Samiti i Ukrainës në Tiranë dhe mesazhet që u dhanë sot nga Zelensky dhe Rama u diskutuan në “Përballje” në Report TV. Studiuesi Enver Bytyçi tha në lidhje Skype se ky samit i dha një imazh pozitiv Shqipërisë edhe në mediat e huaja. Por thotë ai, samite të tilla duhet të kenë më shumë përmbajtje dhe jo vetëm show.
“Është një samit i cili konfirmon ose rikonfirmon qëndrimin e shqiptarëve në tërësi në përkrahje të Ukrainës dhe sigurisht dëshmon edhe angazhim për t’i shkuar deri në fund ndëshkimit të agresionit rus në Ukrainë. Ky samit krijon një imazh pozitiv. Agjencitë e huaja, lajmet, mediat do të pasqyrojnë punimet e këtij samiti. Është ngjarje e veçantë që Zelensky të udhëtojë në Shqipëri. Për Shqipërinë është ogur i madh. Samitet e tilla duhet të kenë përmbajtje më shumë, më pak show, më pak imazh ose përpjekje për të fituar prestigj. Në këtë pikëpamje jam disi i zhgënjyer. Është nder dhe zoti Rama ka dëshmuar aftësitë e veta personale në këtë drejtim sidomos në Këshillin e Sigurisë”, tha Bytyçi.
Nga ana tjetër, Bytyçi shtoi se vizita e Zelenskyt ka një impakt jo vetëm politik, por edhe ushtarak. Pasi Shqipëria mund të ndihmojë Ukrainën me furnizime me armë.
“Vizita e zotit Zelenskyt në Republikën e Shqipërisë nuk ka të bëjë thjesht vetëm me një impakt politik. Ka të bëjë edhe me interesat konkrete. Dhe interesi i tij është furnizimi me municione. Shqipëria ka rezerva të shumta të trashëguara nga Lufta e ftohtë. Dhe ka mundësi ta ndihmojë Ukrainën ushtarakisht. Veçanërisht që tani amerikanët kanë bllokuar ndihmën në Senat. Ukraina ka nevojë edhe për pak municione. Në këtë kushte mbledhja e Zelenskyt në Tiranë dhe mundësia për t’u furnizuar me armë është e lavdërueshme”, shtoi ai.
Lajmi kryesor:
Zelensky kërkon bashkëprodhimin e municioneve/ Kulluri i PD-së në “Përballje”: Propozim interesant! Do i bënte mirë ekonomisë së Shqipërisë
G.K//ReportTv.al