Bota

Zelensky kërcënon Rusinë: Ndalo luftën ose do të duhet të gjeni një strehë të sigurt! I përgjigjet Kremlini: Idioti i Kievit

25 Shtator, 14:39| Përditesimi: 25 Shtator, 20:49

  • Share

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka ngritur tonet ndaj Rusisë dhe ka paralajmëruar se nëse nuk e ndalin luftën, zyrtarët rusë duhet ta dinë mirë se ku ndodhen strehimoret kundër bombave. Një deklaratë të tillë udhëheqësi i Ukrainës e bëri në një intervistë për Axios dhe vjen në një kohë kur duket sikur edhe Donald Trumpin e ka në anën e tij, pasi deklaroi se Kievi kishte mundësi të rimerrte territoret.

"Ata duhet të dinë se ku janë strehimoret kundër bombave. Ata kanë nevojë për to. Nëse nuk e ndalojnë luftën, do t'u duhen gjithsesi. Ata duhet të dinë se ne në Ukrainë do të përgjigjemi çdo ditë. Nëse na sulmojnë, ne do të përgjigjemi", tha ai, duke nënkuptuar se qendrat ruse të pushtetit, siç Kremlini, mund të goditen potencialisht. 

Presidenti ukrainas përsëriti se Ukraina nuk do të synojë civilët, teksa tha se “Ne nuk jemi terroristë".  Megjithatë, ai theksoi se vendi ka të drejtë t'u përgjigjet sulmeve. Zelensky deklaroi gjithashtu se Ukraina do të marrë armë të reja me rreze të gjatë veprimi nga Shtetet e Bashkuara, por nuk specifikoi se për cilat bëhet fjalë.

"Ne do të punojmë për këtë", duke shtuar se kishte marrë siguri nga Trump. 

Zelensky deklaroi mes të tjerash gjatë intervistës për gazetarin Barak Ravid se është i gatshëm të largohet nga posti pas përfundimit të luftës.

"Qëllimi im është ta përfundoj luftën, jo të vazhdoj të kandidoj për postin", tha ai.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i rusëve. Zëvendës i Këshillit të Sigurisë, Dmitry Medvedev deklaroi se Rusia mund të përdorë armë, kundër të cilave asnjë strehë kundër bombave nuk do të ofronte mbrojtje. Madje, ai shkon edhe më tej, duke thënë se Zelensky është një idiot dhe i varur nga droga.

"I varuri nga droga nga Kievi tha se Kremlini duhet të dijë se ku ndodhet streha kundër bombave për të qenë në gjendje të fshihet kur përdor armë amerikane me rreze të gjatë veprimi. Ai idiot duhet të dijë edhe një gjë tjetër: Rusia mund të përdorë armë ndaj të cilave asnjë një strehim kundër bombave nuk mbron. Dhe amerikanët duhet ta mbajnë mend këtë", shkroi Medvedev. 

Ora 14:48
Ndryshimi i qëndrimit të Trump ndaj Ukrainës, Financial Times: Evropianët kanë frikë se mund të jetë një 'kurth' ndaj tyre

1758805606_shbabe.jpg

Zyrtarët evropianë kanë frikë se kthesa e fundit e Donald Trump ndaj Ukrainës synon t'i imponojë Evropës një mision të pamundur, duke i lejuar presidentit amerikan të zhvendosë fajin nga Uashingtoni te Evropa nëse Kievi dështon në luftë ose i mbarojnë fondet. 

Kështu raporton Financial Times, duke cituar burime që thonë se Trump po ia ngarkon Evropës përgjegjësinë për mbrojtjen e Ukrainës, me pritje që Evropa do të ketë vështirësi t'i përmbushë. 

"Ky është fillimi i një loje fajësimi", tha një zyrtar. 

"Trump po ndërton platformën e nisjes" në mënyrë që të mund të fajësojë Evropën kur dhe nëse është e nevojshme", theksoi një zyrtar tjetër.

Ora 12:10
Zelensky: Gati të lë postin e presidentit pas përfundimit të luftës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm të largohet nga posti pas përfundimit të luftës me Rusinë. Këtë e ka deklaruar vetë Zelensky në një intervistë për faqen e lajmeve Axios.
 

"Qëllimi im është ta përfundoj luftën, jo të vazhdoj të kandidoj për postin", ka thënë ai.

Zelensky ka premtuar gjithashtu se do t’i kërkojë parlamentit ukrainas të organizojë zgjedhje nëse arrihet një armëpushim, në rast se mund të garantohet zhvillimi i votimeve në mënyrë të sigurt. Lideri ukrainas ka deklaruar se e kupton që njerëzit mund të dëshirojnë një udhëheqës me një mandat të ri, i cili do të marrë vendimet e rëndësishme të nevojshme për arritjen e një paqeje afatgjatë.

Ora 09:14
Ukraina rrëzon një avion luftarak të Moskës, Rusia 55 dronë të Kievit

Një avion luftarak rus është rrëzuar nga forcat në Oblast, Zaporizhzhia. Lajmin e raporton gazeta Kiev Independent, duke cituar burime të Forcave Ajrore Ukrainase, të cilat thonë se avionic Su-34 u rrëzua rreth orës 4 të mëngjesit sipas orës lokale përgjatë vijës së frontit. Kur u godit, avioni po sulmonte qytetin e Zaporizhzhias me bomba ajrore. Su-34 rus është një avion luftarak me rreze të mesme veprimi i projektuar në epokën sovjetike, por hyri në shërbim vetëm në vitin 2014 pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të vështirësive ekonomike të Rusisë. Ka një ekuipazh prej dy personash dhe kushton dhjetë milionë euro.

Moska vlerësohet të ketë pak më pak se 140 Su-34. Sipas forcave ukrainase, Ukraina u sulmua mbrëmë nga 176 dronë Shahed, Gerbera dhe të tjerë. Mbrojtja ajrore njoftoi se kishte rrëzuar 150 prej tyre, 13 prej të cilëve goditën 8 vende, ndërsa fragmente nga një dron i rrëzuar goditën një vend.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrojtja e saj kundërajrore "ka kapur ose shkatërruar" 55 dronë ukrainas me krahë fiks, gjatë natës. Informacioni raportohet nga agjencia e lajmeve TASS.

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tani: 25/09/2025 17:16

    Çfar aleatit ka Europa tek Amerika, asgjan ma te vogel nuk ja beson

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?