civilë të cilët kanë konfirmuar se kanë marrë nga afërsisht 300 dollarë secili gjatë javës së fundit.
Mendohet se ata janë ndër dhjetëra mijëra punonjës që vazhdojnë të marrin maksimumi pak më shumë se 20% të pagës së tyre para luftës çdo 10 javë.
Me një sistem bankar jofunksional në Gaza, edhe marrja e pagës është komplekse dhe ndonjëherë e rrezikshme. Kjo për shkak se Izraeli identifikon dhe synon shpërndarësit e pagave të Hamasit, duke tentuar të dëmtojë aftësinë e grupit për të qeverisur.
Por si arrin Hamasi që të shpërndarë rrogat?
Këtë e bën përmes një sistemi që funksionon si më poshtë:
Punonjësit, nga oficerët e policisë deri te zyrtarët e tatimeve, shpesh marrin një mesazh të koduar në telefonin e tyre ose të bashkëshortëve të tyre, duke i udhëzuar ata të shkojnë në një vend të caktuar në një orar të caktuar për të "takuar një mik për një çaj".
Në pikën e takimit, punonjësit i afrohet një burrë, ose ndonjëherë një grua, e cila fshehurazi i dorëzon një njësi të vulosur me paratë, pastaj largohet pa pasur ndërveprim tjetër.
Një punonjës në Ministrinë e Çështjeve Fetare të Hamasit, i cili nuk dëshiron të identifikohet për arsye sigurie, përshkroi rreziqet që lidhen me marrjen e pagës së tij.
"Çdo herë që shkoj për të marrë pagën time, i them lamtumirë gruas dhe fëmijëve. E di që mund të mos kthehem. Në disa raste, sulmet izraelite kanë goditur pikat e shpërndarjes së pagave. Kam mbijetuar nga një sulm që synoi një treg të zënë në Gaza”, tregoi ai.
Në mars, ushtria izraelite tha se kishte vrarë kreun e financave të Hamasit, Ismail Barhoum, në një sulm në spitalin Nasser në Khan Younis. Ata e akuzuan atë për kanalizimin e fondeve në degën ushtarake të Hamasit.
Nuk është ende e qartë se si Hamasi ka arritur të vazhdojë të financojë pagat, duke marrë parasysh shkatërrimin e shumicës së infrastrukturës së tij administrative dhe financiare.
Një punonjës i lartë i Hamasit, i cili ka shërbyer në pozita të larta dhe është i njohur me operacionet financiare të Hamasit, i tha BBC-së se grupi kishte grumbulluar rreth 700 milionë dollarë cash të fshehura në tunelet nën tokë.
Komente
