Volodymyr Zelensky ndryshoi veshjen e tij me shpresën se do të ndryshojë edhe qëndrimi i Donald Trump ndaj tij dhe, mbi të gjitha, rezultati i samitit në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti ukrainas u paraqit në selinë presidenciale i veshur me një kostum të zi dhe këmishë të zezë (por pa kravatë). Ai la mënjanë, për një ditë të vetme, uniformën ushtarake që e ka karakterizuar që prej fillimit të agresionit rus në shkurt të vitit 2022. Çdo përpjekje, pra, është e vlefshme për të krijuar klimën më të favorshme për nisjen e dialogut.
Më 28 shkurt, gjatë përballjes së parë katastrofike mes dy krerëve të shteteve, Zelensky mbërriti në Shtëpinë e Bardhë i veshur me pulovër dhe pantallona ushtarake. "Oh, shiko, je veshur elegant", i tha Trump me ironi sapo e pa, duke lënë të kuptohej se si do të rridhnin bisedimet. Një gazetar i një media pranë Trump e kritikoi ashpër duke pyetur: "Nuk kishe një kostum...?", duke injoruar faktin se zgjedhja e tij nuk ishte as kapriço dhe as mungesë respekti për ceremoninë, por një mesazh i qartë: e gjithë Ukraina është në luftë, duke nisur nga presidenti i saj. Takimi përfundoi pas pak minutash, siç dihet tashmë.
Ka qenë vetë Donald Trump ai që i kërkoi Zelenskyt të vishej në mënyrë më të përshtatshme për solemnitetin e momentit. Një gjest që donte të tregonte vullnet të mirë dhe shenja qetësimi. "Është fantastik me këtë veshje të re!", deklaroi Trump përpara gazetarëve, duke vënë në dukje ndryshimin e stilit. Madje, edhe gazetari që në shkurt bëri pyetjen e pahijshme ndaj Zelenskyt, kësaj here i kërkoi ndjesë.
Komente
