Zëdhënësja e presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli në një deklaratë publike ka vënë theksin tek korrupsioni, i cili sipas saj është kthyer në sistem mbi të cilin mbështetet qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Fajtor për largimin e të rinjve nga vendi, Memelli bën qeverinë pasi korrupsioni është prezent sipas saj, në nivele të larta në fusha jetike për qytetarët, shëndetësi, arsim, gjykata e prokurori apo dhe në tenderat publikë.
Ndër të tjera, ajo nger zërin për një luftë kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si dhe të taksave që ata paguajnë.
Deklarata e plotë e Jasmira Memelli:
Të nderuar qytetarë!
Shqipëria sot është e kapur peng nga korrupsioni dhe ky është realiteti i hidhur që shqiptarët e përjetojnë çdo ditë në jetën e tyre.
Korrupsioni nuk është më një fenomen i shpërndarë, por është kthyer në sistemin mbi të cilin mbahet në këmbë qeveria e sotme, është mekanizmi me të cilin pasuria publike vidhet, taksat shpërdorohen, dhe shqiptarët mbahen peng të një grushti njerëzish.
Shqiptarët e ndjejnë kudo:
– Në spitale, ku shëndetësia publike është shkatërruar dhe qytetarët detyrohen të paguajnë shtrenjtë edhe për një shërbim minimal.
– Në arsim, ku fondet merren për fasada dhe propagandë, ndërsa mësuesit mbeten të nënvlerësuar dhe shkollat pa kushte.
– Në gjykata dhe prokurori, ku drejtësia blihet, shitet dhe zvarritet, ndërsa të fortët mbrohen e qytetarët e thjeshtë shtypen.
– Në tenderat publikë, ku miliarda euro shpërndahen te klientët e qeverisë, ndërsa fshatrat tona mbeten pa ujë, pa rrugë, pa energji.
Korrupsioni është bërë arsyeja kryesore pse rinia po ikën masivisht nga vendi, sepse të rinjtë nuk gjejnë shpresë në një vend ku meritokracia nuk ekziston, ku vendet e punës blihen me mik, dhe ku çdo derë të mbyllet nëse nuk ke lidhje me pushtetin.
Korrupsioni është arsyeja pse ekonomia nuk zhvillohet, pse fermerët nuk përkrahen, pse bizneset e ndershme falimentojnë.
Ky është realiteti i një qeverie që ka ndërtuar shtetin e korrupsionit, jo shtetin e së drejtë, që ka tradhtuar qytetarët e vet dhe që prej vitesh mashtron me premtime, por prodhon vetëm vjedhje dhe shpopullim.
Ky është plani i heshtur i pushtetit për të shkatërruar shpresën, të zbrazë vendin nga të rinjtë dhe profesionistët dhe të lërë pas një popull të varfër, të lodhur dhe të dorëzuar për t’u manipuluar më lehtë.
Por ne nuk do të lejojmë që ky plan të ketë sukses!
Ne kërkojmë dhe do të luftojmë për një Shqipëri të ndershme, një qeveri që punon për njerëzit, jo për oligarkët.
Kërkojmë një drejtësi që i shërben qytetarit, jo pushtetit.
Lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë shoë televiziv, por betejë e përditshme me rezultate konkrete.
Zyrtarët e korruptuar nuk duhet të mbrohen nga partia, por të përballen me drejtësinë.
Çdo qindarkë e taksave të shqiptarëve duhet të shkojë për shëndetësi, për arsim, për bujqësi, për punësim – jo për xhepat e pakicës së pushtetit.
Ky vend nuk është i qeverisë.
Ky vend është i juaji, është i yni, është i çdo shqiptari që punon me ndershmëri.
Mjaft me një qeveri që e trajton Shqipërinë si pronën e vet private.
Korrupsioni nuk është fati i Shqipërisë.
Shqiptarët meritojnë një të ardhme më të ndershme, më të drejtë dhe më dinjitoze.
Faleminderit!
Komente

Keni marrë fund. Nuk ju beson më njeri.
Përgjigju