Foto: Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelensky
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun e tij Emmanuel Macron, duke theksuar nevojën e Ukrainës për më shumë sisteme dhe raketa mbrojtëse ajrore.
"Jam mirënjohës ndaj Francës për angazhimin e saj për të mbrojtur jetën. Gjatë kësaj bisede informova Macron për nevojat tona prioritare, kryesisht sistemet dhe raketat e mbrojtjes ajrore. Rusia tani po shfrytëzon momentin, faktin se Lindja e Mesme dhe çështjet e brendshme të secilit vend po marrin vëmendjen maksimale", tha Zelensky në X, duke shtuar se "sulmet ruse janë bërë edhe më frikacake.
Lideri ukrainas nënvizoi se dy vendet po punojnë për të zgjeruar iniciativën PURL" për blerjet e armëve.
"Ne gjithashtu kemi koordinuar kontaktet tona me partnerë të tjerë dhe iniciativat tona diplomatike për javët e ardhshme. Po punojmë për të rritur presionin ndaj Rusisë", tha ai.
Ndërkohë edhe Macron përmes një postimi në X shkroi se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë teksa dënoi ashpër sulmet ruse sidomos në infrastrukturën kritike.
"Ndërsa marrëveshja e arritur në Gaza ofron shpresë për paqe në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë duhet të përfundojë gjithashtu. Nëse Rusia vazhdon në kokëfortësinë e saj luftarake dhe refuzimin e saj për t'u ulur në tryezën e negociatave, ajo do të duhet të paguajë çmimin. Franca dënon sulmet ruse kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, të cilat në mënyrë efektive po synojnë popullsinë civile ndërsa afrohet dimri. Ne po vlerësojmë me partnerët tanë ofrimin e ndihmës së nevojshme për të rivendosur dhe garantuar shërbimet bazë. Franca është më shumë se kurrë në anën e Ukrainës dhe po mobilizohet në kuadër të Koalicionit të të Gatshmëve", tha Macron.
Lajmi kryesor:
Zelensky sërish telefonatë me Trump: Biseduam për mbrojtjen dhe objektivat me rreze të gjatë veprimi! Kremlini i shqetësuar për furnizimin e Ukrainës me raketat Tomahawk
Xh.K/ReportTv.al