Në samitin e liderëve europianë në Tiranë ku në fokus ishin edhe bisedimet për paqen Rusi -Ukrainë nuk mund të mungonte zëri i presidentit amerikan Donald Trump. Teksa në Turqi vijonin negociatat, paralelisht në kryeqytetin shqiptar Volodymir Zelensky me Macron, Merz, Starmer e Tusk të mbledhur rreth vetes, zhvilluan një telefonatë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Trump.Një tryezë negociatash në të cilën ka zgjedhur të mos marrë pjesë kryeministrja italian Giorgia Meloni.
“Fola me presidentin Donald Trump, së bashku me Presidentin Macron, Kancelarin Federal Merz, Kryeministrat Starmer dhe Tusk. Diskutuam rreth takimit në Stamboll. Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë, dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë. Qëndrimi ynë është i qartë — nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë, të pakushtëzuar dhe përfundimin e vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë derisa ajo të jetë e gatshme të përfundojë luftën. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”,- shkruan Zelensky në rrjetin social ‘X’.
Ndonëse në shtëpinë e tij në Stamboll delegacionet ishin mbledhur për bisedime, Presidenti turk Erdogan nuk mungoi në samitin e Tiranës, nga ku apeloi për heshtje të armëve dhe paqe në Ukrainë.
“Duhet të jemi më kritikë. Armët duhet të heshtin dhe paqja të vendoset në Ukrainë. Gjithsecili po kontribuon për një zgjidhje. Inkurajimi i palëve pa imponuar asgjë është e rëndësishme sa i takon një paqeje të drejtë. Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në këtë proces.
Vizita e tij në Tiranë ishte e shkurtër pasi u detyra të largohej më herët për të vijuar me negociatat mes palëve në Stamboll.
Nga bisedimet në Turqi mes dy delegacioneve ruse e ukrainase u ra dakord për shkëmbimin e një mijë të burgosurve nga secila palë dhe përgatitjen e planeve përkatëse për armëpushimin. Por siç theksojnë krerët e delegacioneve, synimi i negociatave është përgatitja e një takimi mes Putin e Zelenskyt.
Presidentit ukrainas priti që Putin t’i bashkohej takimit ballë për ballë në Stamboll të enjten, por presidenti rus zgjodhi që Moska të prezantohej me një delegacion të nivelit të ulët. Kjo situatë irritoi të gjithë liderët e europës të mbledhur në kryeqytetin shqiptar. Nga samiti i Tiranës ata kërcënuan se nëse Putin nuk do të shkojë drejt një armëpushimi të menjëhershëm do të shtojnë sanksionet ndaj Rusisë.
Si rrallë herë kohët e fundit Europa duket se po gjen gjuhën e përbashkët me SHBA për paqen në Ukrainë. Duket se BE do të përdorë sanksionet si mekanizëm për t’i ulur financat e luftës, ndërsa SHBA përmes presionit të presidentit Donald Trump. Në kuadër të negociatave, në Stamboll ndodhet sekretari i DASH Marco Rubio, ndërsa Trump premton se do të takojë Putin sa më shpejt të jetë e mundur.
