Komiku shkodran Zef Hilegega

Kultura

Zef Hilgega, komiku shkodran, me shenjë e me nam

27 Maj 2018, 09:07| Përditesimi: 27 Maj 2018, 10:16

  • Share

1.

Zef Hilgega, i ashtuquajturi Nastro, lindi më 05.05.1864 në Shkodër. Babai i tij, Hilë Gega thoshte për djemtë e tij se, të dytin e kam surrat. Ishte fjala për Zefin, që qysh i vogël me shakatë e tij, shpesh mjaft të kripura, ishte bërë gëzimi i shtëpisë, i farë e fisit, i kojshisë, e më gjerë i Shkodërloces.

Sipas studiuesit Angjelin Kumria, që është marrë me studimin e kësaj figure, si dhe me mbledhjen e humorit shkodran, po shkëpusim një fragment nga një shkrim i tij, ku shenjon shpirtin gazmor të Zefit: “Në çdo dasëm, përvjetor, festë familjare, secila shtëpi e kishte për nder të kishte të pranishëm grupin e ahengxhinjve, ku bënte pjesë Zefi. Krijohej atmosferë me të vërtetë e gëzueshme. Zakonisht në qendër të humorit të tij viheshin në shënjestër: beqarë të stazhionuar, sekserë, namuzqarë të mbyllur në këllëf, kopracë, mëndjemëdhenj që u kishte ikë mosha e që përbuznin ofertat për fejesë, etj., etj.”

Zef Hilgega kishte një shoqëri të ngushtë me piktorin Kolë Idromeno. Bashkëpunonin për përgatitjen e Karnavalit, që e kishte traditë Shkodra. Piktori Idromeno i përgatiste Zefit maskat dhe i caktonte dhe rolet humoristike.

Përveç jetës si komik, Zefi njihet edhe si instrumentist. I binte dajres. Përveç mijëra buzëqeshjeve e gëzime zemrash e shpirtrash, na ka lënë dhe një këngë, të vetmen këngë, atë me titull: Një tufë drandofille po ta çoj”.

Vdiq, më 05.02.1948 në Shkodër.

Duke gjurmuar e mbledhur nga ana ime traditën e humorit shkodran, Zefi, ndoshta si askush, përmendet me shenjë. Si komik rrezaton, dhe është ndër më të shquarit e teatrit diletant shkodran. Është ahengxhi i zoti dhe vjershëtor i përmendur.


(Komiku shkodran Zef Hilegega)

Zefi me humorin e tij brilant bëri emër, të shkriu gazit. Dhe nuk ishte pak, por një periudhë afro 30-vjeçare. Gjithashtu la një galeri rolesh të interpretuara në komedi, vodevile, lojëra gazi, etyde, dialogë, drama me përmbajtje kombëtare e atdhetare. Por Zefi me talentin e tij la gjurmë edhe në personazhet e komedive të Molierit, të cilat i mishëroi aq bukur e bindshëm, - ashtu siç dinte Zefi, njaj Zef Hilgega që të shkrinte gazit... 

2.

Nga rrëfimet e shumë dashamirësve të qytetarisë shkodrane (të moshuar dhe tepër të moshuar), po mundohem t’i përmbledh copëza drite, duke u munduar të bëj një “vizatim” të portretit të Zef Hilgegës. Ishte trupmadh, fytyrthatanik e të vrarë pak lije, jo i pashëm, por simpatik edhe pse i vrejtur, me zë të ëmbël baritoni e pak si të ngjirur, me një diksion të qartë e të plotë.

Batutat që përdorte kishin veshje frazeologjike dhe ngjyresa të larme popullore. Ishte një tipar dallues i profilit aktoresk të Zef Hilgegës. Mjeshtëria e tij (sigurisht prej humori) bënte që edhe një teksti naiv t’i jepte hapësirë, frymëmarrje reale, gjallëri e situatë, dhe nota humoristike. I shkathët ishte Zefi ndër xhestikulacione, në mimikë. Këto dukuri plotësonin mendimin dhe  zbulonin nëntekstin artistikisht. Sytë e gjallë e të lëvizshëm pikonin një intiligjencie të rrallë. Kishte dhe një tipar, me seriozitetin më të madh të bënte të qeshje. Sikur... ishin bashkuar elementet dramatikë me ato humoristikë.

Në kujtimet e tij, Artisti i Popullit Andrea Skanjeti (regjisor) shprehej kështu: “Unë për të që në vogëli kam ushqyer simpati të veçantë. Loja e tij më bindte dhe më entuziazmonte...”

3.

