Volodymyr Zelensky

Zelensky kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të OKB-së më 24 shkurt e votim të ‘Planit të Paqes’! Aleatët në dyshim, ‘frikë’ për dhuratë Putinit

30 Janar 2023, 14:49| Përditesimi: 30 Janar 2023, 14:53

  • Share

Presidenti i Ukrainës po shikon tashmë përvjetorin e parë të agresionit rus, 24 shkurt 2023. Ditët e fundit ai u ka propozuar aleatëve perëndimorë që të thërrasin, për atë ditë, mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së OKB-së. Përfaqësuesit e 193 vendeve do të thirreshin për të votuar mbi propozimin e paqes prej dhjetë pikash të përpunuar nga udhëheqësi ukrainas. Shpallja e takimit, natyrisht, nuk do të kishte asnjë efekt juridik dhe as nuk do t'i impononte asnjë detyrim Rusisë. Por do të kishte një rezonancë të madhe, dukshmëri globale dhe një rëndësi të fortë politike.

Zelensky foli për këtë, joformalisht, para së gjithash me liderët e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, gjegjësisht tre vendeve perëndimore që janë pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, së bashku me Rusinë dhe Kinën. Pas kësaj, rrethi i diskutimeve u zgjerua duke përfshirë edhe shtete të tjera evropiane, Turqinë dhe natyrisht Sekretarin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Vitin e fundit, fuqia e vetos së Rusisë, e mbështetur nga Kina, ka penguar çdo iniciativë të organit ekzekutiv të organizatës. Kjo është arsyeja pse blloku i madh i kombeve që mbështesin Zelenskyn është rikthyer dhe ‘kërkon ndihmën’ e Asamblesë së Përgjithshme.

Ideja e ukrainasve është frymëzuar nga dy precedentë të rëndësishëm. Më 5 mars 2022, seanca plenare vendosi për një mocion që dënonte sulmin e Putinit. "Po" ishin 141; pesë kundër (vetë Rusia dhe më pas Bjellorusia, Koreja e Veriut, Eritrea dhe Siria); 34 abstenime, ndër të cilat u dalluan Kina dhe India, si dhe Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Egjipti, Algjeria, Bolivia, Vietnami.

Më 14 nëntor, megjithatë, u prezantua një rezolutë më e rreptë: të gjithë anëtarët e OKB-së u ftuan të krijonin një "regjistër ndërkombëtar" në të cilin të regjistronin dëmet e luftës të shkaktuara nga pushtimi rus. Këtë herë, megjithatë, konsensusi ishte më i kufizuar. 94 përfaqësues u shprehën pro, përballë 14 kundër (përfshirë Kinën). Pati 73 abstenime (përfshirë Indinë).

Dhe janë pikërisht këto shifra që nxisin hutimet e amerikanëve, britanikëve dhe vendeve të BE-së. Përshtypja e përbashkët në Uashington, si dhe në Londër dhe Bruksel, është se zona e lodhjes dhe e intolerancës në lidhje me konfliktin e nisur një vit më parë po zgjerohet në mbarë botën. Kjo nuk do të thotë se ka rrëshqitje në kampin rus. Sipas Pentagonit, në muajt e ardhshëm Moska nuk do të jetë në gjendje të llogarisë në mbështetjen e qartë të askujt, veçanërisht për furnizimin me armë, përveç Iranit dhe Koresë së Veriut. Në të njëjtën kohë, megjithatë, edhe kampi anti-Putin i udhëhequr nga SHBA nuk duket i aftë të tërheqë partnerë të tjerë. Përfundimisht as Kina, as India, por as rajoni i Azisë Juglindore, zona të mëdha të Afrikës dhe Amerikës së Jugut.

Duke peshuar paqëndrueshmërinë që dëmton tregun e energjisë, furnizimin me mallra ushqimore, furnizimin me lëndë të parë dhe, në përgjithësi, ndjenja e pasigurisë po rritet në komunitetin ndërkombëtar. Është një gjendje shpirtërore që nuk ka dalje, sepse nuk ka perspektivë për negociata në horizont.

Si përfundim, këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë pyesin veten: a jemi të sigurt që thirrja e Asamblesë së Përgjithshme nuk rezulton të jetë një veprim kundërproduktiv? Shumë vende që në mars 2022 dhe më pas, tashmë në një masë më të vogël në nëntor të të njëjtit vit, kishin kundërshtuar sulmin rus, tani mund të shprehin zhgënjimin e tyre duke hedhur poshtë ose në çdo rast duke mos mbështetur "planin e paqes" të paraqitur nga Kievi.

Rreziku, pra, është t'i japësh Putinit një dhuratë politike. Ukrainasit dhe aleatët po shqyrtojnë gjithashtu thelbin e projektit me dhjetë pika të Zelensky. Diplomatët amerikanë dhe evropianë e kanë ndarë dokumentin në dy pjesë. Disa gjëra që të përpiqen t'i bëjnë menjëherë, edhe teksa lufta po vazhdon. Aleatët po punojnë për të mbrojtur rrjetet e energjisë elektrike dhe telekomunikacionit. Presidenti francez Emmanuel Macron nuk i ka ndalur kurrë negociatat me rusët për të garantuar sigurinë e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia.

Për më tepër, mund të bëhet një përpjekje për t'i dhënë vazhdimësi lirimit dhe shkëmbimit të të burgosurve. Por gjithçka tjetër mund të trajtohet vetëm kur të përfundojë beteja në fushë. Këto janë aspektet vendimtare: tërheqja e trupave ruse; planifikimi territorial, veçanërisht i Krimesë; krijimi i një gjykate për të gjykuar krimet e luftës. Është një diskutim i vazhdueshëm!/ Përktheu nga Corriere.it Shqiptarja.com

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?