Piktori Zef Shoshi

Zef Shoshi në një rrëfim për gratë e jetës në pikturë: Jam frymëzuar nga Picasso

6 Shkurt 2019, 08:07| Përditesimi: 6 Shkurt 2019, 13:33

  • Share

Zef Shoshi është një nga piktorët më të mëdhenj, por edhe një nga më të ndrojturit për të folur rreth vetes. Piktori 80-vjeçar, ishte i pranishëm në ekspozitën “L'eterno femminino”, që u çel në Rezidencën e Ambasadës Italiane mbrëmjen e së hënës. Në këtë ekspozitë, ku ishin disa nga kryeveprat e tij, portrete femërore, merrte pjesë edhe vajza e piktorit, Albana Shoshi,me veprën “Pas Murit”, një prurje tematike dhe stilistike e veçantë, që zbulonte botën e adoleshenteve.

Në konceptin e ekspozitës ishte objekt femra e pikturuar që nga fillimet 1900-s deri në ditët tona. Aty qëndronin krah njëri-tjetrit brezi i ri me të vjetrin Llambi Blido e Ardit Boriçi, Muntaz Dhrami e Meri File, Lekë Tasi e Fani Zguro, Ibrahim Kodra e Artan Shabani, Zef Shoshi e Albana Shoshi, e më gjerë. Të bën jo pak përshtypje fakti se kur nisëm të flasim në këtë intervistë rreth veprës së të Albanës, me një modesti të lindur, Zef Shoshi e anashkaloi komentin dhe nisi të fliste për veprat e të rinjve të tjerë.

Pikturat e bëra ndër vite të Zef Shoshit

Në këtë intervistë për “Shqiptarja.com”, me Zef Shoshin flasim për personazhet gra që piktori ka zbuluar në jetën e tij. Fjalët e Zefit janë tepër të thjeshta. Ato që e bëjnë komplekse ekspozimin e këtyre veprave, në të vërtetë janë figuracioni dhe dimensionet e frymëzimit e të mendimit estetik të piktorit, të cilat kanë ngrirë përjetësisht në telajo.

Zef Shoshi

Ju profesor Zefi, jeni një nga autorët që i keni mëshuar më shumë portretit të femrës në pikturën shqiptare, ku përfshihen figura e nënës, e gruas, e vajzës. Si ka qenë raporti i shfaqjes së figurës së femrës në raport me kërkesat metodike të kohës, ku kemi parasysh shtrëngesat e realizmit socialist, ku kërkohej një grua e fortë, edhe me muskuj, madje?

-Kërkesat të tilla ishin. Na thuhej se duhej bërë në plan të parë fshatarja që punon, ose punëtorja në industri, e ne kërkesave do t’u përgjigjeshim, por kjo pastaj varet sesi punon si artist. Unë vërtet kam nxjerrë në telajo një fshatare duke punuar në misër, ose duke lidhur vargjet e duhanit, por i kam parë me syrin tim, me një farë poezie, me delikatesë. Unë kam trajtuar tornitoren, ndoshta është interpretuar si një punëtore e fortë, por sipas mendimit tim ajo është një nga portretet më të bukura që kam bërë unë.

A ishin të ngjashme portretet me personazhe të njohur në jetën tuaj, personazhe që ju kanë frymëzuar konkretisht. Si ka qenë historia e këtyre femrave në pikturën tënde?

-Unë e kam nisur me portretet familjare, me gra e vajza të fisit tonë. “Gjyshja” për shembull, zë një vend të rëndësishëm, duke filluar nga portreti i parë që e kam bërë që në 1956-n e deri tek portretet ë shumta që kam bërë në familjen tonë,si Portretin e Nënës që e kam në studio. Janë bërë me shumë përkushtim, jo vetëm si dedikim për to, por edhe duke parë figurën e gjyshes apo nënës të plotësuar si tipologji. Femra në krijimtarinë time ka zënë një vend të rëndësishëm.

Ju flisni për portretin e nënës, por në pikturat tuaja ka edhe gra të tjera, a ishte e lehtë të pikturohej një femër me tipare joshëse, siç përpiqen ta sjellin sot në telajo shumica e artistëve?

-Për mua, një grua kur është tërheqëse, është dhe joshëse. Të gjitha tiparet që iu kam dhënë grave, janë figuracione të marra nga jeta, nuk janë të shpikura nga mendja. Portreti i fshatares, “Kooperativistja”, që është pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve, por që është në Zyrat e Pritjes vërtetë është marrë materiali nga natyra, por një farë frymëzimi për ta vendosur në krijimtari unë e kam marrë edhe nga Pikaso. Sepse krijimtaria vërtetë është një realitetet artistik, por nuk është e shkëputur nga ndikimet apo frymëzimet estetike të autorëve të tjerë, nga pikturat botërore që trashëgojmë sot në botë. Kështu që vetvetiu janë trashëguar edhe këta elementë, tek gruaja. Tek “Vjelësja e duhanit”, Pikason e kam pasur si nxitje për ta realizuar portretin më mirë. Baza e personazhit është jetësore, por e pasuruar me ndikime nga përvoja e artistëve botërorë.

Ju shquheni në portretet e grave, të vajzave për një spikatje të antropologjisë dhe tipareve autentike, të një fizionomie tipike shqiptare. Jeni krenar për këtë veçanti që marrin gratë në pikturat tuaja?

-Do të isha vërtetë shumë krenar, nëse unë e kam arritur këtë, por s’duhet ta them unë. Duhet ta thoni ju, ose me tej kritika e artit këtë gjë. Unë kam shprehur dashuri për gruan, për nënën, për vajzën shqiptare dhe kjo jepet natyrisht përmes fizionomisë që ato kanë. Por s’mund ta them unë këtë për veprën time.

Pikturat e bëra ndër vite të Zef Shoshit

Çfarë rëndësie ka kjo ekspozitë për gjithë traditën e pikturës shqiptare, sepse këtu kemi edhe autorë të mëhershëm,kemi edhe një portret të mrekullueshëm të Lasgush Poradecit?

-E rëndësishme është se kjo ekspozitë gërshetohet me elementë nga më të ndryshmit, aga ato tradicionalet deri tek më bashkëkohoret. Qëndrimi i artistëve më të rinj dhe më të vjetër krah njëri-tjetrit tregon përpjekjet e të gjithë artistëve për të dhënë specifikën e tyre dhe një qëndrim më të veçantë.

Një ndër piktorët e rinj është edhe vajza juaj, si piktor i njohur dhe me përvojë mbi 60-vjeçare, si e ke pritur dhe si e komenton punën e vajzës tuaj, Albanës?

-Këtu ka gjithfarë stilesh. Ku do të vlerësoja Brikena Bërdon, që e çmoj, Ardit Boriçin, që kanë një qëndrim interesant, bashkëkohor, secili ka veçantinë e tij, nuk mund të thuash që vetëm vajza ime ka një gjë të veçantë. E bukura në këtë ekspozitë është është që, si vajza ime dhe këta artistë të rinj shprehen në gjuhën e tyre. Kjo është më e bukura që sjellin artistët e rinj, origjinaliteti. 

 

Pikturat e bëra ndër vite të Zef Shoshit

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?