Emri i Zef Hilgegës u shfaq në shumë shoqëri të ndryshme teatrore, por më shumë u pikëzua në Shoqërinë “Bogdani”. Që në shfaqjet e para fitoi nam të madh, siç qe në rolin e Patukut (Scapenit), për të vazhduar më pas me komeditë: “I ligu për mend” (1926), “Dreqi të pruni në Stajka” (1932), në dramat “Mustafë Pashë Bushati” (28, 29, 30.11.1923), “Mysteri i derës së madhe Sanguido” (28.11.1927), “Besë e trimni” (28.11.1930) etj., që të gjitha si aktor i Shoqërisë “Bogdani”.      Kurse  në Grupin “Rrethi Bamirës i Sh’Jozefit” interpreton në pjesën “Bardhi e Ferdinandi” (08.02.1910) përkthyer nga italishtja nga Pashko Gurakuqi e vënë në skenë nga Shtjefën Zadrima. Së bashku më “Kolegjin Saverian”, interpreton në vodevilin “Çgjeshijetari” punuar në shqip nga Anton Xanoni, e shfaqur më 14.02.1911. Po me “Kolegjin Saverian” interpreton në lojën e gazit me titull: “Lugetnit” (10.01.1918). Ndërsa për Ditën e Karnavaleve interpreton në komedinë “Dy nipat e Kontit”, etj.


(Komiku shkodran Zef Hilegega)

4.

Për figurën e komikut Zef Hilgega, na vijnë në ndihmë edhe dy shkrime. Plotësojnë më mirë portretin e tij artistik. Në shkrimin e parë “Skena e Bogdanit dhe drama “Oso Kuka”” (autori Bestar Kongoli, revista “Skena dhe ekrani” 3 / 1982) shkëputëm këtë fragment: “Për aktorët më të mirë shtypi fliste me simpati për Luigj Mjedën e Zef Hilgegën, Rrok Zadejën, Ndoc Prendushin e të tjerë... Më vonë këtë dramë e vunë në skenë Ndoc Vasija e të tjerë. Rolet kryesore, kujton veterani i skenës Cin Çapeli i ka luajtur “Luigj Mjeda, aktori më i dëgjuar në atë kohë, Zef Hilgega në rolin e Isuf ef. Lodrës.”

Kurse në shkrimin e dytë që titullohet “Kur dola për herë të parë në skenë” (revista “Skena dhe ekrani” 2 / 1983) autori i saj, Artisti i Merituat Gjon Karma shkruan: “... u njoha gjithashtu dhe interpretova me kryekomikun shkodran Zef Hilgega, i cili megjithëse i kishte kaluar të 70-tat, luante me mjeshtri dhe humor sikur të ishte i ri”.

Zef Hilgega luajti edhe në dramën “Oso Kuka” të Zef M. Harapit. Mendohet që në dramën “Gjin Bue Shpata” roli i tij, të jetë i fundit. Ndër prova merrte pjesë me një sy të lidhur. Ishte i thyer në moshë. Shfaqja u vu në skenë më 24.01.1943. Më vonë rolin e tij e interpretoi aktori Gjon Karma.


(Komiku shkodran Zef Hilegega)

5.

Në kujtimet e mbledhura studiuesi Gjush Sheldia e vlerëson në mënyrë të tillë Zefin “... qe një vjershëtar gazmor, humorist sa ta lypish, dhe nuk pati as mbledhje e as aheng ku të mos ishte Zefi”.

Ishin vitet 1921 – 1922, kur vajzat e nuset shkodrane, duke dashur të ndiqnin modën, i qethnin flokët bubikof. Zef Hilgega si vëzhgues i hollë e tërë humor, për këtë ngjarje nxjerr këtë bejte:

Bubikof mori marroqe

të shikojnë gjindja për seri,

t’ka rrit nana me bukë kollomoqe,

shkon e qethe te berberi...

Bubikof  shëtit oborrit

me njat kotull përmbi gju,

t’asht ba kryt si rrasë rrasollit

edhe kamët si piru...

Me levande e me shishe,

sapun Pogut era lëmue,

rryp saftjanit vue ndër vithe,

edhe kotllën përmbi gjue...

Berberëve ju çil nafaka,

jan’ tuj bamun shum’ do qarë,

janë tërbue do rrole-plaka

qethin flok’t si Shukja e marrë...

***

Sipas studiuesit Isa Alibali, Zef Hilgega “është shumë i njohur kryesisht si themelues i farsës popullore shkodrane, i shquar në trajtimin gazmor të ngjarjeve të ndryshme ose të situatave komike që shpesh herë krijonte, ...”.                                             

Zef Hilgega, me cilësitë e humorit të tij, me dukuritë shpotitëse e frazeologjike, me materialin gazmor që ofronte, mendojmë se i përmbahej shkollës së Osos së Falltores, por me ngjyresa të reja dhe i përgjigjej buzëqesshëm kohës që jetoi. E koha s’ia harroi emrin...

Shkodër, maj 2018

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?