Lidhur me kontratën e lobimit 6 mln dollarë të Sali Berishës në SHBA me kompaninë ‘Continental Strategy LLC’ ka reaguar në rrjetin social ‘X’ gazetari Daniel Friedman i Mother Jones, që zbuloi skandalin e lobimit rus të PD-së në vitin 2018. Friedman ishte një nga tre gazetarët që morën pjesë në investigimin e revistës së njohur amerikane.
Në një reagim në platformën X, gazetari Friedman shkruan se gjithë përpjekja e këtij lobimi është heqja e Non Grata-s nga DASH.
Friedman, i njohur për zbardhjen e aferës së lobimit të Partisë Demokratike në vitin 2018, komenton edhe faktin se kompania Continental Strategy LLC, e themeluar në vitin 2021 nga këshilltari i Trump, Carlos Trujillo, drejtohet nga Katie Wiles, vajza e shefes aktuale të kabinetit të Presidentit Trump, e cila kishte shërbyer edhe si shefe e fushatës së presidentit Trump në 2024-ën. Këtu fijet të çojnë te Chris LaCivita, i prezantuar si strategu i fushatës së Partisë Demokratike, për zgjedhjet e 11 majit.
Nga ana tjetër, ai thotë se në këtë bashkëpunim është përfshirë edhe Paul Manafort, ish-shefi i fushatës së Trump në vitin 2016, i njohur për lidhjet ruse.
"Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, i cili u sanksionua nga SHBA në vitin 2021 për korrupsion të dyshuar, ka punësuar gjithashtu një firmë të drejtuar nga Chris LaCivita, i cili ka udhëhequr fushatën e Trump në vitin 2024 së bashku me Wiles për këshilla zgjedhore. Paul Manafort po punon me LaCivita-n"- thotë Friedman.
Në dokumentin e regjistruar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, sipas ligjit FARA, kompania amerikane tregon se ka kontaktuar zyrtarë të Senatit, përfshirë ndihmësin e stafit të senatorit Marco Rubio, Dan Holler në lidhje me heqjen e sanksioneve, shkruan gazetari.
"Firma e lobimit, Continental Strategy, ka deklaruar në një regjistrim sipas ligjit FARA (Ligji për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj) se ka kontaktuar tashmë zëvendësshefin e stafit të senatorit Rubio, ndoshta për çështjen e shpalljes së Berishës si person “non grata”, megjithëse nuk e kanë specifikuar qartë."- shkruan në status Friedman.
Gazetari i Mother Jones thotë se Partia Demokratike e Shqipërisë e ka angazhuar firmën e lobimit të merret me çështje ligjore të Berishës në SHBA.
"Në të njëjtin regjistrim FARA thuhet se Partia Demokratike e Shqipërisë ka angazhuar gjithashtu një firmë tjetër ligjore me emrin Continental PLLC, e cila në dukje është e ndarë nga firma e lobimit. Kjo firmë ligjore mund të merret me çështje ligjore të lidhura me Berishën në SHBA, pa qenë e detyruar t’i raportojë ato sipas FARA-s, sipas interpretimit tim."-thotë Friedman.
Më tej, Friedman në përfundim të statusit sjell në vëmendje edhe rastin e lobimit në 2017, ku thotë se përpjekja për lobim e PD-së nuk rezultoi e suksesshme.
"Partia Demokratike e Shqipërisë kishte punësuar gjithashtu një firmë lobimi në vitin 2017 për të tentuar të sigurojë qasje te Donald Trump. Por kjo përpjekje nuk rezultoi mirë. Një hetim i shërbimeve amerikane të inteligjencës zbuloi më pas se firma ishte paguar fshehurazi me fonde nga Kremlini, si pjesë e një fushate më të gjerë ndikimi rus."-shkruan Fridman
Me këtë kontratë, Sali Berisha dhe PD duhet t’i paguajnë kompanisë amerikane 6 milionë dollarë për dy vite. Përmes kësaj kontrate, Partia Demokratike me sa duket kërkon më shumë akses në majën e Shtëpisë së Bardhë, por edhe zgjidhjen e disa problemeve nga e shkuara. Jo rastësisht, shërbimi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të senatorit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish-sekretari Blinken.
Komente
