Jasmira Memelli

Politikë

Zëdhënësja e Metës: Qeveria e Ramës do mbahet mend për kthimin e Shqipërisë në vendin më të uritur në Europë! PL me 5 prioritete

26 Gusht, 12:09| Përditesimi: 26 Gusht, 12:11

  • Share

Partia e Lirisë thotë se Shqipëria ka popullsinë më të kequshqyer në Europë dhe mund të krahasohet vetëm me Ukrainën, e cila ka dy vite në luftë.

Shkak sipas subjektit politik, është keqqeverisja dhe harxhimi i miliona euro nga pushteti për propagandë me rritje ekonomike.

Deklarata u bë sot nga Jasmira Memelli, zëdhënësja e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili qëndron në paraburgim i arrestuar prej 21 tetorit 2024..

Ajo shpalosi edhe 5 prioritetet e partisë për ndryshimin e kësaj gjendjeje të varfërisë dhe ekonomisë, mes të cilave ulja e kostos së jetesës për shqiptarët, garantimi i sigurisë ushqimore dhe rikthimi i bujqësisë si prioritet kombëtar.

“Të dhënat e FAO-s në Kombet e Bashkuara janë një shuplakë e rëndë për propagandën e Edi Ramës, i cili flet për “rritje ekonomike”, kur në realitet kemi rritje të varfërisë, rritje të çmimeve dhe rritje të nën-ushqyerjes. Kjo nuk është ekonomi në rritje, kjo është ekonomi e kapur peng nga një klikë që po pasurohet në kurriz të shqiptarëve”, tha Memelli mes të tjerash.

Sipas saj, qeveria e Ramës do mbahet mend si ajo që e ktheu Shqipërinë në vendin më të uritur në Ejuropë.

Deklarata e zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli:

“Shqipëria e vitit 2024 është vendi me popullsinë më të kequshqyer në Europë.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin (FAO), Shqipëria është në një nivel më të keq se çdo vend fqinj, madje krahasohemi vetëm me Ukrainën, e cila prej dy vitesh është në gjendje lufte. Ky fakt është një akuzë e rëndë ndaj qeverisë Rama, e cila ka konsumuar 12 vite pushtet duke premtuar zhvillim, por ka prodhuar vetëm varfëri, pasiguri dhe shkatërrim të shpresës.

Nga viti 2022 deri në vitin 2024, Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për qytetarët e saj. 5.4% e popullsisë është e nën-ushqyer, ndërkohë që në vendet e rajonit ky tregues është thuajse i zhdukur. Çfarë ka bërë qeveria gjatë gjithë kësaj kohe? Ka harxhuar miliona në propaganda boshe, ka shpërdoruar fondet e BE-së, ka betonizuar çdo cep të vendit dhe ka braktisur bujqësinë, fermerët dhe shtresat më të varfra të shoqërisë.

Ky është një turp kombëtar, por mbi të gjitha një krim social. Në Shqipëri nuk mungon toka pjellore, nuk mungon potenciali prodhues, por mungon politika e ndershme, mungon vizioni dhe mungon përgjegjësia. Kjo qeveri është e interesuar vetëm për oligarkët dhe tenderat klientelistë, ndërsa qytetarët i lë të përballen me shportën e shtrenjtë dhe tryezën bosh.

Të dhënat e FAO-s janë një shuplakë e rëndë për propagandën e Edi Ramës, i cili flet për “rritje ekonomike”, kur në realitet kemi rritje të varfërisë, rritje të çmimeve dhe rritje të nën-ushqyerjes. Kjo nuk është ekonomi në rritje, kjo është ekonomi e kapur peng nga një klikë që po pasurohet në kurriz të shqiptarëve.

Nuk mund të ketë zhvillim me qytetarë që vuajnë për ushqim.

Nuk mund të ketë integrim europian me statistika që na nxjerrin si vendi më i uritur i kontinentit.

Nuk mund të ketë dinjitet për shqiptarët, përderisa fëmijët e tyre shkojnë në shkollë pa mëngjes, ndërsa të moshuarit detyrohen të heqin dorë nga ilaçet për të blerë bukën e gojës.

Partia e Lirisë ka një program të qartë dhe mëse të realizueshëm, 5 prioritete për katër milionë shqiptarë plus, ku fokusi kryesor është:

1. Të garantojë sigurinë ushqimore për çdo familje shqiptare me programe emergjente mbështetëse për shtresat më të varfra.

2. Të rikthejë bujqësinë si prioritet kombëtar, duke e bërë Shqipërinë të vetë-mjaftueshme në prodhimin e ushqimit bazë, por jo vetëm edhe shndërrimin e saj në fuqi eksportuese.

3. Të ulë koston e jetesës përmes politikave fiskale të drejta dhe subvencioneve reale për prodhuesit vendas.

Edi Rama dhe qeveria e tij do të mbahen mend si qeveria që e ktheu Shqipërinë në vendin më të uritur të Europës, ndërsa shqiptarët nuk meritojnë të jetojnë në këto kushte. Mjaft më me mashtrime dhe me tallje ndaj popullit! Pushteti që i lë qytetarët të vuajnë për bukën e gojës ka humbur çdo të drejtë morale të qeverisë këtë vend.

Partia e Lirisë do të jetë në krah të qytetarëve, duke i dhënë fund këtij realiteti të turpshëm dhe duke garantuar dinjitet për çdo familje shqiptare”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?