Tiranë/ Zbulohet kompania që shërbente si 'bazë' për falsifikim dokumentesh! 'Klientët' paguanin deri në 5 mijë euro! Gjenden 37 vula false të institucioneve shtetërore, 3 në pranga (VIDEO)

16 Prill, 10:32| Përditesimi: 16 Prill, 14:31

  • Share

TIRANË- Këto dokumente të falsifikuara u sekuestruan nga Krimi Ekonomiko-Financiare në Policisë Kriminale dhe ishin gati të merreshin nga klientët, për t’u përdorur krejtësisht në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, edhe këto 37 vula, po të falsifikuara, të institucioneve të ndryshme shtetërore, shqiptarë dhe jo vetëm, u gjetën gjatë operacionit që mori të njëjtin emër, “Vula”.

Baza e falsifikimit të dokumenteve që u bastis bashkë me Forcën e Posaçme Operacionale, ishte instaluar në Yzberisht, dhe brenda saj falsifikoheshin leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore, dëshmi të aftësive profesionale, dëshmi aftësimi profesional për taksi, dëftesa pjekurie, akte të marrjes së tokës në pronësi, e plotë të tjera.

Report Tv mëson se ata që kishin interes për një dokument të tillë fals paguanin nga 500 deri në 5 mijë euro. Policia, pasi ndërhyri brenda ambienteve të biznesit “Uni Trans sh.p.k”, arrestoi Çlirim Bregun 53-vjeç, bashkëpronar në këtë biznes që ushtronte veprimtarinë e paligjshme, i arrestuar dhe skeduar më herët për kontrabandë të verërave. Në pranga përfundoi edhe punonjësi i biznesit, Arben Rushiti, 55 vjeç, dhe 54-vjeçari Fatos Shima, i cili u ndalua në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie të dyshuar të falsifikuar.

Përveç dokumenteve që ishin gati për t’u shitur në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave dhe përmes së cilave gënjeheshin institucione të tëra, brenda ambienteve të firmës u gjetën 210 shishe me verë kontrabandë, një zakon i vjetër i pronarit Çlirim Bregu. Ky i fundit, përveç gjithë paligjshmërisë mbi falsifikimin e dokumenteve, nuk kishte të siguruar asnjë prej punonjësve që punonin në firmën e tij. Bregu rezulton i dënuar më parë, pasi në dhjetor 2018 u arrestua pasi tentoi që të fusë në vendin tonë 8 mijë litra verë kontrabandë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?