Opozita vazhdon me akuzat për manipulim të zgjedhjeve të 11 majit. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli e cilësoi procesin zgjedhor një farsë politike, të orkestruar nga qeveria. Ajo foli për raportime të shumta presioni ndaj administratës, blerje dhe intimidim të votuesve, ndonëse nuk publikon prova.
“Raportimet e shumta për presionin mbi administratën publike, përdorimin masiv të burimeve shtetërore për qëllime elektorale, blerja e votës dhe intimidimi i votuesve hedhin një hije të rëndë mbi rezultatin final dhe mbi gjithë procesin , duke minuar kështu besueshmërinë dhe integritetin e një prej mekanizmave më themelorë të një sistemi demokratik”, thotë ajo.
Akuzon më tej edhe KQZ se nuk ka vepruar me shpejtësi dhe transparencë. Kjo sipas saj, përforcon pandëshkueshmërinë. Më pas ripërsërit retorikën e PD, duke kërkuar hetim të thelluar dhe ndëshkim të zyrtarëve, që sipas saj, kanë keqpërdorur detyrën për përfitime politike.
“Kërkojmë hetim të menjëhershëm dhe të thelluar për çdo rast të dokumentuar të shkeljes së ligjit. Kërkojmë ndëshkimin e çdo zyrtari që ka keqpërdorur detyrën për përfitime politike. Dhe kërkojmë një reformë zgjedhore të thellë, reale, dhe të garantuar nga aktorë të pavarur ndërkombëtarë.”, u shpreh ajo.
Deklarata e plotë:
Procesi zgjedhor i sapopërfunduar në Shqipëri nuk ishte as i lirë, as i ndershëm, dhe as demokratik. Ajo që ndodhi më 11 Maj nuk ishte një festë e demokracisë, por një farsë politike, e orkestruar nga një pushtet që përdori çdo mjet të paligjshëm për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
Raportimet e shumta për presionin mbi administratën publike, përdorimin masiv të burimeve shtetërore për qëllime elektorale, blerja e votës dhe intimidimi i votuesve hedhin një hije të rëndë mbi rezultatin final dhe mbi gjithë procesin , duke minuar kështu besueshmërinë dhe integritetin e një prej mekanizmave më themelorë të një sistemi demokratik
Zgjedhjet u zhvilluan nën trysninë e një makinerie shtetërore që u vu në shërbim të një partie. Administrata publike u përdor si ushtari elektorale. Paratë e pista u derdhën pa kufi në çdo cep të vendit. Shantazhi, intimidimi dhe blerja e votës , ishin armët që përdori pushteti për të mbuluar dështimin politik dhe moral.
Ky nuk është thjesht një problem zgjedhjesh. Ky është një alarm për demokracinë. Kur vota vidhet, shteti kthehet në pronë private,kur institucionet heshtin përballë krimit zgjedhor, nuk kemi më demokraci funksionale, por një regjim që mbijeton përmes manipulimit dhe frikësimit.
Institucionet përgjegjëse për garantimin e ndershmërisë së zgjedhjeve, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë, nuk kanë arritur të veprojnë me shpejtësinë, pavarësinë dhe transparencën që kërkon momenti. Mungesa e reagimit institucional vetëm sa përforcon ndjenjën e pandëshkueshmërisë dhe demotivon qytetarët për të besuar te procesi zgjedhor.
Ne nuk e pranojmë këtë realitet të deformuar. Ne nuk do të heshtim. Kjo nuk është vetëm betejë politike , kjo është një betejë për lirinë e qytetarëve, për të drejtën për të zgjedhur pa presion, për të ndërtuar një të ardhme që nuk varet nga pazaret elektorale apo nga dhuna e shtetit.
Kërkojmë hetim të menjëhershëm dhe të thelluar për çdo rast të dokumentuar të shkeljes së ligjit. Kërkojmë ndëshkimin e çdo zyrtari që ka keqpërdorur detyrën për përfitime politike. Dhe kërkojmë një reformë zgjedhore të thellë, reale, dhe të garantuar nga aktorë të pavarur ndërkombëtarë.
Shqipëria nuk mund të ecë përpara me zgjedhje të manipuluara dhe institucione të kapura. Qytetarët meritojnë më shumë. Dhe ne jemi këtu për t’u dhënë zë atyre që nuk mundën të votojnë të lirë.
Kjo betejë sapo ka filluar.
Komente
