Gazetari i Report TV në qytetin e Gjirokastrës, Piro Nase ka marrë telefonata kërcënuese nga familjarët e Dhurim Çenkos, shefit të Krimeve në Përmet, pas raportimit se ai ishte pezulluar nga detyra për shkak se kishte pasur dijeni për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga Këlcyra nga njerku polic dhe kolegu i tij dhe nuk kishte marrë masa.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të organeve ligjzbatuese dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i tronditur nga kërcënimet ndaj kolegut tonë të Report TV Piro Nase. AGSH është vënë në dijeni të një kërcënimi me jetë ndaj gazetarit Piro Nase nga familjarët e shefit të Krimeve në Përmet i pezulluar pas raportimeve se ishte në dijeni të një abuzimi seksual me të mitur. Menjëherë pas lajmit të raportuar nga Nase, ai ka marrë telefonata kërcënuese nga familjarët e efektivit për të cilat AGSH është vënë në dijeni dhe ka mundur të shohë e dëgjojë provat e kërcënimit. Ne kërkojmë me urgjencë që strukturat e policisë dhe Prokuroria e Gjirokastrës të nisin menjëherë hetimet dhe të vendosin përgjegjësisë autorët e kërcënimeve. Ne i qëndrojmë në krahë kolegut Nase dhe e inkurajojmë atë të vijojë shërbimin ndaj qytetarëve me korrektësi dhe guxim.”, thuhet në reagim.
Sakaq, gazetari i Report TV ka depozituar kallëzim penal në Komisariatin e Gjirokastrës. Report TV raportoi se Çenko ishte pezulluar nga detyra për shkelje të rëndë disiplinore dhe se kishte nisur një hetim disiplinor për të, pasi kishte dijeni për abuzimin e së miturës nga njerku polic dhe kolegu i tij, por nuk mori asnjë masë.
Report TV dhe Shqiptarja.com sqaron se informacioni i raportuar nga gazetari Nase bazohet në një kërkesë për informacion, ku Drejtoria Vendore e Policisë së Gjirokastrës bëri të ditur se Dhurim Çenko ishte në dijeni të abuzimit ndaj 16-vjeçares dhe nuk kishte marrë asnjë masë. Për këtë arsye, Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetim disiplinor. Çenko është pezulluar nga detyra më 19 shtator, një ditë pas urdhër-arresteve ndaj dy kolegëve të tij.
Komente
